“Ekonomia u rrit me 5.5 për qind gjatë tremujorit të parë”/ Guvernatori Sejko: Pavarësisht përmirësimit, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht

Aug 5, 2021 | 9:53
SHPËRNDAJE

Ndërsa ekonomia po shkon drejt rikuperimit të plotë, çfarë mbetet në stanjacion është tregu i punës.

sejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, vuri në dukje se ekonomia u rrit me 5.5% gjatë  tremujorit të parë, por pavarësisht këtij përmirësimi, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht përgjatë tremujorit të parë.

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare  u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritjet  tona. Kjo rritje pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të konsumit dhe investimeve të sektorit  privat e publik, si dhe rritjen e  eksporteve të mallrave. Informacioni i disponuar sugjeron  një përshpejtim të fortë të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë, ndonëse me një normë e cila nuk do të jetë indikative për ritmin e rritjes së mëtejshme të ekonomisë shqiptare.

Pavarësisht këtij  përmirësimi, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht në tremujorin e parë. Niveli i punësimit vijon të mbetet poshtë atij të regjistruar përpara pandemisë, norma e  papunësisë u rrit në 11.9%, ndërsa presionet e tregut për rritjen e pagave janë ende të  zbehta. Bazuar në ecurinë historike, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e qëndrueshme e punësimit dhe e pagave do të ndjekë me vonesë kohore zgjerimin e kërkesës për mallra e shërbime”, tha Sejko.

Në planin makroekonomik, shtoi Sejko, përshpejtimi i rritjes ekonomike ka pasqyruar reduktimin e kufizimeve, si pasojë e përmirësimit të situatës epidemiologjike dhe zgjerimit të vaksinimit, rritjen  e besimit të biznesit dhe konsumatorit, përmirësimin e  ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese fiskale dhe monetare.

Në lidhje me politikat fiskale, Banka e Shqipërisë e ka konsideruar të  domosdoshme natyrën stimuluese të politikës fiskale gjatë pikut të pandemisë. Nga ana tjetër, me përfundimin e emergjencës shëndetësore dhe ekonomike, tha Sejko, pritet një rikthim i vëmendjes së qeverisë drejt konsolidimit të financave publike. “Projeksionet  tona për të ardhmen faktorizojnë një reduktim progresiv  të stimulit fiskal gjatë gjysmës së dytë të vitit dhe periudhës në vijim”.

BANKA E SHQIPËRISË

Nga ana e saj, politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të gjen- erojë një ambient financiar të qetë, të karakterizuar nga qarkullimi normal i fondeve në tregje; kosto të ulëta kreditimi  dhe kurs i qëndrueshëm këmbimi. “Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7% gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të pasqyrojë një rritje relativisht të shpejtë e të qëndrueshme të kredisë në lek, të kredisë për qëllime investimi dhe të asaj për blerje  banese.

Rritja e raportuar e kërkesës për kredi në tremujorin e tretë dhe lehtësimi i kushteve të kreditimit premtojnë një mbështetje të vazhduar me fonde të nevojave për konsum dhe investime. Në  këtë kontekst, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe bilancet në përmirësim të bizneseve shqiptare, të cilat janë  pasqyruar në rënien në nivelin 7.1% të raportit të kredive  me probleme në muajin qer- shor”, vuri në dukje Guvernatori Sejko.

PROJEKSIONET 

Pozitivë duken edhe skenarët e ecurisë ekonomike  përgjatë muajve në vijim. Sipas Guvernatorit të BSH-së, rritja ekonomike do të mbështetet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Kjo ecuri do të pasqyrojë përmirësimin e besimit të biznesit dhe konsumatorit, normalizimin gradual të aktivitetit ekonomik në vendet partnere, si dhe ambientin e favorshëm  financiar në vend.

Më tej, rritja e kërkesës agregate do të ndihmojë rritjen e punësimit dhe të pagave, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. “Këto parashikime janë ndërtuar mbi supozimin e shmangies së kufizimeve të forta mbi aktivitetin ekonomik si pasojë e pandemisë; si dhe të reduktimit të ngadaltë, por progresiv, të stimulit fiskal në horizontin afatmesëm”. Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura