Edicioni i 19-të, Java e Gjuhës Italiane në Botë “Italishtja në skenë”, Alban Skënderaj si ambasador i parë

SHPËRNDAJE

“Italishtja në skenë” është tema kryesore e edicionit të 19-të të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, që do të zhvillohet edhe në Tiranë deri më 27 tetor 2019. Mbi një mijë aktivitete kushtuar operës dhe teatrit, muzikës popullore, dramës, letërsisë dhe melodramës do të organizohen në të gjithë botën për të promovuar italishten si gjuhë të kulturës klasike dhe bashkëkohore.

Në komunikimin skenik, ndryshe nga sa ndodh në letërsi, italishtja hyn drejtpërdrejtë në kontakt me publikun përmes zërit. Prandaj, gjuha e traditës arrin te dëgjuesit përmes oralitetit, aktrimit dhe këndimit të interpretuesve. Për të njëjtën arsye, për edicionin e këtij viti, ambasada italiane ka zgjedhur të vlerësojë si “Ambasador të Gjuhës Italiane” në Shqipëri, kantautorin Alban Skënderaj, i cili ka realizuar për këtë rast një spot të shkurtër, ku shpjegon lidhjen e tij me gjuhën dhe muzikën italiane.73320888_785836615163914_2619361182141644800_n

“Sot gjeta fjalët dhe tingullin tim. Për ta bërë, mësova një gjuhë të re. Për mua, italishtja është muzikë. Faleminderit ambasadorit Cutillo dhe ambasadës italiane, një shembull miqësie, respekti dhe integrimi reciprok”, thotë Skënderaj, duke u bërë thirrje sidomos të rinjve që kurrë të mos rreshtin së kërkuari fjalët dhe tingullin e tyre.

Këtë të hënë, ambasadori Alberto Cutillo krahas vlerësimit të Skenderajt si “Ambasador i Gjuhës Italiane në Shqipëri” shpalli edhe tre fituesit e konkursit “Kritikë të rinj muzikorë”, nxënës të seksioneve dygjuhëshe të shkollës së mesme “Ismail Qemali” në Tiranë, të cilët kanë rishkruar në italisht disa nga tekstet e këngëve të tij.

Mbrëmja vijoi me koncertin “Udhëtim në këngën italiane nga vitet 40 deri më sot”, me interpretim nga Teresa Paratore (vokal), Sokol Sejdo (saksofon), Andi Kongo (piano), Theo Napoloni (bateri) dhe Armin Alimeri (bas). Për sa i përket aktiviteteve të programuara gjatë javës, Anilda Ibrahimi, Lorenzo Colantoni dhe Riçardo Venturi do të tregojnë realitetin e emigrantëve shqiptarë në Itali dhe të italianëve në Shqipëri, ndërsa studiues të njohur të të dyja vendeve do të hulumtojnë marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë.

Në fushën e artit dhe arkitekturës, redaktori Francesco Tenaglia do të mbajë një takim mbi pikat e përbashkëta mes të shkruarit dhe arteve pamore, ndërsa prof. Marco De Michelis do të zhvillojë një bisedë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë në kuadrin e ekspozitës “Prova” nga Adrian Paci. Do të ketë gjithashtu, shfaqje filmash, koncerte dhe pjesësh teatrale, që do të organizohen gjatë gjithë muajit tetor.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.