Editorial nga Besnik Dizdari/ Fillon Kampionati Shqiptar më i varfër i mbasluftës

Aug 17, 2018 | 14:14
SHPËRNDAJE

NGA BESNIK DIZDARI

Është fjala për këtë Kampionat, këtë 2018-2019, që për Federatën Shqiptare të Futbollit është i 80-ti, ndërsa për të vërtetën historike është i 83-ti. Ky pra është Kampionati më i varfër shqiptar i mbasluftës. Nuk e kam fjalën për ekonominë e tij, ndonëse edhe në këtë kuptim ai është një kampionat tejet i varfër. E kam fjalën për numrin e paktë, vetëm 10, të skuadrave pjesëmarrëse. Por, sidomos për mungesën e papranueshme të skuadrave të qyteteve tradicionale të Shqipërisë, të cilët kanë themeluar Kampionatin e Shqipërisë.

besnik dizdari

Kështu, nëse do të bënim një renditje për 14 skuadrat më të mira të 83 Kampionateve të Shqipërisë, është kjo:

1. SK TIRANA / Tirana 2. DINAMO / Tirana 3. PARTIZANI / Tirana 4. VLLAZNIA / Shkodra 5. SKENDERBEU / Korça 6. KS ELBASANI / Elbasani 7. FLAMURTARI / Vlora 8. TEUTA / Durrësi 9. KF KUKESI / Kukësi 10. BESA / Kavaja 11. TOMORI / Berati 12. LUFTETARI / Gjirokastra 13. BYLIS / Ballshi 14. KF LAÇI / Laçi

Kjo renditje e rrallë ka si kriter arritjen, si të thuash, “olimpike”, më të lartë të skuadrave, pra ku përfshihen skuadrat, të cilat kanë zënë e pakta 1 herë një nga tre vendet e para në Kampionate. Është një lloj kriteri i stilit të renditjes olimpike: medalje e artë (kampion), e argjendtë (nënkampion) dhe e bronztë (vendi i tretë). Ndonëse Shqipëria nuk jep kësisoj medaljesh për Kampionatin e saj të futbollit. Ndërkaq, çudia më e madhe është se kemi plot 14 skuadra, të cilat deri më sot kanë arritur të zënë e pakta një nga tre vendet e para, qoftë dhe një herë të vetme, në Kampionatin Kombëtar.

topi

Përkimi për historinë është vërtet kuptimplotë, kur mendon se qenkan 14 skuadra, pra një shifër e njëjtë sa çfarë ka qenë pjesëmarrja më e shpeshtë e skuadrave në Kampionatin Kombëtar. Kështu, kujtojmë se Kampionat me 14 skuadra pjesëmarrëse, Shqipëria ka organizuar në plot 27 edicione. Dhe shumica e tyre mbeten Kampionatet më të bukur e më cilësorë që janë zhvilluar deri më sot. Natyrisht të zhvilluar me vetëm dy periudha (faza), jo me katër, duke rrejtë veten se bie fjala, katër herë ndeshja Kastrioti – KF Laçi, apo qoftë dhe SK Tirana – KF Kamza prodhokan vlera të një gare spektakolare! Mjerim! Prej 14 skuadrave më fitimtare të mësipërme na del se plot 6 prej tyre mungojnë në Kampionatin e sotëm Kombëtar të Shqipërisë.

Madje, prej katër më të parave, mungojnë dy të famshme: Dinamo dhe Vllaznia. Tek janë munguesit tonë vërtet emblematikë (shembullorë): DINAMO / Tirana VLLAZNIA / Shkodra KS ELBASANI / Elbasani BESA / Kavaja TOMORI / Berati BYLIS / Ballshi

Midis tyre veçojmë mospraninë e skuadrave të qyteteve parësorë si Shkodra, Elbasani, Kavaja dhe Berati, rolet e futbollit të të cilëve në historinë e Shqipërisë, dihet se kanë qenë ndër më vendimtarët. Pa harruar Dinamon që për shumë arsye nuk hyn në këtë “etnografi” krahinore. Praktikisht t’u mohosh pjesëmarrjen në Kampionat qyteteve tradicionale të futbollit, atyre Shkodër, Kavajë, Elbasan e Berat vetëm e vetëm se nuk dashke ti, se nuk di ti, se je mospërfillës ti, se nuk ke formim atdhetar ti, kjo më e pakta të bën të mendosh se bashkë me ty janë edhe qeveria edhe shteti shqiptar që heshtin në mënyrën më spektakolare! Teksa me sa duket as ata nuk duan t’i gëzojnë qytetet e Shqipërisë me garat kombëtare futbollistike të rangut. Ndërkaq, nuk përfshihen midis të mësipërmeve, edhe mungesa e nja katër qyteteve të tjerë si Lushnja, Fieri, Lezha apo Peqini, të cilët kanë qenë pjesë e Kampionatit të Shqipërisë mesatarisht nga 23 deri në 42 edicione pjesëmarrjeje.

Dhe ja pjesëmarrja e Kampionatit 2018-2019: SK TIRANA / Tirana PARTIZANI / Tirana SKENDERBEU / Korça FLAMURTARI / Vlora TEUTA / Durrësi KF KUKESI / Kukësi LUFTETARI / Gjirokastra KF LAÇI / Laçi KASTRIOTI / Krujë KF KAMZA / Kamzë

Vështroni tash se sa interesant është fakti që Kampionati ka e pakta plot katër skuadra: përfaqësuese të qyteteve Kukës, Laç, Krujë dhe Kamzë (për fat të keq jo vetëm këta), të cilat assesi nuk janë fryt i zhvillimit të futbollit midis popullsisë banuese të tyre. Pa iu mohuar assesi meritat e riformimit të tyre kryesisht falë komercializimit të futbollit të sotëm, për hir të së vërtetës, ato janë skuadra jo pak artificiale. Kjo ngaqë të katra së bashku nuk di a mund të kenë nja 8 lojtarë që mund të kenë dalë nga farishtet autoktone të skuadrave të qyteteve të tyre. Nëse gabojmë, po presim që më të dijshmit e më të informuarit se ne, të na përgënjeshtrojnë dhe sigurisht me rregullin e etikës së gazetarisë do të kërkojmë të falur publike.

Ndërkohë, FSHF dashka të nxirrka vendimin se çdo skuadre do t’iu lejohen të kenë nga 5 të lojtarë të huaj në formacion, – çka do të thotë se ajo me duart e saj pakëson e ngushton pa mëshirë prej Kampionatit të Shqipërisë, ardhjen e të rinjve të talentuar shqiptarë! Aq më tepër kur dihet se çfarë lojtarësh të huaj krejt mesatarë, pse jo, edhe të patalentuar, kanë ardhur gjithë këto vite në skuadrat shqiptare, – tashmâ vetarmike e fuqishme e mosaktivizimit të talenteve shqiptare në skuadrat e qyteteve të tyre. Çka shumë shpejt këtë do ta ndiejë edhe Kombëtarja e Shqipërisë, në të cilën, e pakta tash nja 4 a 5 vjet, nuk arrin të vijë thuajse asnjë lojtar i ri i talentuar, i dalë prej skuadrave të qyteteve të Shqipërisë. Kampionati i Shqipërisë ka skuadra me në krye edhe nga më të mirat e tij, që nuk jetojnë në qytetin që përfaqësojnë. E shikoni se çfarë goditjeje ka marrë zhvillimi social i futbollit në Shqipëri? Ose më qartë: e shikoni se sa artificial është ky Kampionat me vetëm 10 skuadra? Kurrnjiherë as SK Tirana dhe as Vllaznia nuk do të kishin rënë një kategori më poshtë nëse Kampionati do të ishte zhvilluar me 14 apo 16 skuadra. Rënia e tyre është thjesht si rezultat i kryeneçësisë së Federatës Shqiptare të Futbollit për të organizuar kampionat me vetëm 10 skuadra, pa arritur që të forcojë, unifikojë, të modernizojë sadopak pra, Kampionatin e Kategorisë së Dytë.

Atë që duke e quajtur Kategori e Parë, edhe jo ligjërisht, i ka dhënë emrin e 50 vjetëve të Kampionatit Kombëtar që përherë është quajtur “Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë”. Nuk janë të zot as në emërtime. Për çka nuk ka asnjë vështirësi ngaqë dihet: emërtimet janë thjesht fjalë që i gjen në çast në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, natyrisht fjalë që duhen sinkronizuar me përmbajtjen emërtuese. Është vërtet interesant; nuk po flitet aspak për fillimin e këtij kampionati të Kategorisë së Dytë, teksa gjithë këto ditë ka një heshtje olimpike! Ndoshta do të ketë “risi” (të reja) skematike apo të organizimit, ndonëse sa herë që kërkohet shtimi i skuadrave apo ndryshime kësisoj, buçet propaganda e të nënshtruarve të drejtimit të futbollit: “Jo, jo, ndryshimet gjithmonë mund të bëhen vetëm mbas një viti!”. Ose heshtet pa pikë zori, siç u hesht po prej drejtimit për propozimin e 30 klubeve për shtimin e skuadrave. Prepotencë e pastër! Kampionati i Shqipërisë është i vetmi në Europë, në të cilin nuk bëjnë pjesë dy qytete me stadiumet e vetme modernë që ka vendi: Shkodra dhe Elbasani. Çudi vërtet! Përse nuk i ndërtuan këto stadiume në Kamzë apo Laç? Ndërkaq, papritmas këto ditë mësuam se e dy apo tri skuadra ndër 10 që ka Kampionati, nuk do të lejohen të luajnë në stadiumet e tyre. Ky është dështimi tjetër krejt “origjinal”. Ruajna Zot nëse do të dështojmë me rregullin e ri, që do të përjashtoka po praninë e policisë brenda territorit të stadiumeve, duke e zëvendësuar me polici private. “E ka bota kështu”. Po qëndrimin e tifozëve shqiptarë, a e kemi si bota? Sidoqoftë, ndoshta kjo do të dalë me sukses, megjithatë. Ngaqë siç dihet, për fat të mirë, kemi pak spektatorë: mesatarja e pranisë së tyre në ndeshjet e Kampionatit të Shqipërisë nuk mbërrin as në 2000 spektatorë. Për këtë mjafton të shkoni te të dhënat e shumë ndeshjeve të Kampionatit që shkoi, në të cilat nuk pati më shumë se 300, 400, 500 apo 600 shikues për ndeshje! Të vërteta të hidhura, por krejtësisht të vërteta!…

Kampionati i Kategorisë së Dytë, që rrejshëm quhet i Parë, përmban në vetvete plot tre kampione të hershme të Shqipërisë: Dinamo (18 herë), Vllaznia (10) dhe KS Elbasani (2) ose 30 tituj të Kampionit të Shqipërisë. Por, dhe fitues të plot 24 edicioneve të Kupës së Shqipërisë. I ngushtuar kësisoj kryesisht në Shqipërinë e Mesme, futbolli shqiptar i Kampionatit të tij ka vetëm një skuadër në Veri të Shqipërisë dhe vetëm tri në Jugun e saj. Çka do të thotë se sipërfaqja apo gjeografia e Shqipërisë, ka përjashtuar prej Kampionatit të saj të futbollit, thuajse krejt Veriun dhe rreth 75 për qind të Jugut. Dhe kjo thjesht për shkak të vetëm 10 skuadrave pjesëmarrëse që me kaq gjakim (pasion) i sendërton FSHF-ja, pa dhënë asnjë shpjegim, pa bindur askënd se kjo e drejtë prepotente qenka e saj. Më saktë, e mbledhjeve të saj ngushta, madje pa dhënë asnjë shpjegim të “përsesë” së “fshehtë” të saj! Mû për këtë themi me plot fjalën se ky është Kampionati më i varfër në historinë e Shqipërisë së Mbasluftës, teksa me buzagaz theu edhe “rekordin” që mbas plot 62 vjetëve la pa skuadër të Kampionatit Kombëtar edhe qytetin që ka themeluar futbollin shqiptar: Vllazninë e Shkodrës. Dhe them me “buzagaz”, ngaqë para disa ditëve në “Panorama Sport” pashë një foto që shoqëronte një shkrim ku njoftohej se 10 skuadrat e Kampionatit paskan rënë në një mendje që më në fund të formojnë Ligën Kombëtare të Futbollit. Në foton në fjalë, të gjithë pjesëmarrësit e kësaj kryesie të vogël federaliste ishin duke buzëqeshur. Nuk e di sepse, por hareja dukej qartë. Ndonëse vetëm për faktin që paskan ra në një mendje 10 skuadra për Ligën, nuk duhej të kishte assesi vend për buzëqeshje, sepse Ligën Kombëtare të Futbollit (përsëris: “Kombëtare”!) nuk mund ta formojnë 10 skuadra, por të gjithë klubet e Shqipërisë.

Çka do të thotë se nuk mund të formohet Ligë Kombëtare pa “votën” e Shkodrës e të Elbasanit, pa Kavajën e pa Beratin, pa Dinamon, Lushnjën apo Fierin. Pse jo, madje as pa Lezhën, Peqinin e Kuçovën apo dhe Ballshin, të cilat ndodhen jashtë 10-shes së “famshme”. Kultura e strategjisë së drejtimit në këto organizime, sigurisht është një temë e ardhshme për një kritikë historike të zhvillimit të futbollit në Shqipëri. Ka më shumë se dy vjet që kam botuar kritikën e fortë për mosformimin e Ligës Kombëtare të Futbollit. Zvarritje dhe mosformim shembullor pikërisht prej FSHF-së dhe të nënshtruarve të saj. Me qëllim apo pa qëllim, – edhe kjo është temë për herën tjetër. Ndërkohë që zvarritja vazhdon, ndonëse Liga mund të formohet brenda ditës, sigurisht po ta dëshirosh. Natyrisht pa harruar se përforcimi i saj vazhdon në ditët që pasojnë, madje qysh në ditën e nesërme të themelimit të saj… Merret me mend që për të gjitha këto dukuri sociale (të shoqërisë shqiptare), politike, shpirtërore e të zhvillimit të futbollit e sportit kombëtar, dikush duhet të ndërhyjë. Po kush të ndërhyjë: shteti, qeveria, ministria apo olimpizmi i sotëm prej zyrave të të cilëve nuk di a del për së mbari fjala “sport” apo “futboll”?

Ndërkohë që, për mjerimin tonë, kemi dëgjuar qeveritarë, ministra a deputetë që deklarojnë deri në TV se “jam me Realin e Juventusin”, pa harruar atë tjetrën: që deri në takime civile me popullin, dalin me shenjat e Juventusit të Italisë. Më e pakta që mund t’i thuash kësaj sjellje mbibotërore të politikës, ajo është kundëratdhetari. Vërtet, kush mund të ndërhyjë: Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, prej së cilës ende nuk po mësojmë publikisht se cila është skema e organizimit të drejtimit sportiv që ajo kryen, me detyrat dhe përgjegjësitë e secilit inspektor a drejtor qoftë?

Pa shkuar tek ajo tjetra: se me çfarë meritash punojnë aty inspektorë apo drejtues për sportet. Vetvetiu, fillimi i garës më popullore e më mbarëkombëtare të Shqipërisë, që është edhe ky Kampionat më i varfër i futbollit të Mbasluftës në Shqipëri, na çon tek alarmi: është koha për një riorganizim të plotë të krejt drejtimit sportiv në Republikën e Shqipërisë.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura