Eduard Dervishaj: Nga finalja e parë në TV me ngjyra, te trofeu i Champions në zyrën time. Sa shumë ka ndryshuar futbolli

Feb 24, 2023 | 19:09
SHPËRNDAJE

NGA EDUARD DERVISHAJ
Ndeshjet e Championsit për brezin tim luheshin në një botë tjetër që për ne ishte kaq e largët sa ishte e paimagjinueshme atëhere që të mendoja se një ditë do më jepej mundësia që jo vetëm ti shikoja në stadium por dhe të punoja si project-leader për organizimin e disa finaleve.

champions

Në fotografinë e mëposhtme jam në zyrë dhe sapo na ka mbërritur Kupa e Europës (Champions League Cup) për finalen Inter vs Bayern. Po e përkëdhelja dhe mendoja për lojtarët më të famshëm që e kishin ngritur këtë trofe, një nga më të dëshiruarit, por edhe për emocionet që krijon dhe ul përpara televizioneve qindra-mijëra tifoz dhe jo vetëm në kontinentin tonë.

dervishaj

Kjo fotografi sot më bëri të kujtoj kohën e rinisë kur unë dhe shokët e mi ‘vuanim’ për të parë ndeshjet e Kupave të Europës. Në fakt në atë kohë futbolli ‘live’ ishte një gjë e rrallë dhe në vendet europiane me përjashtim të ndeshjeve finale. Por tek ne duhet të kishe parasysh dhe tekat e censurës.

Më kujtua që finalen e parë në një televizor me ngjyra e pame në shtëpinë e shokëve të mi të gjimnazit, Silvës dhe Dikut (Zotaj), në vitin 1981. Luhej finalja Liverpool v Real Madrid. Prindërit e mrekullueshëm të shokëve tanë na hapën dyert dhe ne nuk ngurruam. Dhoma u mbush cep më cep “sa nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës”- do të thoshte i madhi Bellova. Një mbrëmje e paharruar.

Kam nostalgji për ekipet dhe futbollin e viteve të rinisë. Por nuk është nostalgjia ajo që më bën të mendoj se futbolli i sotëm është transformuar në një spektakël, por jo në pak raste, nën një ndikim masiv dhe në rritje të shpenzimeve financiare, ndonjëherë në nivele të pashpjegueshme, ku lojtarët inkurajohen ose në shumë raste detyrohen nga lakmia e agjentëve të tyre të veprojnë si mercenarë dhe ku klubet bëhen lodra të milionerëve apo të grupeve të fuqishme ekonomike dhe që ndonjëherë ‘harrojnë që kanë një borxh besnikërie ndaj një komuniteti që ju paraprin atyre’.

Nuk po zgjatem më mbasi është temë e gjere për tu trajtuar në fb. Dy fotografitë e tjera në vijim besoj se pasqyrojnë ndryshimin e madh që ka pësuar futbolli.

Në fotografinë e dyte është Bob Paisley, trajneri i Liverpool FC i quajtur ndryshe: gjeniu i heshtur (quiet genius). Një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit europian. Po kthehen nga Londra me tren mbasi fituan Kupën e Europes kundër Club Brugge në 1978.

332723739_734129721758422_1676778590218399166_n

Në fotografinë e trete Bob Paisley ka vizituar qytezën e tij të lindjes, Hetton-le-Hole (Durham), për t’i dedikuar Kupën miqve dhe shokëve të tij me të cilët kishte punuar si minator që në moshën 14 vjeçare.

333193737_734459284899054_3719641320486991233_n

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura