Edmond Lutaj i befasuar: Mungesat janë justifikime, Flamurtari të gjejë besimin e humbur

Mar 23, 2018 | 22:10
SHPËRNDAJE

Edmond Lutaj është i befasuar me rezultatet negative të Flamurtarit. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat Lutaj shpresonte se Flamurtari do të kthehej te rezultatet pozitive më shpejt, por nuk ka ndodhur kështu. Lutaj apelon se Flamurtari duhet të gjejë besimin e humbur. Ish-trajneri i Flamurtarit thotë se ky ekip është mjaft cilësor, por duhet të jetë i bashkuar dhe të punojë shumë fort që të arrijë rezultatet pozitive. “Dy muaj me rezultate negative është shumë. Të them të drejtën, kjo gjë më ka befasuar. Shpresoja se Flamurtari në këto momente do ishte kthyer te rezultatet pozitive. Por futbolli të befason. Flamurtari duhet të gjejë besimin e humbur, duke besuar në vetvete se në të vërtet është një ekip cilësor. Por, në të tilla raste ekipi duhet të jetë i bashkuar dhe të punojë shumë fort”, tha fillimisht Lutaj.

Lutaj

SITUATA- Ish-trajneri vlonjat i Flamurtarit, Edmond Lutaj, theksoi se ekipi duhet që të kthehet te fitorja me qëllim që të hyjë në shina. Lutaj tha se nuk i pëlqejnë justifikimet si pasojë e mungesave nga dëmtimet dhe kartonët. Sipas Lutajt, këto justifikime nuk e ndihmojnë, por edhe e dëmtojnë ekipin. “Nuk ka shumë rëndësi që kundërshtarët janë të vështirë, Flamurtarit i duhet patjetër një fitore në ndeshjen e ardhshme për t’u kthyer në shina. Nuk më pëlqejnë justifikimet me dëmtimet, jo mungojnë katër apo pesë lojtarë.

Këto justifikime para dhe mbas ndeshjeve e dëmtojnë ekipin të ecë përpara, se u japin lojtarëve që luajnë në fushë një alibi, në rast se rezultati i ndeshjes del negativ. Dëmtimet dhe kartonët janë pjesë e lojës dhe kjo gjë vlen për të gjitha ekipet. Ndërsa për dëmtimet, mendoj se dëmtimet muskulore deri ne 95% eliminohen. Nëse stafi ka një plan stërvitor duke u dhënë përparësi eliminimeve të dëmtimeve muskulore, gjithçka realizohet. Ndërsa dëmtime të tjera janë më të vështira për t’u menaxhuar”, u shpreh ish-trajneri vlonjat.

ARBITRIMI- Edmond Lutaj e cilëson skandaloz gjykimin, sidomos në ndeshjen Laçi-Flamurtari. Lutaj deklaroi se gjykimi ndaj Flamurtarit ka qenë tendencioz. “Arbitrimi i ndeshjes Laçi-Flamurtari ishte skandaloz dhe i qëllimshëm ndaj vlonjatëve. Goli i parë i Laçit ishte 3-4 metra jashtë loje, kurse penalltia ishte qesharake. Këto veprime tendencioze të arbitrave i demoralizojnë ekipet dhe Flamurtari është dëmtuar qëllimisht”, përfundoi Lutaj.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura