“Eja të të shoqëroj”/ Polici që ngacmoi seksualisht të miturën lihet në burg

May 7, 2021 | 13:34
SHPËRNDAJE

Gjykata e Lezhës ka caktuar masen e sigurise “arrest në burg” per efektivin e policisë Kol Kola, i cili u arrestua të marten, sepse akuzohet të ketë ngacmuar e tentuar të kryejë marredhenie seksuale me një vajzë të mitur 13-vjecare.

I arrestuari ishte me detyrë ndihmës-specialist i policimit në komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë. Ndërsa arrestimi i tij është kryer për veprën penale “Ngacmim seksual”.

Burimet thanë se ndalimi i 62-vjeçarit u krye pasi dyshohet se në datë 29 prill 2021 ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur të moshës 13-vjeçare, nxënëse në një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit të Lezhës.

HETIMI

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se punonjësi i Policisë Kol Kola ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim.

Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale. Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila u largua me forcë nga banesa dhe menjëherë ka bërë kallëzim, duke rrëfyer atë çfarë i kishte ndodhur.

Nisur nga kallëzimi i së miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se efektivi i Policisë Kol Kola ka konsumuar elemente të veprës penale “Ngacmim seksual”.

Në lidhje me rastin po vazhdojnë hetimet nga Prokuroria e Lezhës për dokumentimin e plotë të asaj çfarë ka ndodhur. Kol Kola është pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit prej shumë vitesh, duke shërbyer në disa zona të qarkut të Lezhës.

kol kola

SHÇBA

Në njoftimin zyrtar, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat tha se ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, në ngarkim të një punonjësi policie, me detyrë ndihmës-specialist i policimit në komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, për veprën penale “Ngacmim seksual”. “Ndalimi i 62-vjeçarit u krye pasi dyshohet se në datë 29 prill 2021 ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur. Nisur nga kallëzimi i së miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se shtetasi K. K. ka konsumuar elemente të veprës penale ‘Ngacmim seksual’. Hetimet vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti. SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90 dhe duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor”, thuhet zyrtarisht nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura