Ekonomia, vrojtimi i BSH: Qytetarët dhe biznesi “pa shpresë”

Apr 16, 2015 | 14:19
SHPËRNDAJE

Konsumatorët dhe biznesi kanë reflektuar pesimizëm gjatë tremujorit të parë të vitit, duke treguar një besim të ulët tek ekonomia.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-mars, jep të njëjtën situatë në të gjithë sektorët e marrë në studim nga industria te ndërtimi, shërbimet e tregtia. Kjo është hera e parë që gjithë sektorët dhe konsumatorët në përgjigjet e tyre shprehin të njëjtin qëndrim.

BIZNESI

“Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 4.6 pikë në tremujorin e parë të vitit 2015. Kjo rënie frenoi prirjen rritëse të regjistruar që prej tremujorit të katërt të vitit 2013”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.

Së pari, në rënie ka qenë treguesi i besimit tek industria me 3.2 për qind e ndikuar kjo nga rënia e balancës së prodhimit. Në totalin e tyre, bizneset kanë vlerësuar se situata ekonomike dhe gjendja e përgjithshme e firmës ka qenë në rënie. Rënia në prodhim ka ardhur edhe si efekt i rënies së kërkesës.

E vetmja pjesë pozitive në vlerësimin e bizneseve është rritja tek investimet. Sektori tjetër në rënie është ai i ndërtimit. Treguesi i besimit sipas Bankës së Shqipërisë ra me 5.2 për qind. Ndikim në këtë aspekt ka dhënë rënia e kërkesës dhe rënia e prodhimit. Gjithsesi, për të ardhmen, bizneset në këtë sektor presin rritje të investimeve.

Treguesi i besimit ra edhe te shërbimet me 2.4 për qind. Negativisht kanë ndikuar gjendja e përgjithshme e biznesit dhe situata financiare e perceptuar në sektor. I fundit është sektori i tregtisë.

“Treguesi i besimit në tregti (TBT) ra me rreth 4 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2015. Në përkeqësimin e TBT-së ndikoi vlerësimi i përkeqësuar i bizneseve për gjendjen financiare të tyre si dhe për gjendjen e përgjithshme të biznesit. Balancat përkatëse shënuan rënie me 10.8 dhe 6.7 pikë përqindje. Komponenti i tretë i TBT-së, gjendja e punësimit, u rrit në tremujorin e parë të vitit”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.

KONSUMATORËT

Biznesi nuk duket të jetë i vetmi pesimist sa i përket situatës së përgjithshme financiare dhe ekonomisë në tërësi. Konsumatorët nga ana tjetër, në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë, kanë një rënie të treguesit të besimit me 2.7 për qind për tremujorin e parë të vitit.

“Konsumatorët e vlerësojnë situatën financiare dhe ekonomike në vend të përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit. Pritjet e tyre për nivelin e papunësisë në gjashtë muajt e ardhshëm janë pesimiste. Kjo balancë u rrit me 1.1% (rritja e balancës tregon për rritje të papunësisë së pritur). Gjithashtu, konsumatorët perceptojnë kosto të rritur jetese, ndërsa balanca e kursimeve ka pësuar një rënie të lehtë”, vlerëson Banka e Shqipërisë në vrojtimin e saj.

 

Nertila Maho

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura