Ekonomia liberale e përparimit

SHPËRNDAJE

REZART PRIFTI rezart prifti

Në dekadat e fundit, pa barazia në të ardhura është rritur si në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim. Edhe pse miliona njerëz kanë dalë nga varfëria absolute, prapë pabarazia është rritur. Në çdo diskutim akademikësh, politikanësh dhe think tankësh, rritja e pabarazisë është Thembra e Akilit. Ndër arsyet kryesore të pranuara nga të gjitha palët në debat janë disa. E para, janë lëvizje brenda ekosistemeve ekonomike të vendeve, si transferimi i punëve, të cilat nuk kanë nevojë të madhe për aftësi në sektorët me produktivitet të lartë në vendet e zhvilluara, në vendet në zhvillim dhe ato më pak të zhvilluara. E thënë më thjeshtë, punët bazike vendet e zhvilluara i bëjnë në vende si Shqipëria, p.sh: call center, paketimin, fasoneria, montimi, asemblimi etj.

E dyta, teknologjia ka ndikuar në rritjen e pabarazisë duke ulur kërkesën për vende pune që u nevojiten aftësi bazike dhe njëkohësisht duke bërë që punët, të cilat kanë nevojë për shumë aftësi dhe formim, të shpërblehen shumëfish më shumë sesa mesatarja dhe rrjedhimisht, më shumë në krahasim me të mësipërmet. P.sh: Duke qenë se montimin e pjesëve të kroskotit të një makine tanimë e bën roboti, njerëzit që merreshin me atë proces pune bazik dhe monoton kanë dalë nga tregu i punës, por inxhinieri, i cili ka bërë atë robot paguhet shumë herë më shumë se montatori, madje edhe shumë herë më shumë seç paguhej inxhinieri vet para se të hynte në treg roboti. Kjo për arsye se nuk ka shumë të tillë, se dobishmëria e punës së tij është rritur etj.

E treta dhe shumë problematike nga ana teknike, është rritja e përqendrimit të tregut duke e bërë përherë e më shumë monopolistik dhe oligopolistik. Sot në ekonominë e vendeve të zhvilluara është më i lartë probabiliteti që një start-up të kalojë në një kompani me vlerë tregu miliona ose miliarda dollarë sesa ka qenë dikur. E thënë më shkoqur, gjithkush mund të ngrejë pyetje të tipit: Pse ka vetëm një Google? Pse ka vetëm një Facebook? Pse ka vetëm një Amazon? E njëjta gjë edhe në Shqipëri, edhe pse në terma shumë herë më shumë primitivë se shembujt që mora. Gjithkujt mund t’i shkojë në mendje se pse për çdo treg në Shqipëri ka një të madh, ose një që i ka të gjitha.

E katërta, rënia e produktivitetit të sektorit publik dhe atij privat për sa i përket nxitjes së investimeve. Për të marrë një shembull nga bota e zhvilluar, do të citoja shkurtimin e buxhetit të kërkim-zhvillimit që Presidenti aktual i Amerikës po i bën Departamentit të Mbrojtjes në Amerikë. I njohur ky si departamenti, që falë kërkim-zhvillimit të tij, i ka sjellë njerëzimit ose e ka sjellë njerëzimin aty ku është sot. Gjithashtu, rënia e produktivitetit të investimeve në sektorin privat ka ardhë si rezultat i monetizimit të rritjes ekonomike dhe politikës së bankave qendrore, të cilat kanë pompuar para pafund dhe me interesa shpeshherë negative, gjë që ka ndikuar në keqoptimizimin e investimeve private. Ndërsa në Shqipëri, ky diskutim merr një formë tjetër. Kjo, për arsye se ne jemi një vend dhe një ekonomi që nuk ka libër makroekonomie, politike monetare apo menaxhimi ta përshkruajë. Ne thjesht nuk kemi kërkim-zhvillim, nuk kemi prioritete ekonomike, nuk kemi politika zhvillimore dhe institucionet tona publike janë në nivele zero profesionalizmi, angazhimi dhe jo më optimizimi të investimeve me qëllim rritjen e eficiencës së tyre, pra, me pak fjalë një shtet inekzistent, që duket thjesht si kuti nga jashtë. Për sa i përket sektorit privat, akoma nuk është pjekur që diskutimi të bëhet si më sipër, por është e vërtetë që ka hedhur baza të mira. Sektori privat, pas tri dekadash ka nisur të mprehë lapsin e llogaribërjes, duke marrë parasysh këshillën ekonomike, planet financiare, objektivat operacionale dhe me vështirësi po largohet nga mënyra “sa bëjmë këtu po të hedhim kaq”. Largimi nga kjo mënyrë është bërë më i ngadaltë gjithashtu nga papërgjegjshmëria shtetërore dhe nga korrupsioni masiv, të cilin e ka mbajtur biznesin me flukse tenderësh dhe projektesh korruptive, të cilat janë kryesisht pa asnjë formë risku në lidhje me biznesin. Një problem i madh ky, që prish themelin e tregut të lirë dhe konkurrencës që riskmarrja vlerësohet në biznes.

E pesta ka të bëjë me mobilitetin social ose me shanset e pabarabarta, të cilat e ndalojnë atë. Më thjesht, mobiliteti social është mundësia që ka një individ nga një shtresë e caktuar sociale të kalojë te një shtrese tjetër më e ulët ose më e lartë. Debati në ekonomitë e zhvilluara është i një forme relativisht egalitare, ndërsa në vendin tonë mobiliteti social mbetet problem. Kjo, për arsye sepse si në komunizëm, këtu ke dy shtresa ekstreme dhe pothuajse zhdukjen e një shtrese të mesme. Zhdukja e kësaj të fundit filloi kryesisht me ndalimin e politikave liberale ekonomike të dy viteve të fundit të mandatit të qeverisë Berisha dhe me kasaphanën ekonomike dhe sociale që bëri (dhe bën) qeveria Rama deri më sot. Në historinë e Shqipërisë nuk është njohur ndonjëherë një zhbërje kaq e madhe e sistemeve si kjo e viteve të fundit. Pra, si përfundim, një person nga shtresa e varfër në Shqipëri e ka thuajse të pamundur të kalojë në “Bllok”.

Dhe e gjashta, është efekti i histerezës si rezultat i spiraleve në rënie ekonomike, që më shumë ndikojnë të varfrit. E thënë thjesht, histereza është varësia që ka një faktor ose një sistem nga gjendja e mëparshme historike. Më thjesht akoma, nëse Elbasani dhe Kukësi janë sipas Bankës Botërore qytetet me varfërinë më ekstreme në vendin tonë, çdo ndërhyrje titanike për të ndryshuar gjendjen e tyre bëhet më e vështirë nga historia e gjatë në varfëri. Dhe kështu dhe me fshatrat, me qytetet që humbasin identitetin, me shoqërinë në komatozë etj.

Në të tilla kushte, në arenën ndërkombëtare diskutimi nga populistët bëhet në frontin e kapitalizmit. Kapitalizmi është zakonisht armiku kryesor i gjithë këtyre të këqijave që kanë ndodhur. Madje, sado për të qeshur që është dhe që tingëllon për një ekspert ekonomie ose një intelektual, edhe te ne është shprehja: “Kapitalizmi paska qenë i vështirë”. Mirëpo, ky nuk është rasti!

Në katër dekadat e fundit, vendet e zhvilluara e jo vetëm kanë bërë politika dhe aplikuar principe liberale, kanë përqafuar liberalizmin, globalizimin dhe teknologjinë. Kjo e fundit është relativisht më e prekshme nga ana konceptuale për çdo njeri joekspert. Por politika nuk e ka pasur mendjen tek efektet anësore, pa të cilat nuk ka asnjë vendimmarrje. Efekte si ndikimi negativ mbi punonjësit dhe keqshpërndarja e të ardhurave, por politika u fokusua përherë te të mirat që vinin për arsye elektorale, pa u marrë me mitigimin e risqeve anësore. Si rezultat, edhe në ekonomitë e zhvilluara nuk pati mjaftueshëm fokus në mitigimin e këtyre risqeve dhe adresimin e këtyre problemeve. Këtë e dëshmon dhe ribotimi i librit të famshëm të Alan Greenspan, “The Age of Turbulence”. Ku magjistari i Bankës Qendrore Amerikane në botimin e parë i thurte elozhe sistemit dhe tregut dhe në botimin e fundit me kapitull shtesë bënte një mea culpa të madhe.

Pra, gjithë vendimmarrja politiko-ekonomike pati probleme me stanjacionin e produktivitetit dhe rritjen e pabarazisë dhe si rezultat, nga politikanët vjen përgjigjja duke sulmuar sistemin liberal dhe globalizimin. Një sistem dhe një filozofi ekonomike, të cilat në kuadrin historik jo vetëm kanë sjellë zhvillim të paprecedent, por dhe kanë provuar si asnjë sistem tjetër se funksionojnë në kohë.

Prapë në Shqipëri debati kalon në një kontekst tjetër. Kjo, për arsye se nuk ka debat për politika dhe për rryma ekonomike, apo ide që ofrojnë zgjidhje konkrete. Në vendin tonë nuk ka të majtë apo të djathtë, por hermafroditë. Gjë, të cilën nuk e shikoj si problem fare, sepse në një vend që nuk ka edukim historik për asnjërën dhe ku diskutimi është akoma për rregulla barbare loje, ti nuk mund të flasësh për ide. Por zakonisht, zgjidhja është si Shpata e Demokleut. Problem këtu ka edhe me liberalizmin si frymë që pak njihet, pak flitet, pak shpjegohet, shumë keq interpretohet, shumë keq përfaqësohet dhe ka mbetur si një çiflig që është marrë dorëzanë nga njerëz, që nuk e kanë njohur në praktikë ndonjëherë. Gjithashtu, nga njerëz që kanë bërë ndryshe nga ç’kanë predikuar, duke e kthyer këtë vend si ajo rruga e keqe në fund të lagjes që kanë dëgjuar deri diku, por nuk shkon njeri. Edhe këtu nuk shikoj asgjë të keqe se në fund të ditës nuk mund të bësh çka predikohet në parajsë kur jeton në ferr…

Ajo që na ndan me botën si kontekst politiko-socio-ekonomik është mungesa e shtetit, një sistemi meritokratik dhe shkëputja nga mendësia jo thjesht e vjetër, por e prapambetur e të bërit të gjërave. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, kjo nuk është vetëm çështje ndarjeje me botën, por dhe mbijetesë sepse kurrë nuk ka qenë ky vend në një pikë më kritike sesa sot, pa kokë në njërin krah, ose me kokë të marrë erë dhe pa alternativë nga krahu tjetër, ose pa dritë në fund të tunelit. Po le ta marrim sikur deri diku jemi bashkë me botën… Si adresohen këto probleme? Nuk është e vështirë, se bota e ka bërë disa herë dhe ne do ish mirë që për të parën herë të mos bënim gjoja siç kemi bërë shekullin e fundit dhe të mos rishpiknim rrotën. Janë principe bazike, që akoma te ne nuk konceptohen, por fliten në tym.

Së pari, fillon nga edukimi, edukimi dhe edukimi! Aksesi në sisteme cilësore edukimi është ajo që na bashkon me botën. Nëse në të gjitha raportet prestigjioze thuhet se duhet edukim cilësor për shekullin e 21-të, imagjino sa i duhet një vendi si yni. Edukimi cilësor kërkon njerëz të mirëpaguar, të respektuar, me autoritet në shoqëri dhe me status. Edukimi cilësor kërkon infrastrukturë dhe instrumente. Nuk mësohet muzika në letër me fletore muzike si në kohën e qoftëlargut dhe sot, nuk mësohet programimi në letër si në kohën e qoftëlargut dhe sot, nuk mësohet inxhinieria pa prekur beton me dorë si atëherë dhe tani, nuk mësohet mjekësia me një në mend si atëherë dhe tani, nuk bëhesh dot ekonomist pa e prekur ekonominë dhe biznesin e kështu me radhë. Instrumente dhe laboratorë! Por para së gjithash, duhet mendësi ndryshe që të dinë se çfarë është edukimi dhe jo të mbetemi siç kemi mbetur peng të dogmave, vjetërsirave, pseudointelektualëve dhe jo kolegëve, por “shokëve” të punës.

Së dyti, politika e familjes. Familja shqiptare e ka kaluar tempin e botës së zhvilluar në shpërbërjen e kësaj të fundit. Përpos këtij problemi social, politika e familjes ka të bëjë nga ana ekonomike, që siguron qëndrueshmëri shoqërore me aspekte si leja prindërore dhe kujdesi i fëmijës. Gjëra që deri më sot nuk janë diskutuar ndonjëherë sa të rëndësishme janë për shoqërinë e shëndoshë.

Së treti, akses në shëndetësi cilësore. Vetëm për atë nuk mund të flasim sot. Nëse ke një problem dhe bie në duart e sistemit të qelbur, të kalbur, ordiner dhe kriminel tonit shëndetësor ti je i vdekur. Sot që flasim, operacionet më të mëdha nuk bëhen nga shteti, me demek për mungesë pajisjesh dhe sugjerimi është për në spital privat me mijëra euro. Nëse nuk i ke ato para, ti je i vdekur! Po, po, më dëgjo mirë, i vdekur! Mirë ore kriminel që më degdis në privat, por më kthe paratë e sigurimeve shëndetësore që m’i ke mbledhur gjithë jetën mua, sime mëje e tim ati! Se në fund, për atë punë i ke marrë dhe një sjellje e tillë nuk të dallon nga një hajdut që të merr paratë dhe nuk të jep shërbimin.

Së katërti, pasi i edukon njerëzit dhe u siguron shëndetësi, u siguron atë që Maslow e vendosi me elementet e burokracisë: Meritokracinë! Sistem meritokracie, i cili siguron që të vejë haka tek i zoti dhe që gjithë njerëzit të marrin sa punojnë, të ndihen të vlerësuar, të investojnë për përmirësim të vazhdueshëm të tyre dhe të kenë qëndrueshmëri afatgjatë në atë që bëjnë.

Së pesti, siguri sociale. Ajo që në botë njihet si rrjeta e sigurisë sociale, është pikërisht një sistem që më të dobëtin e ruan të mos dalë nga sistemi qoftë në punë, në shkollë, në biznes, apo asnjë prej tyre. Ky sistem i mban njerëzit larg nga skamja, dëshpërimi, fatkeqësia dhe e thënë më ftohtë akoma, nga të kthyerit në kosto afatgjatë për shoqërinë.

Së gjashti, konkurrencë e lirë në treg. Konkurrenca e lirë në treg ka bërë që bota me të cilën ne krahasohemi të quhet e zhvilluar dhe ne jo. Konkurrenca sjell mundësi, përmirësim të vazhdueshëm, produkte në treg, mundësi zgjedhjeje, punësim, zhvillim ekonomik, identitet shoqëror. Por ky term te ne është i panjohur sepse nuk është ngjizur gjë në bazë konkurrence, por në bazë mafie.

Së shtati, ulje e barrierave të hyrjes në treg. Nga aspektet administrative, tatimore, infrastruktura e gjithfarësoji dhe krimi e bën këtë të pamundur. Sot duhet të hysh në treg duke mos mërzitur njeri dhe duke mos notuar në ujëra që janë të bëra pis prej kohësh. Barrierat e hyrjes në treg në vendet e zhvilluara janë të një forme tjetër, ndërsa në Shqipëri prapë ndryshon niveli i diskutimit. Thjesht janë barriera banale dhe kriminale.

Së teti, ulja e përqendrimit të tregut. Përqendrimi i tregut ka sjellë skizmën e Tiranës së pabanueshme dhe të paorganizuar si aglomeracion, ka sjellë një treg pa inovacion prej 30 vjetësh, ka sjellë një treg që, ose është monopol, ose është oligopol, ka sjellë një treg që nuk jep mundësi për konsumatorin, ka sjellë një treg që prodhon vetëm produkte dhe shërbime larg cilësisë njerëzore dhe më afër asaj shtazore. Në botën e zhvilluar diskutohet monopoli dhe fuqia e paprecedent që ka Google, Facebook, Amazon, Boeing, Exxon etj. Ndërsa në një vend si yni, që edhe ata që e kanë atë qufi nuk kanë bërë asnjë inovacion si këta më sipër, nuk kanë konkurruar ndonjëherë apo kanë shtuar ndonjëherë vlerë, nuk adresohen asnjëherë.

Së nënti, inovacioni. Nuk ka vend të zhvilluar, i cili nuk ka riformatuar dhe riorientuar kurrikulat e edukimit drejt këtij nocioni kaq të rëndësishëm për botën që na pret. Burimi i çdo të mire, i çdo produkti ose shërbimi të ri, i çdo përmirësimi iterativ ose rrënjësor të kushteve të jetës dhe i një shoqërie dhe ekonomie të shëndetshme. Fokusi kryesor i politikave të një qeverie me mend në kokë duhet të jetë inovacioni, i një universiteti të mirë duhet të jetë inovacioni. Më pas, të dy bashkë të lidhen ngushtë me tregun dhe me mënyrën si operon biznesi për ta ndihmuar dhe përmirësuar atë.

Së dhjeti, sistemi i taksimit të pasurisë së krijuar nga një ekonomi. Në botë debati është jashtë kontekstit tonë. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë është i nevojshëm një sistem taksimi, i cili ka parasysh tri koncepte kryesore: reduktim, thjeshtim, eficiencë. E thënë ndryshe: taksa më të ulëta dhe kjo për shumë arsye, që nga ajo që ky shtet nuk meriton t’i marrë asnjë lekë biznesit dhe individit e deri te principi i filozofisë ekonomike, sistem më të thjeshtë dhe më të kuptueshëm për individin dhe për natyrën e biznesit shqiptar dhe së fundi, taksim eficient, i cili tenton të zgjerojë bazën dhe t’i fusë të gjithë në sistem dhe jo si sot, që çdo ndryshim që ndodh e pëson përherë ai që ka qenë i ligjshëm dhe i rregullt, se evadori përherë ngelet evador fiskal.

Së njëmbëdhjeti, investimet publike duhet të kenë parasysh tri prioritete: edukim, infrastrukturë, inovacion. Këto janë prioritetet që një shtet i pamundur si i yni duhet të ketë. Sa më pak funksione ka shteti, aq më mirë është për të gjithë ne. Nëse shteti bën detyrën me infrastrukturë rrugore, energjetike, hidrike dhe me njerëz të edukuar dhe të kualifikuar në tregun e punës, atëherë biznesi dhe individi e gjejnë vetë ku do investojnë, në turizëm, bujqësi, arsim, industri, eksport, prodhim, teknologji apo zejtari. Individi dhe biznesi, kur shteti investon në ato prioritete dhe siguron rregulla loje të qarta, rrit produktivitetin, rrit punësimin, rrit kërkesën në treg, prodhon një ekonomi më të qëndrueshme, një shoqëri më të qetë, me më pak dhunë dhe më të lumtur. E kuptove çfarë është liberalizmi?

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.