“Ekonomia shqiptare në 2020 do tkurret me…”/FMN bën parashikime jo optimiste: Plan rezervë nëse pandemia përkeqësohet, ‘jo’ amnistisë fiskale

Sep 30, 2020 | 12:38
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një deklaratë të fundit pas përfundimit të misionit virtual në Shqipëri, ka bërë të ditur se ekonomia pritet të tkurret me 7.5% ketë vit, nga -5% që ishte pritshmëria në prill, kur sa kishte nisur pandemi.

FMN

Fondi ka bërë thirrje për rritjen e të ardhurave dhe një sistem më transparent fiskal, si dhe ruajtjen e stabilitetit financiar, pasi pritet rritje e kredive me probleme. Fondi ka ritheksuar qëndrimin e tij kundër amnistisë fiskale, si dhe ka kërkuar kujdes në menaxhimin e projekteve të partneritetit publik privat (PPP).

Fondi shtoi se Korporata e Investimeve do të jetë një risk i shtuar fiskal. Deklarata përmbyllëse përshkruan konstatimet paraprake të ekipit të FMN-së në mbyllje të një vizite virtuale nga një ekip zyrtar (ose “misioni”).

Sipas gjetjeve të FMN-së, kërkohet punë shumë e madhe për të ruajtur stabilitetin financiar duke mbështetur ndërkohë huamarrësit e goditur nga krizat. “Ka nevojë për të përgatitur masa rezervë në rast të një pandemie më të rëndë. Kjo pasiguri e paprecedentë e pandemisë nënvizon rëndësinë që ka planifikimi i rezervave.

Në rastin e një pandemie më të rëndë, autoritetet do të duhet të marrin masa të reja për të siguruar ofrimin adekuat të kujdesit shëndetësor dhe për të mbrojtur grupet më në nevojë, duke identifikuar mundësitë për rishpërndarje të buxhetit dhe financime shtesë dhe për të mbajtur likuid tregun e brendshëm financiar”, thuhet në raport.

Sipas FMN-së, Autoritetet duhet t’i dyfishojnë përpjekjet për të përmirësuar të ardhurat tatimore nëpërmjet ngritjes së një sistemi më të drejtë, më të thjeshtë, më efikas dhe më transparent tatimor, i cili nxit rritjen ekonomike. Fondi i kujton qeverisë që të aplikojë një sistem sa më të thjeshtë taksash. “Një sistem tatimor më i drejtë, më i thjeshtë, më efikas dhe më transparent mund ta fuqizojë mobilizimin e të ardhurave buxhetore, duke përmirësuar ndërkohë klimën e investimeve dhe duke ulur informalitetin”, thuhet në raport.

Një rritje e mundshme e kredive të këqija shihet me shumë problem nga Fondi. “Autoritetet duhet të shmangin krijimin e detyrimeve të reja të prapambetura të shpenzimeve buxhetore dhe në rimbursimin e TVSH-së dhe t’i qëndrojë planit për shlyerjen e stokut ekzistues. Këto detyrime të prapambetura, jo vetëm që cenojnë klimën e biznesit dhe besimin te qeveria, por dëmtojnë edhe flukset monetare të bizneseve në një kohë kur tashmë janë nën trysni për shkak të krizave”, thuhet në raport.

Misionet kryhen si pjesë e konsultimeve të rregullta (zakonisht vjetore) në bazë të Nenit IV të Statutit të FMN-së, në kuadër të një kërkese për të përdorur burimet e FMN-së (hua nga FMN-ja), si pjesë e diskutimeve të programeve të monitoruara nga ekipi ose si pjesë e monitorimeve të tjera që u bën ekipi zhvillimeve ekonomike.

Sipas njoftimit zyrtar, një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zonjës Yan Sun, zhvilloi një vizitë virtuale gjatë periudhës 17-28 shtator 2020, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit (MPP). Procesi i MPP-së është instrument mbikëqyrjeje i rregullt në ato vende që kanë një nivel kredie të pashlyer të FMN-së, në mbi 200 për qind të kuotës. Misionet e MPP-së kanë fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet për aftësinë ripaguese ndaj FMN-s.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura