Edith Durham, mikja e pashpërblyer e shqiptarëve

Nov 26, 2012 | 14:30
SHPËRNDAJE

Të gjithë ata shqiptarë që e njohin Edith Durhamin, e dinë se ajo e përqendroi vëmendjen te shqiptarët dhe te çështja e tyre kombëtare në vitin 1903. Ajo e pat pranuar edhe vetë, kur thoshte se “shqiptarët janë miqtë e mi më të mirë”, apo se “Shqipëria është vend i shenjtë”. Por për studiuesin Afrim Karagjozi, për të folur për një dashamirëse të tillë ndaj nesh nuk mjaftojnë vetëm ato që janë thënë, apo vetëm botimi i veprave të saj në gjuhën shqipe. Ka ende shumë për të folur e shkruar për figurën e saj. Me këtë qëllim ai ka prezantuar librin “Mary Edith Durham”, në të cilin ka pasqyruar fakte të njohura, por edhe të panjohura rreth kësaj figure, të zbuluara në arkivat anglezë. Duke e quajtur këtë një vepër “modeste”, Karagjozi thotë se pas tij, studiuesit kanë ende shumë për të bërë që emri i saj të nderohet siç duhet. “Edith Durham është personazh që duhet të jetë në shtëpinë e çdo shqiptari. Nuk flas si autor, por si lexues. Edith Durham është mikesha më e madhe që kanë shqiptarët, sepse pothuajse gjysmën e jetës së saj ajo ia kushtoi çështjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këtë libër shqiptarët do të mësojnë shumë gjëra për veten e tyre, gjëra të thëna nga Edith Durhami, për qëndrimin e Fuqive të Mëdha në periudhën më të vështirë të kombit shqiptar, që nga Pavarësia deri në Konferencën e Paqes në Paris. Dhe ajo që është shumë e rëndësishme, do të mësojnë shumë të vërteta nga qëndrimi i fqinjëve tanë veriorë dhe jugorë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mbase në këtë libër jo të gjitha gjërat janë të panjohura dhe të paditura, por vijnë drejtpërdrejt nga një autore që ka qenë pjesëmarrëse në veprimtarinë e këtyre fuqive të mëdha në njërën anë, në veprimtarinë e shqiptarëve dhe pastaj në atë çka ajo ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Vërtet duhet të themi që Edith Durham nuk mund të përfaqësohej në Konferencën e Paqes sepse ishte kurrkushi, anglezët nuk mund t’i përfaqësonte sepse nuk ishte anëtare Parlamenti (ishte vërtet anëtare e shoqatës anglo-shqiptare, por kjo nuk e bënte përfaqësuese). Nga ana tjetër nuk mund të përfaqësonte as Shqipërinë, por mund të përfaqësonte një mendim, i cili shpërtheu tamam në kohën kur Edith Durham u lidh me Shqipërinë, në vitin 1903″, ka thënë Karagjozi rreth librit, duke shpjeguar kështu edhe arsyen pse ishte pikërisht kjo figurë që e frymëzoi për të bërë një libër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura