EKSKLUZIVE/ “Amerikani” Lika: Partizani ka humbur qetësinë, duhet t’i besonte… Gegës

Oct 17, 2019 | 8:15
SHPËRNDAJE

“Nuk jam akoma i diasporës. Jam ende Hasani nga Tirana”. Trajneri që në dy dekadat e fundit ka drejtuar Partizanin, Teutën, Vllazninë, Luftëtarin, Kukësin, Lushnjën, Besën, Apoloninë dhe Kombëtaren U-21 e nis bisedën ekskluzive për “Panorama Sport” me një batutë.

lika-hasan-vllaznia-770x465

 

Prej pak muajsh 59- vjeçari është zhvendosur në Amerikë me familjen, natyrisht për një jetë më të mirë. I kontaktuar nga gazeta, Lika pranon t’i bëjë një analizë kampionatit shqiptar, duke prekur disa nga temat më të nxehta, por mbi të gjitha për t’u ndalur te Partizani, skuadrës që i kushtoi karrierën si lojtar dhe më pas në periudha të ndryshme e drejtoi si trajner.

“E kam ndjekur kampionatin, por jo dhe aq shumë, sepse kur luhen ndeshjet më rastis që jam në punë këtu në Amerikë. Por, gjithnjë marr leje dhe mundohem të shikoj nga telefoni ndonjë pjesë loje ose më tepër. Ndeshjet e fundit që kam ndjekur janë Partizani-Teuta dhe ato të Kombëtares”, tregon Lika, i cili deri në muajin mars të këtij viti ishte trajner i Vllaznisë.

Zoti Lika, çfarë ju bën përshtypje kur shikoni renditjen pas 7 javëve kampionat?

Shumë skuadra kanë bërë ndryshime të mëdha në krahasim me sezonin e kaluar dhe për disa prej tyre gjërat kanë shkuar shumë mirë, ndërsa për të tjerat jo dhe aq. Megjithatë, nuk mund të themi se është vërtet një barometër kjo renditje aktuale, pasi kanë kaluar vetëm 7 javë dhe jemi ende në fillimin e kampionatit. Diferencat janë shumë të vogla. Më vjen mirë për Vllazninë, që ka bërë ndryshime të mëdha, por kjo sigurisht që ishte normale, pasi ekipi vinte nga Kategoria e Parë. Për mua befasi është Bylisi, një ekip që meriton vërtet komplimente.

Hasan Lika

Mendoni se është një rastësi që kemi katër skuadra në krye apo do të ketë ndryshime javë pas jave në renditje?

Shikoni, disa ekipe, edhe pse mund të kenë luajtur mirë, nuk kanë marrë pikët që kanë merituar. Por, ka pasur edhe të tjera, që nuk është se kanë bërë ndonjë paraqitje mbresëlënëse, por në fund të fundit kanë marrë rezultate pozitive. Nuk mendoj se kanë luajtur keq ekipet që janë më poshtë skuadrave që krye “ sojnë tabelën. E thashë, diferencat janë shumë të vogla dhe për disa skuadra ndoshta duhet ende kohë që të harmonizohen, prandaj dhe kemi këtë situatë.

Të kalojmë te Partizani që vazhdon të dominojë derbin, por që ende nuk bind në këtë start të sezonit…

E ndoqa me interes derbin. Mendoj se ishte një ndeshje e ekuilibruar dhe me një nivel të mirë loje nga të dyja skuadrat. Partizani si gjithmonë ka qenë superior në derbi dhe këtë herë fati i buzëqeshi sërish. Nuk mund ta fshehim që në këto 5- 6 vitet e fundit, Partizani ka pasur diçka më shumë se Tirana për të fituar derbet. Nisur nga kjo traditë e mirë, ata vazhdojnë të fitojnë me këtë psikologji, plus edhe vlerave që kanë si skuadër, qoftë nga përbërja e lojtarëve dhe stafi.

Hasan Lika, trajneri i Partizanit

Çfarë shije ju la largimi i Skënder Gegës nga Partizani?

Gega bëri një punë të jashtëzakonshme te Partizani, të shkëlqyer do të thosha. Ai ka meritën e madhe që riktheu titullin kampion pas 26 vitesh, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të klubit për sezone me radhë. Sigurisht, meritë kanë të gjithë te Partizani, por nga ana teknike, vlerat gjithmonë i shkojnë trajnerit e më pas zbresin te futbollistët, për t’iu bashkuar stafit drejtues. Nuk e di se çfarë ka ndodhur në verë, pasi normalisht edhe unë u befasova që iku Gega. Nga sa jam informuar, sigurisht që ka pasur diçka mes palëve sa i përket të ardhmes. Si duket kanë pasur mendime të ndryshme. Mua më vjen keq që ndodhin përsëri këto gjëra, sepse edhe dikur gjithmonë janë larguar trajnerët kampionë. Pra, nuk janë lënë të qetë për të vazhduar punën dhe për të shpalosur projektin që kanë pasur në kokë. Mirë do të ishte që Gega të qëndronte dhe t’i jepej besimi i plotë nga drejtuesit, por kështu e kanë menduar. Ndoshta kanë gjykuar se me një trajner të huaj, siç dhe kanë pasur më parë, gjërat do të ecnin më mirë. Shpresoj që këtë herë të ecin gjërat realisht, sepse herët e tjera nuk kanë shkuar ashtu si duhet me trajnerë të huaj te Partizani.

JORGIS MEMO- PANORAMASPORT.AL

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura