Eir Plasari shkruan për Hemingway-n, fluturën dhe tankun: Pse po refuzojmë të ndërtojmë atë që mund të ishim?!

Sep 30, 2018 | 13:17
SHPËRNDAJE

U bë kohë që përpiqem të gjej domethënien e një shprehjeje të Michel Foucault-së: “Ndoshta në ditët tona, objektivi ynë kryesor nuk është zbulimi i asaj çfarë jemi,- shkruante ai,- por të refuzuarit e asaj që jemi. Duhet të përfytyrojmë dhe të ndërtojmë atë që do të mund të ishim”.

eir-e1537631665947Eir Plasari

Foucault më bëri të mendohem mbi fjalët e tij. I kujtoja këto fjalë gjatë muajve të fundit. Për faj të tij kisha pamjen e një njeriu që ka humbur çelësat e shtëpisë ose celularin. Të tilla fjali përbëjnë një rebus të vërtetë, sepse mund të kenë shumë interpretime. Më ndodhte që gjatë ditës të ndaloja së punuari e t’i kthehesha asaj me vëmendje. Përgjigjen do ta gjeja, krejt rastësisht, te tregimet e Hemingway-it.

Jo te vëllimi i famshëm me 49 tregime, ndoshta ai më i lexuari, por te tregimet e tjera. Tek ato që shkroi mbas 1937-s. Tek i lexoja ato tregime, zbulova një tjetër Hemingway. Në ato faqe libri, ai mohonte shkrimtarin që qe për t’u bërë shkrimtari që mund të ishte, atë Hemingway-n që lexuesi e do aq shumë. Sesi ia doli ta bënte këtë akrobaci dhe të shkruante tregime me 4 faqe të vetme e prapë krejt autonome, të bukura, si të ishin romane me 20 kapituj, unë dhe shumë të tjerë si unë nuk arrijnë ta shpjegojnë edhe sot.

Ai ishte njeriu që shpiku “short skories”, zhduku tepricat e detajet, “dhjamin” e tepërt. Shkrimtari që arriti të mposhtë mitin e romanit; një mit, të cilin përpara tij askush nuk po kujtohej ta vinte në diskutim. Tregimi që më bëri më shumë përshtypje në librin e tij është “Flutura dhe tanku”, ku në 10 faqe gjithsej, Hemingway bën atë që të tjerë nuk arrijnë dot të bëjnë as në 600.

Ngjarja zhvillohet në Madrid, në vitin 1938: në Spanjë kishte kohë që kishte shpërthyer lufta civile. Në qytet, ushtarët dhe civilët përpiqeshin të bashkëjetonin edhe pse situata ishte mjaft e turbullt dhe e tensionuar. Personazhi i tregimit- alterego i Hemingwayit në rolin e reporterit të luftës- vendos në një mbrëmje çfarëdo të shkojë për të pirë një gotë te ‘Bar Chicote’. Mbasi pi një gotë xhin dhe angostura e shkëmben ca fjalë me klientët e pranishëm në lokal, fillon ngjarja e vërtetë.

Befas, një spanjoll civil kryen një gjest të pashpjegueshëm: me një pistoletë uji në dorë ai i drejtohet njërit prej kamerierëve të lokalit, i cili mban në dorë një tabaka me pije dhe e spërkat. Më pas fillon e qesh. Situata bëhet groteske pasi edhe njerëzit e tjerë në lokal-civilë e ushtarë së bashkuqeshin me të madhe. Por reagimi i kamerierit nuk është aspak pozitiv. ‘No hay derecho!,- proteston ai në spanjisht: pra ‘nuk ke të drejtë të ma bësh këtë!’ Kamerieri ndihet i fyer.

Por kjo nuk e ndal spanjollin me pistoletën lodër, ai vazhdon të spërkasë dy kamerierë të tjerë. Edhe ata protestojnë në të njëjtën mënyrë, duke thënë ‘No hay derecho!’. Mbasi shuhen të qeshurat në lokal, ajo shaka kafeneje nis e degjeneron. Njëri prej kamerierëve e nxjerr përjashta spanjollin dhe e godet në fytyrë. Ashtu me fytyrën e përgjakur, ai hyn përsëri në lokal. Në atë moment, gjashtë burra i sulen. Dikush nxjerr pistoletën, një pistoletë prej së vërteti, dhe e godet djalin drejt e në kraharor. Ai bie përtokë i vdekur. Shakaja është kthyer tashmë në dramë.

Në lokal bie heshtja. Njerëzit duan të ikin, të largohen sa më shpejt, por nuk u lejohet: askush nuk mund të dalë pa ardhur Seguridad-i, pra, policia. Të gjithë qëndrojnë brenda bar Chicote-s derisa policia mbërrin e fillon së kontrolluari dokumentet. Policët nuhasin 40 pistoletat prezente në lokal për të gjetur me të nxehtën, pra, pistoletën që kishte qëlluar e fundit. Kontrollet e policisë mbarojnë në orën dy të mëngjesit. I vdekuri, me emrin Pedro, ishte zdrukthëtar. Kur e shoqja e sheh në dysheme, të vdekur hidhet mbi të, duke klithur: ‘Pedro, çfarë të kanë bërë kështu?’. Njerëzit përreth, në mënyrë cinike, e pagëzojnë të vdekurin me emrin “i vdekuri, mbret i spërkatjes”.

Çuditërisht, policët zbulojnë se në pistoletën e Pedros nuk kishte ujë, por kolonjë. Shakaja e tij kishte qenë thjesht një gjest i gëzueshëm. Në gëzim e sipër kishte filluar t’iu hidhte njerëzve kolonjë. Në ato çaste delikate hyn në skenë pronari i lokalit ‘Chicote’. Edhe sipas tij, Pedro nuk donte të fyente njeri. Dëshironte që të gjithë t’ia kalonin bukur; pra, ishte hareja e pija që e bënin të vepronte ashtu.

Duhet të shkonte në një dasmë, kishte pirë pak e më pas kishte hedhur kolonjën te pistoleta lodër në vend të ujit. Me atë harenë e tij të pafajshme, spërkaste njerëzit me ujë kolonje si të qe një lojë fëminore. Pistoleta e ujit e sekuestruar nga policia i kthehet familjes së Pedros. ‘Sepse, në fakt, ajo mund t’i hyjë në punë, herët ose vonë, familjes së tij’,- komenti ironik i pronarit të lokalit. Personazhi kryesor i tregimit vazhdon ende të dëgjojë zërin e gruas së Pedros tek thotë: ‘Pedro, ç’të kanë bërë kështu? Kush ta bëri këtë, Pedro?’. Sipas logjikës së tij prej spanjolli, pronari i lokalit e quan diçka të rrallë harenë e Pedros. ‘Ajo hare hyri në kontakt me seriozitetin e luftës si një flutur. Një flutur që takon një tank ushtrie’.

Ajo hare e keqkuptuar u ndesh me seriozitetin e tmerrshëm të kohës. Tregimi mbaron me skenën, gjatë së cilës personazhi kryesor porosit një xhin tonik teksa vështron xhamat e lokalit të mbuluara nga thasë rëre dhe dëgjon për të disatën herë zërin e vuajtur të gruas së Pedros: ‘Pedro, kush ta bëri këtë, Pedro?’ ‘Nuk mund t’ia shpjegonte asaj se kush e kishte bërë, askush nuk mund t’ia shpjegonte, as vetë policia, edhe sikur t’ia thoshin emrin e vrasësit…’, – shkruan Hemingëay.

Tek lexoj këtë tregim, më lind një ide: përfytyroni për një çast sikur kjo botë prej çimentoje të kthehej në një botë prej mëndafshi. Ku në vend të lotëve dhe të gjakut të kishim harenë e Pedros dhe aromën e kolonjës së tij nëpër rroba. Ky tregim është më aktual se kurrë. Pavarësisht luftërave, tanket janë ende kudo, në familje, në punë, nëpër institucione, brenda vetes. Kundër tankeve luftohet vetëm duke qeshur, duke mos e marrë veten shumë seriozisht.

Po sikur të ishim si flutura e Hemingway-it e t’i linim tanket të ndryshken në harresë bashkë me forcën e tyre shkatërruese? Shprehja e Foucault tani më duket më e qartë: duke mohuar atë që jemi e duke mos qenë kaq të “kopsitur”, i lejojmë vetes të bëhemi flutura e të kalojmë të njëjtat metamorfoza si ato. Me këtë akt mohimi i japim vetes mundësinë për të ndryshuar; duke mohuar atë “tankun” që jemi, i japim vetes mundësinë të bëhemi njeriu që mund të ishim. E ku i dihet, ndoshta ky njeri “rishtar” do të ketë me të vërtetë shpirt më të butë, më të mirë dhe pse jo, aromë kolonje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura