Editorial nga Besnik Dizdari/ Trajneri nuk është lojtar i ndeshjes

Sep 12, 2018 | 20:16
SHPËRNDAJE

NGA BESNIK DIZDARI

Po e kujtoj edhe një herë këtu, rastin e trajnerit të famshëm, Joao Saldanha (1917- 1990) të Brazilit ’69-’70, – e ai më parë se trajner qe gazetar nga profesioni, – i cili mbasi ia dha variantin taktik skuadrës para se të dilte në fushë, iu tha lojtarëve: “Kjo është taktika, por nëse qysh në 10 minutat e para ajo nuk iu ka sukses, atëherë luani si të dini ju”. Kjo thënie ka mbetë legjendë, ndërkohë që përderisa në skuadër Saldanha kishte Pele, Jairzinho, Gerson apo Tostao, ai mund të fliste edhe kështu, pra.

Besnik-Dizdari

Sepse këta talente gjigantë, të cilët Brazili ende nuk i ka zëvendësuar, falë origjinalitetit të artit e mendimit të tyre të madh futbollistik, ishin vetëtrajnerë të fushës së lojës. Por, nga ana tjetër, kjo thënie ka mbetur emblematike për të treguar se në fund të fundit, trajneri nuk është lojtar në fushë, por është një drejtues “i largët” prej saj, atje tej, nga stoli. Dhe i lumtur është ai trajner, i cili arrin t’i përçojë dhe sendërtojë mendimet e tij për në fushë, aty ku në fund të fundit, ai që interpreton nuk është regjisori (trajneri), por aktori (futbollisti).

Duke iu kthyer ndeshjes Skocia – Shqipëria 2-0, është naive të thuash se e ka fajin trajneri Panuçi ngaqë në të 42′ Memushaj nuk shfrytëzoi për gol “një rast të artë”, siç e përcaktoi dje “Panorama Sport” apo Balaj në të 49′ e në të 51′. E pra, nëse këto dy a tre raste do të ishin shndërruar në gol, – çka ishte krejt e mundshme, – çfarë do të thoshim? Që taktika e Panuçit qe e shkëlqyeshme?

kombetarja

… Kësisoj, pak ma ngadalë! Dihet që trajneri ka përgjegjësi për humbjen, ashtu siç ka meritë për fitoren. Prej kësaj nuk përjashtohet as edhe një Christian Panuçi, i cili nga zëvendësstrajner i Rusisë për vetëm nja 20 muaj e vetëm për nja 10 a 11 muaj trajner i Livornos e Ternanës, mbërrin rrufeshëm te trajner i Kombëtares së Shqipërisë – çka për të përbën një rast fatlum. Por, ajo që po ngjet gjithë këto vite të fundit në mendimin kritik kombëtaras të futbollit, me prejardhje të një “vije ideologjike”, sidomos televizive, tashmâ mendoj se është bërë tejet artificiale.

Vërtet, si ka mundësi që pothuajse e gjithë kritika e mbas ndeshjes me Skocinë, u soll vetëm rreth trajnerit? Panuçi, Panuçi – kudo Panuçi! Madje, pa mëshirë! Pra, që u dashka ta ketë fajin vetëm ai, me sa duket edhe pse nuk shënoi Memushaj dhe Balaj. Dhe cilët janë kritikët? Trajnerë edhe ata. Në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur si sot që kritikën e futbollit të Kombëtares (dhe jo vetëm të saj), ta sundojnë deri në këtë përmasë gjigande ish-trajnerët. Sigurisht, nuk harroj që edhe trajnerët mund të jenë kritikë kësisoj, çka i bën mirë futbollit.

kombetarja

Por, kurrsesi në këtë përmasë gjigande, pra. Aq më tepër kur ish-trajnerë, sigurisht të respektueshëm për punën e dobishme që kanë bërë për futbollin shqiptar, por të cilët kurrsesi nuk kanë pasur suksese të spikatuna me Kombëtaren. Ose e thënë më qartë: asnjë prej tyre (dhe jo vetëm për mosmeritën e tyre) nuk kanë pasur, bie fjala, arritjet e trajnerit Briegel e sidomos De Biazi. Është disi jo fort e pranueshme një lloj guximi që ata vënë në epiqendër kritik trajnerin, madje pa pikë ndrojtjeje, duke harruar se kanë qenë edhe vetë trajnerë.

Dhe gjithnjë e më pak kritikë, ose aspak, për lojtarin e fushës së blertë, i cili i vetëm para portës e çon topin jo në rrjetë, por në “stratosferë”, siç thoshte Anton Mazrreku! Nuk dua të mbroj trajnerin Panuçi, të cilin me vetëm 3 humbje në 4 ndeshjet e fundit apo me vetëm 3 fitore e 6 humbje në 10 ndeshjet e tij, nuk është e lehtë ta mbrosh, teksa nuk arrij të marr me mend fatin e rrugëtimit të tij… Mirëpo, qofsha i gabuar, më duket se problemi qëndron te një logjikë që na fton që të ndërrojmë sadopak kahun kritik. Sidomos televizionet, të cilët iu kanë dhënë një hapësirë të përmasave ish-trajnerëve apo ish-futbollistëve. Madje, duke penguar ndërkohë edhe zhvillimin e vetë gazetarisë sportive në Shqipëri, pra formimin e gazetarëve kritikë e kompetentë.

kombetarja shqiperia

Pa dashur që t’i hyjmë këtu teorisë së gazetarisë, nuk mund të ecë fort përpara kritika kombëtarase kur mbrenda një mbrëmjeje në vetëm dy studio televizive, ta gjykojnë ndeshjen e pakta nja 6 trajnerë! Këtu ajo që humb është mû gazetaria, pra informimi objektiv i opinionit publik – detyra bazë e ushtrimit të profesionit të gazetarit, jo të ishtrajnerit.. Dhe është vërtet interesant, që gati-gati po formohet edhe tipi i gazetarit, i cili po shkon po në stilin e “trajnerëve kritikë”.

Kristian Panuci

Deri aty madje, saqë thuajse e marrin si në një lloj hetimi trajnerin e Kombëtares, menjëherë mbas ndeshjes, duke harruar psikologjinë e tij të mbas një humbjeje – çka e detyron trajnerin në fjalë t’i largohet sa më parë këtij “hetimi”, teksa me vrap i ikën mikrofonit televiziv të gazetarit, i cili i është nënshtruar edhe ai stilit të “trajnerit kritik”. Duke i kthyer paksa teorisë dhe praktikës kapricioze e të pabesë të futbollit, kisha me thënë se më shumë se trajneri Panuci, më përgjegjës për humbjen me Skocinë, janë Memushaj e Balaj me golat që humbën. Ashtu siç kisha me thënë se për fitoren me Izraelin, më meritë ka portieri Strakosha me pritjet shpëtimtare që bëri sesa trajneri Panuçi. Sidoqoftë, kahdo që ta marrësh, është mirë që fuqinë ta marrë gazetaria…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura