Efektet e pandemisë/ Sejko: Ja skenari bazë për ekonominë.Qëllimi i BSH-së, të lehtësojë…

Sep 29, 2020 | 11:29
SHPËRNDAJE

Rënia e kërkesës, vështirësitë në qarkullimin e brendshëm e të jashtëm të mallrave dhe njerëzve, si dhe rritja e pasigurisë, shkaktuar nga pandemia COVID-19 kanë sjellë përveçse rritje të papunësisë e zgjerim të borxhit të huaj publik në vend, edhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet.

sejko

Përballimi i goditjes, sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka diktuar një reagim të gjithanshëm të autoriteteve publike, në drejtim të rritjes së stimulit fiskal, monetar e financiar. Impakti i pandemisë Covid-19 në ekonomi ka qenë edhe kryefjala e diskutimeve me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

MASAT

Politika e ndjekur nga Banka e Shqipërisë përgjatë këtyre muajve ka dhënë rezultat. Në takimin e djeshëm, Sejko prezantoi edhe disa nga hapat e ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, përfshirë edhe vendimin për shtyrjen me disa muaj të kësteve të kredisë nga ana e qytetarëve. Qëllimi i nismave, sipas Sejkos, ka qenë së pari të lehtësojnë koston financiare të goditjes për bizneset dhe familjet shqiptare, duke shmangur falimentimet masive dhe rritjen e fortë të papunësisë dhe, së dyti, të ruajnë ekuilibrat monetarë dhe financiarë të vendit.

“Në fushën e politikës monetare, ne kemi ulur normën bazë të interesit dhe i kemi ofruar sektorit bankar sasi të pakufizuara likuiditeti, në interes të funksionimit normal të tregjeve të parasë dhe të uljes së kostos së financimit për të gjithë agjentët ekonomikë; Në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar, ne: kemi prezantuar stimuj rregullatorë, për të nxitur shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për klientët në vështirësi të përkohshme dhe ristrukturimin e kredive për klientët në vështirësi më afatgjata; Në fushën e sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë ka marrë masa për uljen e kostos së pagesave elektronike. Së fundi, Banka e Shqipërisë ka rritur kapacitetet e saj operacionale për garantimin e furnizimit të ekonomisë me para fizike (kesh). Në gjykimin tonë, masat e marra kanë rezultuar efektive”, theksoi Guvernatori në deklaratën e mbajtur dje mbi përfundimin e vizitës së Misionit të FMN-së.

EKONOMIA

Lidhur me ecurinë ekonomike, Sejko tha se në skenarin bazë, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të fortë gjatë vitit 2020.

“Në pasqyrim të intensitetit të masave të distancimit social, rënia ekonomike pritet të kulmojë në tremujorin e dytë dhe të vijojë gradualisht drejt zbehjes gjatë dy tremujorëve në vijim. Më tej, në supozimin e një ecurie të favorshme epidemiologjike, ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje dhe të rikuperojë vëllimin e humbur të aktivitetit ekonomik gjatë dy viteve në vijim. Kjo ecuri do të mundësojë dhe rikthimin gradual të inflacionit në objektiv”

. Përmbushja e këtij skenari, sipas Guvernatorit, nënkupton vijimin e politikës së akomodimit monetar edhe gjatë vitit në vazhdim, tërheqjen graduale të stimulit fiskal dhe rikthimin e fokusit rregullator në garantimin e shëndetit afatgjatë të sektorit bankar. Por, megjithatë, mbetet i pranishëm rreziku për përkeqësim të situatës, sa prej pandemisë, aq edhe prej dobësimit të mëtejshëm të situatës ekonomike apo dhe nga rritja e pasigurisë në ambientin e brendshëm dhe të huaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura