Efekti surprizë i qeverisë nuk është plan që të qetëson

Mar 10, 2020 | 11:10
SHPËRNDAJE

Besart-kadia

BESART KADIA

Shtetet serioze dhe institucionale bëjnë publike planet e tyre për menaxhimin e situatave emergjente përpara se ato të ndodhin.

Në këtë rast, në qoftë se bie tërmet, në rast se ka përmbytje, në rast se ka një virus vdekjeprurës mes nesh, qeveritë kanë planet e publikuara përpara se ato të ndodhin. Tërmeti i 26 nëntorit ishte rasti i parë i ekspozimit të papërgatitjes paraprake të qeverisë shqiptare për një emergjencë të tillë. Ditët e para askush nuk e dinte kush ishte në krye të emergjencës civile, çfarë numri duhet të merrnin në telefon, ku duheshin dërguar ndihmat, kush ishte autoriteti final që informonte etj. Por vetëm me kalimin e kohës u ngritën shtabet dhe u krijuan institucionet e reja të menaxhimit të situatës.

Kështu në vendime të shpejta dhe jo të qarta po veprohet dhe në rastin e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri. Pas konfirmimit të rastit të parë të dielën në darkë, qytetarët u zgjuan me vendimet e qeverisë të hënën në mëngjes për të anuluar çdo festë apo mbledhje publike, për të pezulluar shkollat për dy javë, për të mbyllur konviktet etj. Ky vendim, në vend që ta qetësonte publikun, ka përhapur më shumë panik dhe paqartësi. Kjo vërtetohet me pamjet nga supermarketet e vendit, të cilat janë “pushtuar” nga klientë që duan rezerva për ditë të tëra, duke çuar në mungesë ushqimesh e produktesh, që nuk ishin planifikuar për këtë kërkesë të pazakontë. Kjo sjellje paniku ka shqetësuar edhe zv.kryeministrin Braçe, që në një status në “Facebook” i ka bërë thirrje popullit “të mos vrapojnë të blejnë makarona e salsiçe se aty do të jenë”. “Po aty do të jenë, po ku i dihet”, është instinkti i gjithsecilit prej nesh në këtë panik të ditës që vjen nga konfirmimi i rastit të parë të koronavirusit në vend.

Vendet e tjera ballkanike nuk kanë ndërmarrë masa të ngjashme si tonat kaq shpejt, që të bën të pyesësh nëse vendimi i qeverisë është i duhur apo jo. Për shembull, Greqia ka mbyllur vetëm më datë 6 mars shkollat dhe mbledhjet publike për dy ditë, pasi rastet e virusit u rritën me 21 brenda ditës. Nga ana tjetër, Maqedonia megjithëse ka katër raste të identifikuara dhe ka që më datë 26 shkurt me rastin e parë të konfirmuar, sërish nuk ka vendosur të mbyllen shkollat. Po e njëjta situatë është dhe në Kroaci apo Bullgari. Megjithatë, duke parë rastin e Italisë dhe Kinës, është mirë të veprohet shpejt sesa vonë. Por nga ana tjetër, jo të gjitha shoqëritë janë të njëjta e për rrjedhojë, jo gjithmonë virusi hapet në të njëjtin intensitet. Kështu, Milano e veriu i Italisë mbeten vende tërheqëse për miliona turistë e biznesmenë ndërkombëtarë, të cilët kanë ndërveprim të shpeshtë me popullatën vendëse. Gjasat janë që në një shoqëri të madhe e me shkëmbime të shumta ekonomike, virusi të përhapet dhe më shpejt. Por në Shqipëri virusi është i importuar dhe lëvizjet në shoqëri janë më të pakta. Ndaj, duket e paqartë nëse me të vërtetë mbyllja e shkollave dhe pezullimi i jetës normale do të minimizojë përhapjen e virusit më tej.

Kuptohet që në test nuk është vetëm ekonomia e vendit apo shëndeti i publikut. Në fakt, shumë mendojnë se përhapja e virusit po vendos në test dhe politikën e një vendi. Akoma dhe sot nuk dihet në rast se këto masa të ndërmarra në Shqipëri janë pjesë e një plani të paramenduar apo masa të shpejta politike për të hequr përgjegjësinë nga vetja të qeverisë. Dilema është e qartë: nuk marrim masa ekstreme dhe sëmundja përhapet, publiku do thotë përse s’u morën masa; merr masa ekstreme dhe sëmundja nuk përhapet, publiku thotë mirë e bëri etj. Të gjitha mundësitë janë në tavolinë dhe pa dyshim që vendimi nuk është i lehtë.

Por mënyra si është ekzekutuar krijon më shumë konfuzion dhe nuk qetëson publikun, duke bërë të mendosh që vendimi i sotshëm i qeverisë dhe i Bashkisë Tiranë, më tepër duket si një aksion politik sesa një aksion i mirëfilltë shtetar. Në rast se lexon planin e qeverisë angleze, vihet re se masat që do të ndërmerren janë transparente dhe publike për këdo për t’i parë. Këto kanë qenë të afishuara dy muaj më parë dhe kushdo në shoqëri ishte i qartë për planin dhe arsyen përse do të ndërmerren masa ekstreme ose jo. Kështu, aty thuhet shprehimisht se menaxhimi i virusit do të kalojë në katër hapa kryesore: ” i. ta kufizosh sëmundjen duke ndjekur çdo rast nga afër ii. ta ngadalësosh përhapjen e sëmundjes deri sa të vijë vera, duke marrë masa në uljen e mbledhjeve publike iii. Kërkimi shkencor iv. Lehtësim i personave të prekur duke rritur fondet dhe personelin për sëmundjen. Raporti është i detajuar dhe masat publike të ndërmarra deri sot janë deri-diku në linjë me këtë plan të parapublikuar. Për këtë arsye, teksa komunikohen vendimet, publiku nuk vrapon për të blerë ushqime për rezerva apo për t’u larguar nga qyteti që ditën e parë, siç po ndodh në Shqipëri. Në Mbretërinë e Bashkuar ka tashmë 321 raste të konfirmuara dhe 4 raste fatale, por sërish s’është marrë vendimi për mbylljen e shkollave apo universiteteve.

Përtej këtij konfuzioni të krijuar në shoqëri, është për t’u vlerësuar vendimi për mosmbylljen e kufijve në Shqipëri. Sipas një raporti të qeverisë angleze dhe në rast se mbyllen krejtësisht kufijtë, sërish virusi do të prekë vendin… Ndaj dhe vendimi i qeverisë për të lejuar lëvizjen e lirë, përveçse zonave të kuqe, është racionale në këto kohëra joracionale. Tregjet botërore janë në panik total, ku nafta ra me 20$ brenda ditës dje. Po ashtu, shoqëri të ndryshme po sillen në forma të ndryshme paniku e jo paniku.

Le të shpresojmë! Por qeveria do të ketë barrë të rëndë për të menaxhuar njëkohësisht dhe pasojat e tërmetit dhe frikën e përhapur të virusit në vend. Ndaj, transparenca dhe publikimi i mëparshëm i masave do të ishte më i përshtatshëm sesa vendimi i menjëhershëm surprizë i qeverisë, pasi ky nuk është plan dhe ndaj nuk të qetëson. Por nuk është vonë! Masat dhe skenarët e mundshëm duhet të bëhen publikë, pasi virusi me gjasa do të përhapet më tej dhe të gjitha mundësitë duan nga një përgjigje paraprake e asgjë rastësore. Zoti e bekoftë Shqipërinë nuk është politike!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura