Edmond Budina, “i thyer” nga mosmirënjohësit shqiptarë

Dec 15, 2015 | 13:35
SHPËRNDAJE

Mosmirënjohja qëllon të jetë shuplaka më e fortë që jeta mund të të rezervojë. Madje, edhe tetëmbëdhjetë vite ankthe burgu mund të të duken asgjë.

Për regjisorin Edmond Budina, mosmirënjohja ndeshet kaq shumë në përditshmërinë shqiptare, saqë është e pamundur t’i jesh indiferent. “Të thyer”, kështu titullohet filmi i tij më i ri, me metrazh të gjatë, që sapo ka përfunduar xhirimet.

Nga xhirimet e filmit “Të thyer”
Nga xhirimet e filmit “Të thyer”

Dje, në një konferencë për shtyp në ambientet e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Budina prezantoi filmin e tij, që ka marrë nxitje nga realiteti shqiptar.

“Për të realizuar një projekt të këtij lloji, ngacmimet i gjen gati çdo ditë në Shqipëri. Ngjarja është e trilluar, por nga realiteti i sotëm shqiptar. E atij që ne e quajmë ndotja e ambientit, shpërbërja shpirtërore e njerëzve. Ishte një ngacmim që unë e kisha brenda meje, që më shtyu për ta zhvilluar dhe konkretizuar këtë subjekt, që më vonë mori formën e një skenari dhe tashmë që kemi mbaruar dhe xhirimet, themi që është edhe më afër filmit”, u shpreh Budina, sipas të cilit tashmë do të kalohet në fazën e postproduksionit.

Në këtë “ndotje” të shoqërisë, përveç shpërfytyrimit të njeriut të sotshëm, i cili harron gjithçka në favor të përfitimit, një rol jo të vogël zë edhe politika. Në kompleksin e personazheve gjendet edhe një politikan i ri, Andi Budi, i cili interpretohet nga aktori Laert Vasili.

Sipas këtij të fundit, ai është një politikan i inkriminuar, që për të bërë karrierë, mund të shesë nënë dhe babë… Ky skaner i Shqipërisë së sotshme, i marrëdhënieve njerëzore, vjen përmes një ndërthurjeje të dramës dhe komedisë. Edhe në situatat më dramatike, është e pamundur të mos gjesh anët e veta komike dhe Budina e ka treguar që di ta bëjë këtë, si në filmin “Ballkan Bazar”, për të cilin u nxit nga ngjarja e Kosinës, me eshtrat e ushtrisë greke.

KASTI

Për të qenë komod dhe pse jo i sigurt në rezultatin e punës së tij, Edmond Budina është mbështetur sërish në interpretimin e një kasti aktorësh që pak a shumë i kemi parë edhe në filmin e tij të mëparshëm, “Ballkan Bazar”. Sigurisht që skuadrës së mëparshme i janë shtuar disa të tjerë.

te thyerKështu, në film interpretojnë aktorë si Nikolla Llambro në rolin e Markos, Laert Vasili –Abdi Budi, Ola Harizaj-Ema, Artan Islami-Lani, Sotiraq Bratko-Nasi, Syrja Meçe- Maqo, Ylli Trajçe-Koço, Rachele Laro-Rakele, Ansa Rochi-Nora, Zamira Kita-Shop Assistant in Korça, Gerti Ferra-gazetar. Një nga rolet, atë të Markos, Budina e kishte imagjinuar në profilin e aktorit Marko Bitraku, i cili u nda vetëm pak kohë më parë nga jeta.

“Fatkeqësisht, aktori Marko Bitraku është ndarë nga jeta, por unë personazhin që interpretohet nga Nikolla Llambro e kisha shkruar për të. Pa i hequr asgjë interpretimit të Nikolla Llambros, që gjithashtu e ka sjellë shumë mirë, që në fillim e kisha menduar për të këtë rol”, u shpreh Budina. Tashmë filmi ka mbaruar fazën e xhirimeve. Sipas Budinës, ai është xhiruar brenda 21 ditësh.

“Filmi është xhiruar i gjithi me dritë natyrale, pa harxhuar energji elektrike. Filmi i parë shqiptar i xhiruar i gjithi me dritë natyrale. Kemi arritur ta realizojmë me pasionin e madh të të gjithë njerëzve që marrin pjesë në këtë film, por fatmirësisht, edhe pse me buxhete të vogla, kemi një bashkëprodhim italo- maqedonas-shqiptar dhe shpresojmë që, qoftë dhe me këtë buxhet të vogël, ne të kemi bërë një film të mirë”, tha Budina.

“Të thyer” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ky projekt filmik është financuar në 2015-n nga QKK. Një film me një shpirt të fortë autorial, me vëmendje të theksuar ndaj jetës sociale”, tha kryetari i QKK-së, Ilir Butka. Sipas tij, “filmi është financuar nga QKK me rreth 200 milionë lekë të vjetër”. Premiera e filmit pritet të jetë në prill-maj të 2016-s.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura