“Ekonomia në rrezik nga COVID-19”- Flet eksperti: Qeveritë e vendeve të tjera po mobilizojnë paketa të mëdha financiare

Mar 16, 2020 | 20:46
SHPËRNDAJE

civici54-770x433Ekspertët bëjnë thirrje që qeveria të marrë një plan masash ekonomike për t’i ardhur në ndihmë biznesit dhe shtresave vurnerabël të shoqërisë.

Në një intervistë telefonike për televizionin Klan, profesori i ekonomisë Ardian Civici, thotë se goditja që pritet të japë në ekonomi situata e izolimit pritet të jetë e madhe, ndërsa si masë emergjente qeveria duhet të angazhohet për të siguruar ushqim për familjet e varfra e që sot nuk punojnë, ndërsa duhet një paketë lehtësuese për bizneset që janë të mbyllura.

 “Një pjesë e madhe e familjeve shqiptare janë të varura nga paga, dhe nga ana tjetër situata e bizneseve nuk ka qene në lulëzim vitet e fundit. Një pjesë e tyre kanë nisur që tani të ndiejnë vështirësi të mëdha për të realizuar procesin e prodhimit, për të realizuar kontrata, shitjet. Referuar eksperiencës të shumë vendeve të tjera, qeveritë po mobilizohen që të vënë në funksion të përballimit të situatës ekonomike paketa shumë të mëdha financiare.”

Gjatë ditës së hënë bizneset kanë nisur aktivitetin e tyre, por ata thonë se kanë patur probleme logjistike në transport dhe shpërndarjen e mallrave.

 “Metodat e përballimit fillojnë që nga rishikimi i buxhetit, deri në cenimin e disa standardeve ose koncepteve që i kemi patur të shenjta, defiçiti buxhetor, borxhi publik, mund të rishikohen investimet publike dhe të vihen në dispozicion të përballimit të situatës. Nuk duhet që ky lloj infektimi i ekonomisë të prekë sistemin bankar dhe monedhën shqiptare sepse pasojat pastaj do të jenë më të rënda për t’u rikuperuar.”

Ekonomistët thonë se në këto momente qeveria duhet të rishikojë buxhetin, ndërsa disa rregulla fiskale të tij si niveli i ulët i defiçitit dhe borxhit publik në momente tilla emergjente mund të preken, për t’i korrigjuar në situata më të mira.

Qeveritë e shumë vendeve europiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë krijuar fonde prej miliarda dollarësh për t’u ardhur në ndihmë bizneseve dhe shtresave që preken nga situata e izolimit për parandalimin e përhapjes së koronavirus. Qeveria shqiptare ka njoftuar se ka marrë një plan masash për ekonominë, i cili ende nuk është finalizuar e publikuar./TVklan.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura