Ekonomia rritet për qeverinë, qytetarët po konsumojnë më pak

Oct 6, 2015 | 12:38
SHPËRNDAJE

Ekonomia shqiptare është rritur me 2.53 për qind në tremujorin e dytë, por kjo jo vetëm nuk është përkthyer me një zhvillim për familjet shqiptare, por, në të kundërt, ka ulur konsumin.

Modeli i ri ekonomik i qeverisë duket se po u shërben vetëm shifrave të INSTAT. Qytetarët po konsumojnë më pak, ndërsa në raportet e statistikave Shqipëria paraqitet me rritje ekonomike. E thënë më thjeshtë, ekonomia e ka rritur “bereqetin”, por qytetarët kanë konsumuar më pak nga ky prodhim. Pra, ekonomia rritet e qytetarët varfërohen.

EKONOMIA-RRITET

SHIFRAT

Në prezantimin e raportit të INSTAT, shifra e parë është e rritjes ekonomike. “Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2015 vlerësohet me rritje prej 2.53% kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2014″. Lajm i mirë. Ekonomia është rritur. Por cilët janë sektorët që e kanë sjellë rritjen? Sipas INSTAT janë ndërtimi dhe energjia. “Grupi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati rritje me 6.28% në tremujorin e dytë të vitit 2015 krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014, ku ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë nëngrupi Energjia elektrike, e cila në vetvete shënoi një rritje 61.07%. Aktiviteti i Ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2015 pati rritje prej 24.49% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014”. Këta janë dy zërat kryesorë që kanë ndikuar në rritjen ekonomike.

Pra, rritja e ndërtimit, që lidhet direkt me shpenzimet e qeverisë gjatë muajve të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, dhe rritja e prodhimit të energjisë për shkak të reshjeve dhe mbushjes së baseneve të liqeneve në hidrocentrale. As njëra, as tjetra nuk lidhet me punësimin dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Shpenzimet në fushatë tashmë janë stopuar. Në fund të gushtit të këtij viti qeveria kishte shpenzuar 28.6 miliardë lekë për investime. Në fund të gushit të vitit të kaluar kishte shpenzuar 26.8 miliardë lekë. Pra, diferenca është shumë e vogël.

Nga ana tjetër, pas zgjedhjeve qeveria i ka stopuar lejet e ndërtimit, duke i centralizuar ato në KKT deri në hartimin e planeve të reja rregulluese për qytetet. Në të njëjtën kohë, rritja e prodhimit të energjisë nuk përkthehet në rritje të mirëqenies dhe punësimit për qytetarët. Pra, realisht dy zërat që kanë sjellë rritje ekonomike s’kanë të bëjnë me ekonominë e familjes, janë shumë larg rritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe shifrat i shërbejnë vetëm qeverisë.

FAMILJET

Ajo që u shërben familjeve, dhe që tregon se rritja ekonomike po përkthehet me mirëqenie e punësim, është konsumi. Pra, rritja e shpenzimeve që çdo familje bën për të jetuar më mirë. Këtu rritja ekonomike nuk përkthehet. “Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në tremujorin e dytë të vitit 2015, u ul me 3.16% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014”, thekson INSTAT. Pra, qartësisht rritja ekonomike s’ka sjellë zhvillim për qytetarët. Por vërtet shqetë- sues është fakti si po lidhet rritja ekonomike me konsumin. Në maj të këtij viti, INSTAT raportoi se: “Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në tremujorin e parë të vitit 2015, u ul me 1.22% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014”. Në të dy tremujorët është raportuar rritje ekonomike dhe ulje e konsumit. Ironike, por duket se qytetarët duhet të shqetësohen që qeveria të mos e rrisë më ekonominë, në të kundërt do të varfërohen në ekstrem…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura