EKSKLUZIVE / Analizë te Tirana, zbardhet fjalimi i Shehit para skuadrës për ndeshjen me Vllazninë

Jan 18, 2022 | 8:51
SHPËRNDAJE

Tirana ka bërë analizë më shumë se 1 orë e 30 minuta për ndeshjen me Vllazninë. Pas pushimit të ditës së diel, të hënën paradite skuadra ka nisur stërvitjen. Gjithsesi, para se të dilte në fushë, stafi dhe drejtuesit kanë zhvilluar një analizë që ka zgjatur më shumë se 90 minuta në ambientet e “Skënder Halilit”. Fokusi ka qenë te sfida me Vllazninë. Në atë takim, vetëm Tirana nuk ishte në fushën e lojës. Ajo Tiranë që është në vendin e parë me meritë, por që nuk u duk në fushë në asnjë moment.

shehi

ANALIZA – Trajneri Orges Shehi ka analizuar sfidën. Ai ka kërkuar nga ekipi reagim. Sipas tij, skuadra nuk mund të mos bëjë një gjuajtje në portë, ndërsa dita “jo” nuk duhet të kalohet lehtë.

“Nuk kemi qenë vetja me Vllazninë. Nuk kemi bërë mirë në veprime. Duhet të punojmë shumë. Kjo ndeshje nuk duhet të përsëritet më. Është e njëjta si me Laçin. Nëse paraqitemi si në këto dy sfida, nuk jemi askund. Duhet të reagojmë në takimin me Dinamon. Duhet të tregojmë që jemi ata që kemi fituar me meritë dhe jemi këtu me djersën dhe punën tonë”, është shprehur Shehi.

Pak a shumë të njëjtat fjalë kanë thënë edhe drejtuesit e skuadrës, Grent Halili dhe lojtarët që ishin të pranishëm në këtë analizë.

DINAMO – Tirana ka nisur punën për sfidën derbi me Dinamon. Në këtë kampionat, Tirana ka fituar dy nga tri sfidat e luajtura deri tani me blutë në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë. Gjithsesi, kanë qenë blutë ata që i kanë eliminuar nga ky kompeticion. Tirana i ka shënuar Dinamos gjashtë gola, kundrejt dy të pësuarve. Problemi i Tiranës në këtë moment është ndërtimi i rasteve në sulm. Në sfidën e fundit, para portës u shfaq vetëm Xhixha dhe mungesa e Ngosë u duk që do të ndihet.

KARTONËT – Skuadra e Tiranës ka pesë titullarë që janë me tre kartonë të verdhë. Nëse ndëshkohen me Dinamon, mungojnë me Kukësin. Kështu, Filip Najdovski, Zhoselin Behiratçe, Ëngjëll Hoti, Vesel Limaj dhe Taulant Seferi janë me nga tre kartonë të verdhë. Nëse ndëshkohen, humbasin sfidën me Kukësin. Bardheblutë duhet të tregohen të kujdesshëm në sfidat në vazhdim të Superiores.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura