Edip Ohri, komandanti i Aviacionit që u arrestua ditën e lindjes së Enverit

Mar 19, 2014 | 14:56
SHPËRNDAJE

Edip Ohri (i pari djathtas), duke drejtuar një fluturim në prani të udhë heqësve të lartë komunistë
Libri i shkrimtarit Agustin Gjinaj. Legjenda e Aviacionit

Piloti që fluturoi me të gjitha llojet e avionëve dhe drejtoi për 20 vite armën e aviacionit

U dënua me grupin e “puçistëve” për vepra terroriste

Akuza: Do të bombardonte me avion selinë e KQ

Edip Ohri njihet si figura më e shquar e Aviacionit Luftarak shqiptar, por edhe si një nga ushtarakët më në zë të Ushtrisë. Ai ishte një pilot i madh që fluturoi me të gjithë tipat e avionëve, ndërkohë që mbi 20 vite ka qenë komandat i armës. Në kulmin e karrierës, u dënua si pjesë e grupit të “puçistëve” të Ushtrisë që do të përmbysnin pushtetin popullor. Ndërkaq, prej vitit 1974- Edip Ohri ishte zgjedhur edhe deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ndërsa në moshën 49-vjeçare, në kulmin e sukseseve e të arritjeve në punë, u lirua nga detyra për t’u arrestuar vetëm pak kohë më vonë, në ditën e lindjes së Enver Hoxhës me akuzën se donte të rrëzonte pushtetin popullor me anën e terrorit. Sot, në përurimin e monografisë për Ohrin, studiuesi Agustin Gjinaj zbardh gjithë ngjarjet lidhur me një nga figurat kryesore të aviacionit luftarak shqiptar në librin “Legjenda e Aviacionit”.

Shqipëria e pasluftës dhe Aviacioni Luftarak
Sapo përfundoi Lufta e Dytë Botërore, qeveria e vendit mori masa për përgatitjen e personelit edhe për aviacionin e ardhshëm. Shteti shqiptar dërgoi për këtë qëllim kontingjentet e para në ish-Jugosllavi. Në maj të vitit 1945 u dërguan për studime në degën e Aviacionit 24 veta, midis të cilëve edhe Edip Ohri.
Ky djalosh, rreth 185 centimetra i gjatë, me reflekse të zhvilluara, me trup të ngjeshur e pa asnjë defekt, i ardhur nga një familje me lidhje të ngushta me historinë e Shqipërisë, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishte pa dyshim një kandidaturë e spikatur për studime ushtarake në një nga armët që projektohej si armë e së ardhmes, siç ishte Aviacioni Luftarak. Togeri Edip Ohri qëndroi vetëm pak muaj në Beograd. Po në vitin që Edipi shkon në Jugosllavi për studime, në Shqipëri në familjen e tij zhvilloheshin të tjera ngjarje. Njerkut të tij, Qazim bej Vlorës, i ndërpritet pensioni. I ndodhur në vështirësi ekonomike dhe i çuditur nga një veprim i tillë i administratës, Qazim Vlora bëri përpjekje që të takonte kryeministrin Enver Hoxha me shpresën se ai do të mund të rregullonte anomalinë e shkaktuar nga disa nëpunës të niveleve të ulëta.

Përplasja e djalit të Ismail Qemalit me Enverin
Në kërkesën e parë që bëri për t’u takuar me Enver Hoxhën si i biri i Ismail Qemalit, Enver Hoxha nuk e pranoi, duke i thënë adjutantit të tij: “I thuaj që nuk jam këtu”. Këtë reagim të Enver Hoxhës, Edip Ohri shpjegon se e ka mësuar vite më vonë, fare rastësisht.
“Unë këtë e kam marrë vesh vite më vonë nga një shok me të cilin ishim oficerë bashkë. Ish-adjutanti i Enver Hoxhës në vitin 1945 quhej Moisi Elezi. Ai ma ka treguar shprehjen se Enver Hoxha i kishte thënë: “I thuaj që nuk jam këtu”.
Me Moisi Elezin ishim në kursin e Shtabit të Përgjithshëm dhe ai nisi të tregonte disa hollësira për kuriozitet nga jeta dhe puna e tij si adjutant. Një ditë, ndër të tjera, ai e tregoi edhe këtë ngjarje. E nisi duke thënë se: “Ja, unë e kam njohur djalin e Ismail Qemalit dhe e kam njohur në këto rrethana…” Por këto i tregonte me ne, duke qenë edhe unë i pranishëm në këto biseda, pa e ditur se çfarë e kisha unë Qazim Beun. Mbaj mend që atë situatë peripecish për të takuar Enver Hoxhën ai e tregonte fill e për pe. Herën e parë nuk e priti Enver Hoxha, pastaj herën e dytë, kur pa se e kërkoi me ngulm, ai reagoi duke thënë: “Le të vijë.”
Qazim Qemal Vlora i shpjegoi Enver Hoxhës se ishte i biri i Ismail Qemalit dhe se “Për kontributin e babait dhe timin së bashku unë kam marrë një pension patriotik që në 1920-n. Por tani më është ndërprerë. Ju lutem shumë, unë kam një familje që ka marrë pjesë aktivisht në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, shtëpia ime ka qenë bazë e luftës. Kam kontribuar edhe unë aq sa kam mundur. Por, përveç kësaj, jam edhe i biri i Ismail Qemalit. Të ardhura të tjera nuk kam. Nuk jam i punësuar. Ju lutemi shumë të më rilidhet pensioni që u ndërpre”.
Enveri iu përgjigj se, po qe se i ishte ndërprerë, do të thoshte se nuk i takonte. “Nuk ju takon pensioni,” – i tha.
“Por jam djali i Ismail Qemalit”, – i tha Qazim Beu.
“Kushdo që të jesh, – ia ktheu sërish Enveri, – nuk të takon”.
Qazim Beu u nervozua dhe, kur pa se Enver Hoxha në zyrën e tij mbante portretet e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, i tha atij: “Ty nuk të takon të mbash në zyrën tënde portretin e babait tim”, dhe doli në mënyrë demonstrative.
Që të nesërmen i tha nënës sime “largohemi nga Shqipëria” dhe shkuan në Strugë e aty u vendosën.
Ai iku shumë i dëshpëruar. Nuk e priste që Enver Hoxha do ta takonte e do ta priste në atë mënyrë. Qëndroi në Strugë deri në vitin 1953. Në 1953-shin vdiq. Sot e kësaj dite varri i tij është në Strugë, sepse nuk erdhi më as i vdekur në Shqipëri.
Nëna ime, në vitin 1949 erdhi në Shqipëri për të na takuar ne, por në atë kohë u prishën marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë dhe ajo nuk mundi të kthehej më në Strugë. Kështu që nuk e pa më Qazim Beun, i cili vdiq në rrethana të paqarta, nën kujdestarinë e struganëve, të cilët e deshën shumë, si djalin e Ismail Qemalit.
Ne kishim shtëpinë tonë aty dhe ai banonte atje. Madje, daja jonë ka qenë një nga shokët e Ataturkut dhe e kishte shumë mik Qazim Beun”.
Mbas vitit 1948, pas prishjes me Jugosllavinë, e deri në vitin 1953, pasurinë e administroi njerku Qazim Vlora, i biri i Ismail Qemalit. Në vitin 1953 ai vdiq dhe si pasojë, e gjithë pasuria e familjes sonë në Strugë u shtetëzua nga Jugosllavia”.
Këtu mbyllet kapitulli i kësaj familjeje në lidhje me Qazim Vlorën, Strugën dhe Ohrin.
Nëna e Edipit jetoi deri në vitin 1985 dhe vdiq në kohën kur Edipi ishte i burgosur nga regjimi komunist. Varri i Qazim bej Qemalit është ende në Strugë, pothuajse i harruar.
Aviacioni Luftarak, arma më e re e Shqipërisë
Në korrikun e vitit 1954, një grup pilotësh dhe specialistësh për shfrytëzimin e teknikës luftarake u dërguan në ish-Bashkimin Sovjetik, në Grozni-Kaukazin Verior, në Çeçeni, për kalimin në avionët reaktivë MIG-15. Shqipëria po përgatitej kështu të merrte në dorëzim një prej teknikave më moderne të kohës, siç ishte teknika reaktive. Aty ata u aftësuan për përdorimin luftarak të avionëve reaktivë MIG-15 në të gjitha kushtet meteorologjike, si dhe përdorimin luftarak të këtij avioni. Pas kthimit në Shqipëri, në maj të vitit 1955, Edip Ohri emërohet komandant i Aviacionit Ushtarak Shqiptar dhe zëvendëskomandant i MKA-së (Mbrojtjes Kundërajrore) së shtetit. Ishte 30 vjeç, shumë i ri për të përballuar të gjitha sfidat që do t’i paraqiteshin një arme kaq të re në Ushtrinë shqiptare, tek e cila priteshin zhvillime të shpejta e të mëdha. Por kishte arritur të realizonte të gjitha kualifikimet e duhura për një detyrë të tillë. Ohri nga viti 1945 deri në vitin 1948 u diplomua për pilot luftarak. Nga shkurti 1949–1952 kishte kryer Akademinë e Forcave Ushtarako-Ajrore të ish-BS, në Fakultetin e Komandimit, në Moskë, ku fluturoi në avionët bombardues dhe në avionët gjuajtës të tipit JAK-9P. Në vitin 1954–1955 u kualifikua për përvetësimin e përdorimit luftarak të avionëve reaktivë MIG-15, në shkollën e lartë të Forcave Ushtarake Ajrore në Grozni-Kaukazin Verior, në Çeçeni. Falë një arsimi brilant e me rezultate të shkëlqyera, ecja në karrierë e në gradë e Edip Ohrit, kompletimi i tij si ushtarak, si pilot dhe si drejtues i niveleve të larta ushtarake, kishte bërë që ai të ishte në gjendje t’i përballonte detyrat e caktuara.
Dy ishin kandidaturat për detyrën e komandantit të aviacionit, Edip Ohri dhe Niko Hoxha. Të dy kishin qenë partizanë, të dy ishin kualifikuar për pilotë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe të dy kishin kryer Akademinë e Lartë po atje dhe që të dy ishin drejtuesit më të lartë në aviacionin e atyre viteve, komandant dhe komisar të Skuadriljes në Tiranë.
Zgjedhja përfundimtare e politikës ishte që në krye të Aviacionit Luftarak të vendosej Edip Ohri dhe në krye të Regjimentit të Kuçovës, Niko Hoxha.
Sfida e parë që iu paraqit komandantit të posaemëruar të Aviacionit ishte marrja e masave për vënien në funksionim të Regjimentit të Kuçovës, repartit të parë me avionë reaktivë që do të kishte Shqipëria në historinë e saj.
Edip Ohri, së bashku me komandantin e porsaemëruar të këtij regjimenti, Niko Hoxhën, vendosën emërimet apo caktimet në detyrë të të gjithë personelit të repartit.
Efektivi pilot e teknik i këtij regjimenti ishte përgatitur fillimisht në ish-Jugosllavi e më pas në ish-Bashkimin Sovjetik.
Detyra të mëdha e prisnin në këtë periudhë komandantin e ri të Aviacionit Luftarak, Edip Ohrin: ai vazhdonte të fluturonte në Kuçovë si pilot i regjimentit sipas të gjitha kërkesave e normave të caktuara për të gjithë, ndiqte stërvitjen e dy reparteve tashmë të pavarura të aviacionit, një në Skuadriljen e Tiranës ku stërviteshin efektivat e mbetur aty pas largimit të një pjese të tij në Kuçovë, si dhe vetë Regjimentit të Aviacionit Reaktiv në qytetin e naftëtarëve.
Në janar të vitit 1956, në Regjimentin e Kuçovës filloi viti i rregullt i përgatitjes luftarake, ndërsa në korrik të atij viti u dërguan në ish-Bashkimin Sovjetik efektiva pilotë e teknikë për t’u trajnuar për helikopterët. Edip Ohri vazhdon punën, por edhe ecjen përpara në grada. Në tetor 1956 ai merr gradën “Nënkolonel” dhe në gusht të vitit 1959 merr edhe gradën “Kolonel”, të cilën e ka mbajtur deri në vitin 1966, vit që u hoqën gradat ushtarake në Shqipëri, megjithëse, sipas organikave të Ushtrisë së asaj kohe, për funksionin e komandantit të Aviacionit parashikohej grada “Gjeneralmajor” deri në “gjenerallejtënant”.
Në qershor të vitit 1957, Skuadrilja e Tiranës merr emërtimin zyrtar “Reparti Ushtarak i Transportit Nr. 5818”. Në atë kohë ajo kishte dy treshe helikopterësh dhe disa avionë JAK-9 e PO-2. Komandant u caktua Peço Polena, një emblemë e historisë së aviacionit, zëvendës për punën politike Irakli Grazhdani, shef shtabi Pertef Myftari, zëvendës për fluturim Petrit Mailindi, inxhinier skuadriljeje Andon Koroveshi.
Në vitin 1957 erdhën helikopterët e parë që u montuan në kohë dhe me cilësi. Pas provës në ajër të helikopterëve, më 4 shtator 1957, helikopteri i pilotuar nga Peço Polena fluturoi në rrugëkalimin Tiranë–Shkodër–Tiranë.
Në korrik të 1957, për herë të parë në historinë e vet ushtarake Shqipëria u pajis me një avion modest bombardues, tip Il-28, i cili hyri në armatimin e Aviacionit tonë Luftarak. Po këtë vit,  1957, Shqipëria u pajis me një avion IL-14, i ashtuquajturi “Qeveritari”, i dhuruar nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Vetë Edip Ohri, në vitin 1971–1972 është specializuar në Republikën Popullore të Kinës për fluturime në avionin e transportit IL-14 të shërbimeve qeveritare në të gjitha kushtet meteorologjike. Në këtë periudhë ai drejtonte procesin e përgatitjes ajrore të rreth pesëdhjetë pilotëve të rinj shqiptarë, për kalimin në avionin supersonik MIG-19S.
Vitet e përndjekjes dhe burgimit
Në fundin e vitit 1974, Edip Ohri, komandanti Aviacionit Luftarak Shqiptar, i zgjedhur pak muaj më parë edhe deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, në moshën 49-vjeçare, në kulmin e aftësive profesionale, por edhe të sukseseve e arritjeve në punë, do të lirohej nga detyra. Hysni Kapo, figura e dytë në udhëheqjen komuniste, në mbledhjen e kuadrove kryesorë të Ushtrisë, duke e shpjeguar largimin e Ohrit nga drejtimi i Aviacionit, do t’u drejtonte të pranishmëve pyetjen: “Ju mund të thoni si është e mundur të lirohet nga Ushtria Edip Ohri, që ka kaq shkolla e kaq merita, në një kohë kur ne kemi nevojë për kuadro të tjerë?”
Po, vetë përgjigjet: “I uroj Edipit që të përgatisë dhe kuadro të tjerë si veten”.
Një nxjerrje në lirim në një moshë të tillë, ishte tregues i asaj që Ohri nuk vlente më për kupolën qeveritare komuniste. Fakti që ai nuk u dënua menjëherë, mbase tregon atë se karshi tij ende nuk ishte kristalizuar ndonjë akuzë konkrete. Gjashtë muaj të qëndrimit si këshilltar pranë zëvendësuesit të tij, mund të kuptohen si një formë e zbutur e largimit nga skena. Nga fundi i vitit 1975, deri në ditën e arrestimit më 16 tetor 1980, Edip Ohri do të angazhohej në një grup pune pranë Akademisë Ushtarake për çështje të “Historisë së artit ushtarak”.
Është e vështirë të kuptosh se pse je i pavlefshëm për shtetin kur ke kontribuar një jetë të tërë, është e vështirë ta pranosh të largohesh në mënyrë të pamerituar dhe asnjë shkak, por në përgjithësi në sistemin komunist e në veçanti në ato vite, në Shqipëri ishte e pamundur, absurde madje, të pretendoje të kërkoje të drejtën apo arsyen e vërtetë të largimit nga detyra.
Kishte përfunduar Plenumi i 6-të të KQPPSH (16 dhjetor 1974-17 dhjetor 1974), ku Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume e Rahman Përllaku, të cilësuar “armiq të partisë dhe të popullit”, vihen në pranga (ndalimi u krye pasditen e datës 16 dhjetor 1974) brenda në sallën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
 Më 5 dhjetor 1975, tre gjeneralët e lavdishëm të luftës dhe të drejtimit të Ushtrisë Shqiptare, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako pushkatohen në Linzë, Tiranë. Trupat e tyre u transportuan dhe u varrosën në  Vlorë.
16 tetor 1980, arrest në ditën e lindjes së Enverit
Më 16 tetor 1980, në orën 13:00, ndërsa Edip Ohri po studionte në Bibliotekën Kombëtare, dikush i afrohet te tavolina e i thotë:  “Lëri librat, siç i ke, do vish pak në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. E hipin në një “Gaz” ku ishte zv.drejtori i Sigurimit të Shtetit, i cili pa kaluar 200 m, i thotë: “Edip, je i arrestuar! Lidheni!”
I tronditur nga ky zhvillim i papritur, në njëfarë mënyre dëshiron të besojë se mos është një gabim dhe ju thotë: “Mua të më arrestoni?! Mos e keni gabim, jam Edip Ohri!.”
“Të njohim shumë mirë se kush je. Lidheni!”,- thotë drejtori i Hetuesisë.
E lidhën jo me duar para, por me duar mbrapa, si shpërblim për pothuajse 40 vjet përpjekje e punë në interes të asaj partie e shteti.
Ohri thotë se “Ishte diçka e pabesueshme. Por, mbi të gjitha për ato momente, njeriu mendon për familjen e fëmijët. Kjo, sepse ne në atë kohë e dinim se çfarë pasojash vinin pas këtij arrestimi për njerëzit e familjes…
Njeriu mendon në atë kohë, jo për veten e tij, por për atë çka linte prapa. Është fyerje jashtëzakonisht e madhe për njeriun, kur të vënë prangat. Të shërbesh 35 vjet në Aviacion dhe që unë isha i vetmi që kisha aeroplan personal, e mund të ikja kur të doja e ku të doja, e të ma shpërblenin kështu(!) S’ka fyerje më të madhe, aq sa edhe sot e kësaj dite nuk më besohet”.
E çojnë në Burgun 313, ku e mbajnë 6 orë të lidhur në karrige, deri sa të vinte një grup hetuesish të Ministrisë së Punëve të Brendshme me në krye drejtorin e Hetuesisë së MPB-së, që do t’i thoshte: “Të kemi arrestuar se je pjesëmarrës i një komploti ushtarak për rrëzimin e pushtetit të udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit me anë terrori. Je kundër rendit politik, ekonomik e shtetëror etj. “E nxjerrin në korridorin e burgut, e zhveshin komplet lakuriq për ta kontrolluar me imtësi dhe më pas e fusin në qeli, së bashku me dy të tjerë, bashkëpunëtorë të Sigurimit.
Mbas tre muajsh në Hetuesi, u bë gjyqi publik, me kuadro kryesore të Ushtrisë, gjysmën e dytë të janarit të vitit 1981. Ishte arrestuar në ditën e lindjes së Enver Hoxhës së bashku me 5 veta njëherësh, një mënyrë kjo, me të cilën Hetuesia dhe Prokuroria e festonin ditëlindjen e diktatorit duke u vënë prangat njerëzve të pafajshëm.
Në janar të vitit 1981 i nxjerrin në gjyq për t’i dënuar me motivacionin: “Bashkërisht keni dashur të bëni terror, keni qenë kundër pushtetit ekonomik, politik, ushtarak dhe keni dashur të rrëzoni pushtetin me anën e terrorit”.
 Edip Ohri sqaron se: “Ne na akuzuan me atë motivacion shumë të rëndë, që përmenda më sipër, mirëpo, në janar të vitit 1981, u bë një plenum i Komitetit Qendror, ku u muar në analizë nga Byroja Politike puna me këtë grup antiparti. Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Feçor Shehu, i raportonte Enver Hoxhës se “kemi kapur edhe grupe terroriste”. Enver Hoxha i thotë: ‘Shiko Feçor, se po të kishte grupe terroriste, do të na ishte vrarë ndonjë nga Byroja Politike. Nuk e pranoj se gjoja keni kapur grupe terroristësh.’ E hodhi poshtë këtë version Enver Hoxha, ndaj edhe neve akuza e parë na u hoq dhe kaloi në versionin për propagandë e agjitacion.
Hetuesi dhe kryehetuesi më thirrën: Edip, ke kaluar në vrimën e gjilpërës. Vendosëm të heqim nenin 57 të terrorit të Kodit Penal dhe të kalojmë në nenin 55″.
Dhe ashtu ndodhi. Disa nga akuzat zyrtare të lexuara nga prokurori për “përmbysje me dhunë të pushtetit popullor”, apo që “ka dashur të bombardojë bllokun e udhëheqjes me aeroplan” kaluan në “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, në nenin 55.
Pas gjyqit, e mbajnë edhe tre muaj në izolim të plotë, pastaj dërgohet për kryerjen e dënimit. Fillimisht ai bën 5 vjet në kampet e Ballshit e Zejmenit (1981-1982 në Ballsh dhe 1982-1985 në Zejmen), ndërsa nga viti 1985 deri më 29 nëntor 1989, në Burgun e Burrelit, rreth 9-10 vjet. Fillimisht në kampe, ndërsa pas vdekjes së Enver Hoxhës, sapo erdhi Ramiz Alia në pushtet, ish-ushtarakët e lartë i grumbulluan në Burrel, si më të rrezikshëm.
Edip Ohri kujton se: “Në Burgun e Burrelit, kategoria e ‘armiqve të partisë dhe të pushtetit’ ishin: gjenerallejtënant, Heroi i Popullit Rahman Parllaku; gjenerallejtënant dhe Hero i Popullit Muhamet Prodani; gjenerallejtënant dhe Heroi i Popullit Sadik Bekteshi; gjenerallejtënant Arif Hasko; gjenerallejtënant Vaskë Gjino; gjeneralmajor Gjin Marku; gjeneralmajor Abaz Fejzo; gjeneralmajor Halim Ramohito; kolonel Edip Ohri; gjenerallejtënant Mihallq Ziçishti, ministër i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme, Kiço Ngjela; ministër i Bujqësisë Maqo Como; Ministër i Jashtëm Nesti Nase; Fadil Paçrami sekretar i Komitetit të Partisë për Tiranën; Todi Lubonja kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe drejtor i Televizionit Shqiptar; Gjergj Titani, ish-shef i Shtabit të Korpusit; Spartak Ngjela e Fatos Lubonja; Lipe Nashi, drejtor i Përgjithshëm i Naftës; Xhavid Qesja, ish-komisar i Br XXII S; Bardhyl Belishova; Skënder dhe Bashkim Shehu; kolonel Elhami Hado, nënkolonel Shaban Reçi. Përpara se të grumbullohej ky grup i rrezikshëm, i cili nuk lejohej të takohej me grupin tjetër të civilëve, të Pjetër Arbnorit me shokë, sepse ky grup i Shtabit të Përgjithshëm, së bashku me ministrat, u cilësuan, si më të rrezikshmit për likuidimin e udhëheqjes së Enver Hoxhës. Përpara këtij grupi ishin Kadri Hoxha, Bedri Spahiu, Koço Tashko etj. Në burg vdiqën, sepse nuk rezistuan dot, Vaskë Gjino, Abaz Fejzo, Gjin Marku, Halim Xhelo. Regjimi i burgut ishte tepër i rëndë. Përveç ushqimit mizerabël, të gjithë ditën ishim të mbyllur me çelës në qeli. Vetëm një orë në mëngjes dhe në darkë dilnim në oborr.
“Gabimet” e Edip Ohrit
I arsimuar fillimisht në ish-Jugosllavi, më pas në Ish-Bashkimin Sovjetik për disa vite dhe i specializuar në Kinë, në tri vendet “revizioniste”, armiqtë e mëdhenj të Partisë së Punës, Edipi përbënte një enigmë për t’u zgjidhur nëse gjatë kësaj periudhe ka pasur apo jo mundësi të infektohet nga armiqtë e Partisë. Por, biografia e komandantit kishte edhe një “cen skandaloz”, ai kishte qenë i pranishëm në takimet me Hrushovin e Çu En Lain, në të cilat ishte sharë Enver Hoxha. Edipi ishte një “gojë” që mund të fliste e t’i tregonte çfarë kishte parë e dëgjuar edhe të tjerëve, ndaj kjo “gojë” duhej mbyllur. Këto ishin rrethanat mbi të cilat do të fillonte kryqëzata ndaj Edip Ohrit, duke gjurmuar gabimet e tij gjatë karrierës së gjatë në Ushtri, ku Partia sa kishte mbyllur kapitullin e dënimeve të “puçistëve”. Po cilat ishin gabimet e Ohrit?
“Gabimi i parë” i Edip Ohrit ishte origjina e tij. Ohri ishte një shqiptar i lindur në Strugë, gjë që për Sigurimin e shtetit dhe politikën e komunistëve përbënte një pikë të errët, ashtu si për çdo shqiptar të lindur jashtë kufirit shtetëror të Shqipërisë, të cilët për fatin e tyre të keq, jo rrallë në vendin amë, në Shqipëri, ndjeheshin më të persekutuar se atje ku sundonin jo shqiptarë.
Sipas Edip Ohrit: “Kuptohet që Partia dhe Enver Hoxha nuk mund të dështonte, prandaj u zgjodh koka e Edip Ohrit, për të justifikuar fundin e Ushtrisë shqiptare edhe në fushën e Aviacionit, paçka  se parulla dhe thirrje të tilla, si ‘do të luftojmë e do të fitojmë kundër një koalicioni armiqsh të përbashkët nga NATO dhe Traktati i Varshavës’, u bënë slogani më qesharak për botën e qytetëruar”. Ishte një kohë terrori e frike, kushdo mund të shpallej armik.
“Gabimi i dytë” i Edip Ohrit ishte origjina e tij familjare, pasi ai rridhte nga dy degë apo dy dyer të shquara si për nga trashëgimia kulturore, arsimore, patriotike e madje edhe pasurore. Në anë tjetër ai ishte rritur e edukuar nga njerku i tij Qazim bej Vlora, njeriu që kishte guxuar të injoronte në mënyrë të hapur Enver Hoxhën.
“Gabimi i tretë” i Edip Ohrit ishte fakti se kishte pasur njohje e miqësi në periudhën e pushtimit fashist me Fadil Hoxhën, kreun e komunistëve të Kosovës, për të cilin Sigurimi apo Partia mund të kishin dyshime se ai mund të kishte ruajtur në mos lidhje, të paktën simpati personale. Edipi kishte banuar në shtëpinë e Fadil Hoxhës rreth gjashtë muaj në vitet e pushtimit fashist. Është interesant një fakt që tregon Edip Ohri. Ai thotë se “Kur u ktheva nga Kina në fillimin e viteve ‘70, pushimin e parafundit avionik e bëra në Romë. Aty ambasadori i Shqipërisë në Itali, nën pretekste absurde, më tha se nuk do prisja në ambasadë, deri të pasnesërmen për të prenotuar linjën Romë-Rinas, por do të nisesha menjëherë në Beograd, për të shkuar në Tiranë nëpërmjet atij qyteti. Kundërshtova, por më kot. Me sa duket, ata mendonin se me vajtjen në Beograd, do të tentoja të kërkoja takim me Fadil Hoxhën”.
Kohë më vonë, zëvendësdrejtori politik i Ushtrisë më tha me gjysmëzëri, në konfidencë: “Dëgjo Edip, gjithë të mirat i ke, por një gabim e kë bërë, ç’deshe o burrë i dheut që vajte në Beograd për t’u kthyer në Tiranë?”
Edhe fakti që Edipi ka qenë partizan i Brigadës së Dytë Sulmuese, komandant i së cilës kishte qenë Beqir Balluku, armiku më i madh i viteve të fundit për Partinë e Punës, nuk ka qenë një faktor pozitiv në konsideratat për komandantin e Aviacionit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura