Ekonomia fillon nga shkolla

Apr 14, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer-e1557227672882Nga Luçiano Boçi*

Biznesmenët më të njohur në Shqipëri, në shumicën absolute të rasteve kanë hedhur një hap jetik për fatin e biznesit të tyre: ata i kanë çuar fëmijët në shkollat më të mira ndërkombëtare. Kjo sjellje e tyre imiton atë që ata kanë dëgjuar nga partnerët ndërkombëtarë: sipërmarrja më e mirë është arsimimi i brezit që trashëgon pasurinë.

Shqipëria në dekada nuk e ka përqafuar këtë parim dhe sot zhvillimi ekonomik i vendit komandohet nga persona pa shkollë, ndërsa stafet e kompanive – publike apo private – kanë nevojë urgjente për mendje të mprehura në banka shkollash të mira. Universiteti shqiptar ka vuajtur po ashtu politika rrënuese – që kanë buruar nga njerëz, të cilët e përbuzin shkollën dhe ekspertizën profesionale.

Kur diskutuam me stafin tim mbi idenë e “Technopolis” – projektit tim më madhor për Elbasanin, në fakt po i përgjigjeshim një serie pyetjesh:

Çfarë mund t’i sjellë shkollat më të mira të botës në një qytet si Elbasani? Përgjigja është “një qendër e kërkim zhvillimit shkencor dhe industrial”. Kjo qendër R&D mund t’i shërbejë një tregu si ai i Europës Qëndrore, Lindore dhe Juglindore.

Po ashtu, Elbasani është për Shqipërinë simboli i shkollës. “Shkolla Normale” e hapur në Elbasan në 1909, pati si mësues figurat më të shquara të historisë së Kombit tonë. Ajo ishte simotra vërsnike e shkollës Normale të hapur në Paris, frymëzim dhe busull për programet dhe filozofinë e mësimdhënies.

Pse mund të krijohet një “Qendër e kërkim zhvillimit shkencor dhe industrial” në Elbasan? Sepse ne kemi histori industriale, kemi pasuri natyrore, kemi potencial të besueshëm zhvillimor dhe kosto më të përshtatshme për zbatimin e projekteve.

Për ta shpjeguar: Shqipëria prodhon 100% energji të gjelbër. Eshtë e natyrshme që të kërkimet për energji të gjelbër të vijojnë në një vend ku ka 476km bregdet, vendi i gjashtë më i pasur në Europë me ujra, Elbasani ka burime gjeotermale që mundësojnë një kërkim specifik ende në proces në shumë vende të botës, etj. Mendoni një industri të pellet-it të drurit, realizuar me humbjet pyjore (Shqipëria ka 2.2milion ton humbje pyjore në vit)  – dhe rrugët e rritjes së energjisë së pellet-it të drurit përmes nano-teknologjive.

Elbasani ka një pasuri minerare mahnitëse që nëse investohet mund të krijojë një industri krejt të re të përpunimit të metaleve, përfshi prodhimin e baterive të makinave elektrike. Tregu i makinave elektrike sipas Million Insights pritet të arrijë brenda vitit 2027 vlerën e 1.2 miliard USD, me një rritje 41.5% në vit. Elbasani ka hapësirat e duhura për kërkime mjekësore dhe mjedisore – të ndërlidhura me bimët medicinale, me mjaltin, kërkimet për zgjerimin e hartës së prodhimeve organike – dhe rehabilitimin mjedisor përmes mbjelljes së bimëve të veçanta…

Një Qendër e kërkim zhvillimit shkencor- industrial (R&D) mundëson zhvillimin e ideve të reja të patentuara, mbështetje për start-up-et në nivel teknologjik, etj.

Tani mendoni të përbashkoni në një kompleks të vetëm – në Elbasan – një shkollë si Instituti Teknologjik i Michigan-it nga SHBA, universitetet më të mira britanike, një rrjet europian shkollash të shkencave kompjuterike dhe programimit – me synim zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, laboratorët më të avancuar të kërkimit shkencor të mbështetur nga programet europiane si Horizon 2020, etj… Këto kontakte janë vendosur tashmë dhe duhet të zhvillohen në bashkëpunim me një qeveri që e do shkollën dhe e çmon arsimin.

Krejt ky proces i rindërtimit të ekonomisë në fakt fillon tek aftësimi i të rinjve për të trashëguar denjësisht atë që dimë, atë që është arritur dhe atë që kemi mësuar se e kemi bërë gabim. Këtë formim e jep vetëm një shkollë e strukturuar mirë, në përputhje me perspektivat sektoriale dhe nënsektoriale të çdo rajoni dhe në përgjigje të vizionit sipërmarrës të grupeve më aktive në treg.

Çdo qasje tjetër nuk garanton as mbrojtje të biznesit nga luhatjet e tregut, as rritje të ekonomisë mbi burime të sigurta natyrore dhe jo vetëm.

Jemi shumë të pasur për të qenë kaq të varfër! Ndryshimi fillon tek kjo vetëdije! Shkolla është nëna e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura