EKSKLUZIVE/ “2017 nuk përsëritet më, ishim orkestër e dirigjuar bukur”, Ylli Shameti: Gega do të bëjë mirë, Kukësi godet me lëvizjet

| 23:52
SHPËRNDAJE
 

Ylli Shameti, ish-kapiteni i Kukësit, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” skanon ekipin e këtij sezoni, si dhe jep përshtypjet e tij për situatën e verilindorëve. Sipas tij, nuk është pozitive që ekipi ndërrohet në masë, por historia ka treguar se Kukësi ka pasur rezultate. Shameti ka shumë besim te trajneri i ri i Kukësit, Skënder Gega, të cilin e cilëson trajner kampion, por koha do ta tregojë ecurinë. Verën e vitit 2019 kur ekipin e mori në drejtim trajneri Shpëtim Duro kapitenit iu ofrua një kontratë gati shpërfillëse dhe për këtë arsye ish-lideri i ekipit u largua, por nuk munguan edhe polemikat në distancë me trajnerin. 36-vjeçari thekson se nuk ka pasur asgjë personale me trajnerin Duro, por e ka kritikuar për hir të punës, e në fakt deri diku koha i dha të drejtë. I pyetur nëse një ditë mund të kthehet te Kukësi, Shameti nuk e përjashton mundësinë pasi Kukësi është shtëpia e dytë për të.
ylli shameti

Te Kukësi janë bërë 30 lëvizje, 16 afrime dhe 14 largime. Mendoni se me kaq shumë ndryshime skuadra do të jetë pretendente?
Kukësi është shquar gjatë gjithë historisë në Superiore për këto lëvizje në çdo merkato që ka bërë. Pavarësisht se jam kundër kësaj metode, si ideologji koha ka treguar që rezultatet nuk kanë munguar. Nëse do jetë pretendente, ose jo, do ta shohim në fushë kur të filloj kampionati.

Fakti që nuk luajnë në Kukës, sa i penalizon për të tentuar titullin?
Pa diskutim që fusha ndikon shumë në të gjitha drejtimet te paraqitja e ekipit. Tifozët janë mbështetje shumë e madhe për ekipin. Kjo gjë krijon një lloj disbalance në ecuri, por uroj që sa më shpejt të futet në shtëpinë e re, që për hir të së vërtetës po bëhet shumë e bukur.
shameti hallaci
Në sezonin që Kukësi fitoi titullin dhe ju ishit pjesë e rëndësishme e tij, skuadra ishte konstante në rezultate ndaj rivalëve. Tani si e shikoni garën, cilat mund të jenë ekipet që do të luftojnë për kreun?
Ai vit nuk ka për t’u përsëritur më, të paktën për disa kohë. Të fitosh një kampionat pa humbje do të thotë që përpos fjalëve të shumta, ke stabilitet si ekip dhe shpirt të lartë gare. Ishim një orkestër shumë e mirë e dirigjuar bukur. Kur të filloj kampionati do duken realisht ekipet se çfarë mundësish kanë.

Mbrojtja është ribërë, ju bindin lojtarët që ka sot Kukësi në këtë repart?
Përveç Lulajt, që e njoh si futbollist, pjesën tjetër nuk e kam idenë se si luajnë. Gjithsesi, mendoj se nëse ka një lider mes tyre i cili do ju bëjë shumë punë në mirorganizim përgjatë gjithë kampionatit.
shpetim duro
Kritikuat ish-trajnerin Shpëtim Duro, dhe është fakt që Duro u shkarkua dhe pse ishte brenda objektivave, por dhe Kukësi nuk arriti dot të fitojë trofe. Mos ndoshta doli dhe prognoza e kritikat tuaja?
Kritikat ndonjëherë kthehen në mësim për këdo që mendon se i di të gjitha. Keqardhje për mosarritjen e asnjë objektivi, por futbolli do thjeshtësi dhe maturitet. Pa diskutim Duro mbetet një nga trajnerët më me shumë eksperiencë në Shqipëri, asgjë personale përveçse në të mirë të punës.
Gega
Si e shikoni Kukësin me Gegën trajner?
Gega është trajner kampion me Partizanin dhe mendoj do bëj diçka të mirë te Kukësi, pavarësisht se janë dy skuadra që nuk ngjajnë si ambiente. Nëse do ketë instrumentat në sintoni të plotë me njeri tjetrin besoj do ecë mirë.

Çfarë po bëni pas lënies së futbollit dhe çfarë planesh keni si trajner?
Për momentin jam trajner moshash në akademinë “Shqiponjat” në Durrës. Falënderoj gjithë stafin dhe pronarët për besimin e dhënë. Uroj që me shumë studim dhe eksperiencën e gjatë në futboll t’ua u injektojmë sa më shumë brezit të ri.

Kush iu frymëzon nga trajnerët shqiptare dhe botërorë?

Frymëzim në këtë fushë besoj është studimi, kështu që tek ai i mbaj synimet.
Gjici
Keni komunikuar me presidentin Gjici dhe nëse do të vinte një propozim për t’u rikthyer te Kukësi, qoftë edhe si trajner moshash, do ta pranonit?
Jo, nuk kam komunikuar me presidentin Gjici, përveç ndonjë feste apo evenimenti. Kukësi është shtëpia ime e dytë, sepse më ka dhënë shumë sikundër edhe unë i kam dhënë akoma më shumë. Kështu që të ardhmes nuk i dihet asnjëherë.

Si ish-futbollist, sa e vështirë është për lojtarët të rrinë kaq kohë pa luajtur?
Pamundësia për t’u ndeshur në fundjavë është “sëmundja” më e madhe për futbollistin. Bën një program stërvitor javor, i mbush bateritë dhe nuk ke ku t’i shkarkosh. Kështu që fillimi ka për të qenë i vështirë.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.