“Efektet e pandemisë ishin të padiskutueshme”/ Zv.ministri i Financave nxjerr të dhënat: Ja sa biznese u mbyllën dhe sa të reja u hapën në 2020-ën

Jan 19, 2021 | 15:17
SHPËRNDAJE

pjimage (2)

Zv/ministri i Financave, Besart Kadia, ka publikuar disa të dhëna për vitin e vështirë 2020, për shkak të tërmetit dhe pandemisë nga koronavirusi.

Në një postim në rrjetet sociale, Kadia, teksa nënvizon se pasojat e pandemisë në ekonomi gjatë vitit që lamë pas ishin të padiskutueshme, thotë se nga të dhënat e bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin, apo e kanë pezulluar, e atyre që kanë hapur një biznes të ri, totali “është +203 biznese krahasuar me 2019”.

Pra në një vit të vështirë si 2020, Kadia thotë se kanë ushtruar aktivitetin e tyre, 203 biznese më shumë se në vitin 2019.

POSTIMI I PLOTE

Gjatë vitit 2020 pandemia dhe pasojat negative të saj në ekonomi ishin të padiskutueshme. Debati mes gjithë ekonomistëve ishte si të minimizoheshin pasojat negative në biznese dhe mbajtja e konsumit familjar në nivele optimale dhe dhënia e shpresës post-covid.

Së fundmi të dhënat e QKB përsa i përket vitit 2020 japin një skaner të asaj se çfarë ndodhi gjatë atij viti të paprecedentë.

Në total në vitin 2020 u regjistruan 13.964 biznese të reja (1.815 më pak se në 2019). Por ndërkohë u çregjistruan 4.887 biznese (695 më pak se 2019).

Ndërkohë 7.687 biznese kaluan nga aktiv në pezulluar (2.632 më pak se në 2019).

Në total efekti neto (regjistrim+aktivizim – çregjistrim – kalim në pezullim) është +203 biznese krahasuar me 2019.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura