Edukatori i Opozitës

Nov 20, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Edi Rama, Kryeministri ynë i ndjeshëm, lëndohet sa hap e mbyll sytë nga akuzat. Ai u ka shpallur betejë stresit dhe shqetësimeve që i kanë zënë derën. I përvëluar së tepërmi për paqe, mejtim, bunacë e rezultate, do t’i shkonin shumë vargjet e një poeti “malok”, i cili thotë “mjegulla nga bjeshka ulet kadalë/ e pikat e shiut po bijn mbi lum/ në qiellin e vranët lëviz një hale / shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjumë”.

Veç, dashurisë dhe qetësisë trazovaçe të Ilir Metës, të cilave u gëzohet sa duhisë së një tërmeti janë akuzat e opozitës për atë vetë, për ministrat e tij “karasevdallinj”, për spërkatjen me favore myshterinjve të pushtetit, të cilat ia kanë bërë durimin shoshë dhe vrimave të saj po rrasen lloj-lloj idesh doktrinare.

Në çereklartësinë e Surrelit duket se vetëm dy sosh zunë kryet e vendit, dy ide si kompozita të një ligji kundër shpifjes. E para duhej të bënte zap gazetarët dhe e dyta politikanët. Pas një kundërshtie të pazakontë, mbresëlënëse e dinjitoze të mediave, njerëzve që punojnë në to, emrave të spikatur, shoqatave të gazetarëve, opozitës politike, organizatave ndërkombëtare përfshi edhe Komisionin Europian, të cilët nuk ishin të gatshëm të lejonin ngushtimin e hapë- sirave të lirisë së fituar apo të pranonin ta legjitimonin si akt, Kryeministri u tërhoq pjesërisht zemërthyer.

Ai bëri një prapaktheu të beftë, duke lënë shijen e pjekjes së gënjeshtrave në hell. U përbetua në Facebook e Twitter, pak më ngadalë para ndonjë mikrofoni, se ishte një keqkuptim që i ka shkaktuar maraz e vuajtje bash atij që ka hequr të zitë e ullirit për fjalën e lirë. Madje, njëfarësoj kërkoi edhe falje e keq nuk bëri. Dikush u përlot nga mallëngjimi.

Ndokush gati sa nuk doli në shesh me shishe shampanje për të festuar Edin iluminist, Edin socialist, Edin europianist, brishtësinë, dlirësinë, tolerancën dhe elegancën a thua se ideja ishte e jona dhe jo e tij, a thua se u tërhoq nga reflektimi personal apo vrasja e ndërgjegjes dhe jo nga presioni i kryqëzuar i një shoqërie të gjunjëzuar që ndjeu rrezik jetik?!!! Kjo zbythje gjysmake u shoqërua me premtimin se shpejt do të kthehet bashkë me ndëshkimin, me vetë qametin për të ndalur rrëmujën dhe rrëmetin. Kësaj here uturima është vetëm për politikanët që “shpifin” pasi gazetarët u “falën”.

Premtim i përzishëm, i dhunshëm dhe antidemokratik sa nuk bëhet. Maduro, trashëgimtari besnik i Cavez-it, nuk është çudi ta shohë Edin tonë si fanar ndriçues, si një yll drite që ka bota, ku sot ligji i tij si çekan u rri gjithë armiqve te koka. Kush do të ishin politikanët që shpifin ndaj Kryeministrit? Lindita dhe Elisa meazallah, jo as në ëndrrën më të fandaksur!

Arben Ahmetaj jo e gjithmonë jo, mallkuar qoftë ajo ditë! Milena Harito dhe Niko Peleshi marshallah mendjen tëpkë jo e jo! Iliri dhe Damjani, edhe sikur t’ua bëjnë mishin copë as që bëhet llaf! Mimi Kodheli dhe Bledi Çuçi e presin gjuhën me dorën e vet para se fjalë e keqe t’u dalë nga goja që aferim u qoftë! Ben Blushi ishallah ka mbledhur krejt nektarin e zemërimit socialist! Ai e ka hequr traun e doganës pa ia lëshon me të dalë dielli batare kritikash më të rënda se shpifjet, por tashmë ai shihet si hasëm opozitar që ca muaj riedukim nuk do t’i bënin keq. Bekuar qoftë ligji.

Manjani që njihet si rrabanak gojëqeder tani vron mbrothësinë e karriges dhe humorin e stabilizuar e të pudrosur të Metës, kështu që fjalët e rënda, “më të rënda se plumbi”, vijnë nga opozita, ndaj ajo duhet edukuar sa nuk është vonë. Ajo nuk “paguhet me taksat e popullit për të shpifur”, por për t’i shërbyer atij -ishte kumti që dha ministresha që lidh Kuvendin me qeverinë, padijen tonë me diturinë. Ligji në inkubator do të bëhet gati për Opozitën. Kryeministri ka marrë përsipër që të bëhet edukatori i saj. Mesa duket e ndien si borxh ndaj emancipimit. Burgu, fjalë kjo që duhet të qëndrojë mbi kokat e deputetëve të opozitës si shpata e Demokleut dhe e Edit pasardhës është vetë abetarja e duhur.

Qeveria po punon dhe ata, shpifësit, i fusin shkopinj nën rrota dhe ato rrotollake rrëshqasin vërtik e në hendek, prapësi e dreq se ky vend nuk u ndreq dhe Kryeministri o Zot se ç’heq. Shpifja pengon qeverinë të ketë suksese dhe popullin t’i admirojë ato, ndaj duhet ndërtuar porta e ligjit që lejon progresin dhe ndal regresin, rikthen mes nesh adhurimin, duke goditur mohimin.

Kush flet badihava e pa mend se ka kokën në vend e kërkon vetë heqjen e mandatit si fajtor e sabotator, pastaj gjobën e hapsanën siç kërkon fëmija nanën. Ndërsa kush urtë rri, merr rrogën beraqeveres dhe ndonjë tjetër ylyfe, aq sa i shkojnë qejfet rreke. Qeveria për dashamirët e ka zemrën e butë. Fjala ditën e enjte duhet thënë sipas parimit “njëqind hile dhe një trimëri”, e qëruar, pa nuanca, pa akuza, pa tonalitet, e qashtër si flok dëbore. Këshillohet butësi, etikë, galanteri dhe buzëqeshje, përultësia nuk bën dëm. Nderimi ndaj Kryeministrit mbase nuk do të përfshihet në ligj, por nënkuptohet.

Kush e shfaq atë publikisht mund të marrë ndonjë çmim për lirinë e fjalës, përveçse titullin opozitar bashkëkohor. Kush pohon arritjet e maxhorancës, pa dyshim mund të shpallet demokrat flori, siç i do kjo Shqipëri. Ky me sa duket është koncepti i Kryeministrit për një opozitë demokratike, moderne e konstruktive, e cila duhet të flasë duke iu shfaqur salla e gjyqit para syve.

Një opozitë fasadë dhe farsë tentohet nëpërmjet ligjit për shpifjen. Kur ky ligj që “këput gjuhën” do të rikthehet në Parlament. Opozita do të gjindet përballë ekzistencës dhe misionit të saj, përballë pyetjes farsë apo e vërtete, përballë shoqërisë që e sheh atë me gjithë defektet që mbart apo ka si kundërpeshën kryesore ndaj një pushteti që ka vetveten qëllim, jo qeverisjen për cilësinë e jetës, si anën e nevojshme të një ekuilibri demokratik pa të cilin Edi Rama shndërrohet në sundues me teka të athta që do të bëhen ligje në Parlamentin e tredhur nga frika.

Nuk është çudi që pasi ka dështuar në mbajtjen e premtimeve, duke ia kallur fantazisë sonë, Edi Rama të tentojë suksesin në edukimin e Opozitës. Do të mbahet mend si edukatori i madh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura