EKSKLUZIVE/ Abazaj: Ju tregoj mrekullinë belge, ndikoi edhe Igli Tare. Prisja Gent ose Dinamo Zagreb

Apr 18, 2018 | 21:38
SHPËRNDAJE

Nga Luftëtari i Gjirokastrës tek Anderlehti i kryeqytetit belg, Bruksel. Kristal Abazaj është shembulli se si një lojtar i ri mund të bëjë hapin e madh, edhe pse duke luajtur me një klub që, përveç traditës së mirë, nuk shquhet për trofe apo pjesëmarrje në Kupat e Europës. 21-vjeçari me origjinë nga Tropoja realizoi një ëndërr, duke firmosur dy ditë më parë me ekipin më të madh në Belgjikë, që njihet mbi të gjitha për akademinë që ka. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, sulmuesi i krahut që do të luajë me Luftëtarin deri në fund të muajit maj, tregoi për transferimin surprizë, njerëzit që ndikuan, urimet më pikante që mori, por jo vetëm. Pakti i presidentëve të Skënderbeut dhe Luftëtarit, Ardjan Takaj dhe Grigor Tavo, funksionoi në mënyrë perfekte, me lojtarin që nuk shkeli asnjë ditë në Korçë, por për efekt marketingu u shit duke qenë në pronësi të korçarëve.

abazaj belgjike
Kristal, së pari na tregoni si erdhi gjithë ky transferim i bujshëm. E dinit prej ditësh që do të firmosnit me Anderlehtin apo ishte thjesht një surprizë e momenteve të fundit?

Ka qenë një befasi e madhe, sepse gjithçka ndodhi shumë shpejt. Një ditë pas ndeshjes me Laçin më lajmëruan që do të udhëtoj në Belgjikë. Më dukej si diçka e pabesueshme, por kur u nisëm për në Bruksel e kuptova. E kam mësuar lajmin vetëm një ditë para se të firmosja se do të isha pjesë e Anderlehtit. Çfarë të them, diçka e pabesueshme!.

Në këtë periudhë, cilët kanë qenë klubet që ju si lojtar jeni njoftuar paraprakisht se kanë pasur interes konkret?

Me sinqeritet mund t’ju them se personalisht kam qenë në dijeni që ka pasur ofertë zyrtare nga Dinamo Zagreb në Kroaci dhe Gent në Belgjikë. Vetëm për këto dy klube më kanë folur.

OK, por një ditë më parë presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, deklaroi se për ju ka pasur interes konkret edhe nga Gallatasarai…?

Jo, për këtë nuk kam qenë në dijeni.

Në këto dy ditë në Belgjikë, çfarë ju bëri më shumë përshtypje, qoftë nga vizita në klub apo bisedat me drejtuesit e Anderlehtit?

Në ditën kur mbërritëm, luhej ndeshja mes Anderlehtit dhe Bryzhit, dy ekipet që rivalizojnë për titull. Pasi shkuam në zyrat e klubit dhe zyrtarizuam kontratën, aty nisa të kuptoj se në çfarë realiteti jam. Takova drejtorin e klubit dhe trajnerin, i cili kishte parë cilësitë e mia dhe kishte dhënë OK-in për transferimin. Thjesht më dukej vetja shumë i vlerësuar dhe për më tepër ata më thanë se jam te klubi më i mirë në Belgjikë dhe nga këtu mund të bëj hapin e madh të karrierës.
abazaj1


Shqiptari më i njohur tek Anderlehti ka qenë Besnik Hasi. A ka pasur ndonjë ndikim ish-kapiteni i Shqipërisë në këtë transferim?

Jo, me sa di, nuk ka pasur ndikim fare. Më shumë më ka ndihmuar një tjetër ish-futbollist i Kombëtares.

Për kë bëhet fjalë?

Është Igli Tare, i cili ka folur shumë mirë për mua. Kuptova që Anderlehti si klub ka marrëdhënie të mira me Lacion.

Mjaftuan dy sezone në Superiore me Luftëtarin dhe direkt në një klub gjigant si Anderlehti. A keni një dedikim për këtë sukses?

Gjithçka i dedikohet familjes sime. Ajo është forca ime.

Mendoni se transferimi juaj ka thyer një tabu, duke qenë se kapët fillimisht Kombëtaren, e më pas firmosët për një klub me emër…?

Po, besoj se po, pasi tani mund të hapet rruga edhe për lojtarë të tjerë. Gjithsesi, unë mendoj se me punë dhe sakrifica, asgjë nuk është e pamundur. Personalisht kam punuar shumë për të qenë deri këtu.

Na tregoni pak, kush ju ka bërë mesazhin me pikant pas këtij kalimi?

Së pari, të gjithë shokët e skuadrës te Luftëtari më uruan dhe ata ishin po aq të lumtur sa unë për këtë transferim.

Dikush besoj ju ngacmoi më tepër, përtej urimit?

Po, Lejdi Liçaj, si gjithmonë ka batuta. Më tha “ia hodhe fukarallëkut tani”.

Tashmë në Gjirokastër ju presin për ndeshjen me Vllazninë, por këtë herë me një status tjetër, si lojtar i Anderlehtit…

(qesh). Po, patjetër dhe do të kthehem që nesër (sot). Mora një ditë më shumë leje, pasi besoj më takonte.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura