Universiteti Luarasi
Panorama Sport
Home » Ekonomi » “Femrat në Shqipëri paguhen 35% më pak se meshkujt”

“Femrat në Shqipëri paguhen 35% më pak se meshkujt”

Çfarëdo kualifikimi apo eksperiencë pune të ketë një femër, për të njëjtin pozicion pune, një mashkull do të marrë një rrogë më të lartë. Edhe pse nuk ndodh gjithmonë kështu, pasi ka përjashtime, në përgjithësi ky është fenomen që haset shpesh dhe kudo në botë. Nismat për barazinë gjinore, pavarësisht arritjeve që mund të kenë pasur në kuadër të integrimit të femrave në jetën sociale, ekonomike, politike të një vendi, duket se nuk kanë arritur ende të mbysin paragjykimin në kahun e pagave. Raporti i Bankës Botërore, i publikuar këto ditë nën titullin “Mundësitë për femrat dhe meshkujt në Europën në Zhvillim dhe në Azinë Qendrore”, del në përfundimin se femrat në Shqipëri marrin një pagë mesatarisht 35 për qind më ulët sesa meshkujt. Në fakt, Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka një diferencë të tillë në pagesë mes gjinive. “Ballkani Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë, ka një diferencë të pagës mes gjinive në nivelin 20 për qind, çka e vendos atë në një pozicion të njëjtë apo më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka vende që kanë diferenca ndër më të mëdhatë në botë, siç është Taxhikistani me 65 për qind, ndërkohë që Shqipëria dhe Rusia janë në nivelin 35 për qind”, thuhet në raport. Raporti vëren se është punuar në kah të shkollimit të femrave dhe pothuajse gjysma e degëve që janë shkencore dhe teknologjike në universitete po ndiqen nga femrat, çka është një tregues i mirë, por diferencat në pagesa janë të dukshme, pavarësisht kualifikimeve. Ndërkohë, e njëjta situatë është edhe te punësimi part-time, madje në punët që janë të kësaj natyre përgjithësisht preferohen femra. “Femrat në Shqipëri punojnë part-time më shumë në nivelin 65 për qind, kurse meshkujt punojnë 35 për qind part-time”, vlerëson raporti. Lidhur me punësimin e përgjithshëm, Shqipëria sërish shfaqet ndryshe krahasuar me vendet e tjera. Kështu, sipas raportit, në shumicën e vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore sektori i shërbimeve është ai që punëson më shumë njerëz sesa sektori bujqësor dhe industrial i kombinuar. “Ka diferenca mes vendeve dhe rajoneve sa i përket punësimit në bujqësi. Për shembull, mbi 50 për qind e totalit të të punësuarve janë aktivë në sektorin bujqësor në vende të tilla me të ardhura mesatare si Shqipëria dhe Gjeorgjia, ndërkohë që në Rusi janë vetëm 10 për qind”, thuhet në raport.
Informaliteti
E njëjta situatë e diferencimeve mes femrave dhe meshkujve ekziston jo vetëm në pjesën formale të ekonomisë, por edhe në atë informale. Studimi i Bankës Botërore tregon se femrat, ashtu si dhe meshkujt, në Shqipëri janë të ekspozuar ndaj punës informale. Gjithsesi, si në sektorin informal, si në atë formal, meshkujt fitojnë më shumë. Hendeku i pagave mes femrave dhe meshkujve vihet re në sektorin formal, pasi verifikohet lehtësisht, por në Shqipëri ky hendek më i madh është te sektori informal. Pavarësisht kësaj situate për të gjetur një punë, sot në sektorin informal është më e lehtë për femrat sesa për meshkujt, dhe kjo vlen edhe për punësimin në sektorin formal. Punësimi në masë i femrave në sektorin informal sipas raportit të Bankës mund të tingëllojë edhe si një zgjedhje e tyre individuale, por pavarësisht kësaj, rezultatet e diferencave në pagesë janë të konfirmuara. Negativja e kësaj është që këto gra nuk mund të përfitojnë nga leja e lindjes. Legjislacioni shqiptar, sikurse vlerëson dhe raporti, në një farë mënyre bën një trajtim të drejtë të femrave që bëhen nëna, të cilat nëse kanë qenë të punësuara në sektorin formal u garanton një seri lehtësish dhe kohëzgjatje të mjaftueshme leje.

35 per qind
më pak se meshkujt paguhen femrat në Shqipëri sa i përket diferencës në paga, vlerëson raporti i Bankës Botërore për mundësitë në treg në Europë dhe Azi.

65 per qind
e punësimit informal në Shqipëri përbëhet nga femrat, ndërkohë që meshkujt janë më pak të punësuar në të zezë, me vetëm 35 për qind, sipas raportit të Bankës Botërore.

20 per qind
më pak se meshkujt paguhen femrat në një mesatare në Ballkanin Perëndimor. Kjo diferencë e nxjerr këtë rajon më mirë sesa vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pronësia e femrave mbi bizneset
Në Shqipëri ka shumë pak femra biznesmene apo që kanë në pronësi të tyre një aktivitet privat. Raporti i Bankës Botërore thekson se në Europë gjen kontraste të theksuara në këtë spektër. “Sa i përket pronësisë së femrave mbi biznese, niveli më i lartë për Europën dhe Azinë Qendrore shënohet në Bjellorusi, Republikën e Krirkizit dhe Moldavi me 50-60 për qind të femrave biznesmene, kurse vendet me nivelet më të ulëta të pronësisë së femrave në biznes janë Shqipëria, Azerbajxhani dhe Kosova (11 për qind)”.

Paga minimale arriti 20 mijë lekë
BSH: Pagat, bizneset “do detyrohen” t’i rrisin
Rritja e pagës minimale me shumë mundësi do të detyrojë bizneset që të rishikojnë edhe pagat e tjera në kahun rritës të tyre. Banka e Shqipërisë nga vrojtimet e saj sheh se bizneset kanë vlerësuar pozitivisht ecurinë e pagave. “Të dhënat për tremujorin e tretë tregojnë rritje në pagën minimale të miratuar në vlerën 20 000 lekë. Ky tregues sugjeron për një rritje të mundshme në nivelin e pagave në ekonomi. Për më tepër, në vrojtimet e besimit të bizneseve, ecuria e pagave u vlerësua në rritje në të gjithë sektorët e ekonomisë për tremujorin e tretë, duke konfirmuar këtë tendencë të sinjalizuar të pagave, nga tregues të tërthortë”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Në raport merret si referencë edhe ecuria pozitive e pagave në tremujorët e mëparshëm të vitit në një sërë sektorësh, si në atë të prodhimit, ashtu edhe në atë të shërbimeve. “Në nivel sektorial, paga mesatare u rrit, si në sektorin prodhues, ashtu edhe në atë të shërbimeve me përkatësisht 5.5% dhe 13.9%. Paga mesatare reale shënoi norma rritjeje vjetore më të ulëta në krahasim me ato të pagës nominale në këta sektorë, përkatësisht me 1.7% dhe 9.8%, për shkak të inflacionit. Nga ana tjetër, kostot e punës për njësi prodhimi ndoqën një tendencë vjetore rënëse”, thekson raporti. Përgjithësisht, situata në biznese përgjatë këtij viti është shfaqur më pozitive dhe besimi i tyre në ekonomi ka ardhur duke u përmirësuar, sidomos për disa sektorë që janë shfaqur problematikë për një kohë të gjatë(ndërtimi). Besimi i biznesit për përmirësim apo të paktën për qëndrueshmëri dhe jo përkeqësim, në një farë mënyre jep sinjale pozitive edhe për ecurinë e pagave. Rritja e kufirit të pagës minimale duket se është një stimul i mirë për ecurinë e pagave sipas BSH-së, e cila vlerësonte se për këtë do të ndikojë edhe shkalla e informalitetit. “Duke marrë parasysh nivelin e lartë të informalitetit në deklarimin e pagave nga ana e bizneseve, vlerësohet se rritja e pagës minimale do të detyrojë bizneset të rrisin nivelin e pagave, gjë që do të sjellë rritje në nivelin e përgjithshëm të pagave në ekonomi”, thuhet në raport.

Rroga mesatare në shtet, e pandryshuar
Banka e Shqipërisë gjykon se paga mesatare në shtet nuk pësoi asnjë ndryshim dhe mbeti 45.5 mijë lekë, sikurse ishte. Në fakt, banka thekson se nuk ka pasur informacion të plotë mbi zhvillimet dhe se gjykimi për ecurinë është bërë bazuar në të dhëna të pjesshme. “Të dhënat e fundit të disponueshme të tremujorit të dytë dëshmojnë se paga mesatare në sektorin shtetëror ka mbetur e pandryshuar, në krahasim me tremujorin e kaluar (në nivelin e 45.500 lekë). Ajo ka shënuar rritje vjetore me 6.3%, e cila është 2 pikë përqindjeje më e ulët se rritja e regjistruar në tremujorin e kaluar”, thuhet në raportin e BSH-së. Ndërkohë rritja në terma realë e pagave në sektorin shtetëror ka qenë 2.6 për qind nga 3.8 për qind që ishte një tremujor më parë. Edhe për shtetin paga minimale e miratuar është 20 mijë lekë.

Paga mesatare, 246 euro
Instituti i Vjenës, i cili vit pas vitit bën vlerësime për ecurinë e pagës mesatare në Shqipëri, publikoi gjatë këtij viti edhe rezultatin e studimit të tij për pagën mesatare të shqiptarëve përgjatë vitit 2010. Kjo pagë vitin e kaluar arriti 246 euro me një ndryshim vetëm me katër euro, krahasuar me një vit më parë, kur paga ishte 242 euro. Shqipëria, krahasuar me rajonin, paraqitet me një pagë mesatare relativisht të ulët, nëse u referohemi niveleve që publikon Instituti i Vjenës, kur vende të tilla si Kroacia, Sllovenia, apo Serbia kanë paga mesatare mjaft të larta. Ajo që në fakt ka vlerësuar pozitivisht Instituti i Vjenës ka qenë tendenca rritëse e pagës mesatare, kur në vendet e tjera tendenca nga viti 2009 ka qenë në ulje për një pjesë të mirë të vendeve, dhe kjo ka ndodhur për shkak të presionit të post-krizës globale.

NERTILA MAHO

Me shume nga kjo kategori:

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Online. Moderatori

Beni nje Koment


Sondazh

Presidenti i ri duhet të jetë një person që merret me politikë, apo jashtë saj?

Shikoni rezultatet

Loading ... Loading ...




Gazeta Panorama ne PDF nepermjet Shtypi.al

Erjoni Ndertim

ARKIVA

Maj 2012
Hën Mar Mër Enj Pre Sht Die
« Pri    
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

© 2012 Panorama ONLINE. All Rights Reserved.   Powered by: ikoncept