Edi Rama nga “Hylli i Dritës” te “Zëri i Popullit”

Jul 6, 2015 | 12:25
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

    Nuk e kisha menduar se do të vinte dita që Edi Ramës do t’i vinim në diskutim edhe shijet bizarre. Si Kryeministër, ai është nën tehun e gjykimit për mënyrën erdoganiste të qeverisjes me të gjitha derivatet  që krijohen prej saj. Por të shumtë janë ata të cilët besojnë se Edi Rama ka gusto. Edi, këtë pjesë e qan -pëshpëritin me një përpëlitje të lehtë qerpikësh si zulmë kënaqësie adhuruesit. Lërë mos e nga. Vështirë të mos e besosh se në të shkruarën publicistike ishte sqimëtar, lojën me fjalën e kishte sipas parimeve bartiane, të krijosh për kënaqësi të tekstit.

Referencat i kërkonte te “reaksionarët” dhe jo te “realizmi socialist”, shumëkush i bënte marshallah. Ta mbushte mendjen se më përzemër kishte “Hyllin e Dritës” se “Zërin e Popullit”,  tek e përqeshte me krusem këtë të fundit. Kështu u bë edhe katolik se nuk duronte dot “orientalizmën”. U gëzuan disa.
Nuk ngurronte ta fyente historinë që bënte Paskali me Puton si tipologji në emër të së vërtetës. Tani thonë që Paskalit i ka besuar  vetë reformën e të gjitha institucioneve që shkruajnë Albanologji e Histori. Komandant e komisar Enverin do keni të parë! Do gëzohen disa.

Si ish-pedagog dhe si piktor diti të luajë me ngjyrat dhe kështu ka  krijuar kultin e fasadave. Në Tiranë si kryebashkiak, aty ku pat kioska i hoq e mbolli pemë dhe ku pat pemë, i hoq e mbolli pallate, të cilave u vuri festen sipas kokës. I leu me përbuzjen e vet ose me shigjeta apo me forma nga ato të çorapeve të kombinatit tekstil.  Dikur vetëm mbulohej kur nuk ishte në plazh, ndërsa tani vishet me naze e ojna duke shfaqur kujdes për detajin.

Me të tillë vëmendje dhe përkushtim bëri odën VIP të pritjes në Rinas dhe mbushi bulevardin me martirë kur mbërriti Françesku, Papë. O sa mirë thamë. U gëzuam neve.  
Tre lapsat e tij ngjyrosen shumë tituj gazetash kur ndodhi gjëma e Sharli Hebdosë. Po kështu ka dy vjet që punon e punon për të kthyer në fe pallatin e Kryeministrisë. Nuk është çudi që nga vjeshta ndonjë ministri t’i kërkojë vetofrim që të muroset sipas legjendës që punët t’i shkojnë mbroth. Një sallë e pagëzuar si e hartave dhe një tjetër mbledhjesh çoç duken. Po ashtu edhe palmat nga Vora në Tiranë pëlqesë e tij janë. U gëzuan disa, do gëzohen edhe ca të tjerë.

Nëse duam të zbulojmë a hynë te shijet e tij rrugët, autostradat, tunelet, ujësjellësit, shkollat, punësimi, rrogat dhe pensionet, rendi publik, zgjedhjet e ndershme dhe të lira, pavarësia e institucioneve, dekriminalizimi dhe zbatimi i ligjit, kam frikë se do të rrudhim ballin si zhgarravinë tek na rezulton që Kryeministrit tonë 51-vjeçar, që i urojmë jetë të gjatë sa malet, këto i duken çështje të Lumpenit. Ato nuk janë lëndë prej të cilave del ornamenti i rafinuar, dava populli. Aty nuk projektohet klas dhe elegancë. Aty qelbet varfëri dhe halli ndot gjithandej. Aty detaji then kokën si daci në govixh. Po  mërziten shumë veta.

Nuk do të merresha me punë shijesh në këtë vapë, e cila është armike e shijes nëse nuk do më tërhiqte vëmendjen lajmi se Këshilli i Radiotelevizionit dështon për të tretën herë për të zgjedhur drejtorin e përgjithshëm të medias kryesore publike në vend. U bëra kurioz dhe pyeta nja dy miq të mitë në këshill: qysh vete kjo punë mo zotërinj? -Keq e më keq, ishte llafi i tyre. U mërzita unë, zeher.

Më thanë se ligji kërkon dy të tretat e votave të anëtarëve të këshillit për ta zgjedhur. Kështu e paska dashur ish-opozita socialiste dikur si garanci që të gjindej medoemos konsensus në zgjedhjen e Drejtorit të madh. Demokratët e prirë asokohe nga Mark Marku në Komisionin e Mediave u paskëshin thënë kështu e doni juve o – ja merreni e ta gëzoni me bereqet, o evlatër. Mirëpo tani u ka mbetur në fyt, u rri ngushtë dhe mallkojnë me kuç e maç dekikun kur sipas parimit punë e mbaruar hesap i qëruar e morën si e deshën. Alfred Peza, vetë ai, paralajmëronte ndryshim në ligj, ndonëse motit e kanë lypur vetë të tillë kundër uzurpimit. Pezmin e

Kryeministrit që do shndërrohet në vullnet politik na përcjell. U gëzuan atëherë, u mërziten tani. Më shumë opinioni i ngratë.
Miqtë më thanë gjithashtu se janë votuar tri herë dy kandidatura, Petrit Malaj dhe Thoma Gëllçi, të cilët nuk arrijnë kuotën, të dy të majtë safi, por njëri rektor universiteti dhe aktor i njohur, ndërsa tjetri ish-kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”.

Përfaqësuesit e opozitës, mesa duket, te Petrit Malaj shohin një person më pak të ndikueshëm nga politika militante dhe e mbështesin si grup pakice, ndërsa tjetrin e do Kryeministri, mesa duket. Nuk e njoh zotin Gëllçi dhe nuk e paragjykoj, por njoh mirë “Zërin e Popullit” e kohës së tij. Një gazetë nostalgjike për diktaturën, me një gjuhë tejet agresive dhe antietike, e cila nuk shkonte aspak në sintoni me reformimin e Partisë Socialiste, duke mbetur si oaz i kohës së ndalur. Për të mos folur për vitet e gjata kriminale të saj para ‘90-s.

Gjithsa, nuk do të thotë që Thomai nuk e ka lënë pas atë histori dhe ndryshuar mjaftueshëm sa të mos meritojë që ta udhëheqë RTSH-në e gjorë rrugëve të bardha të jetës. Ngulmi i Kryeministrit i prish pak punë si fillim se zemëron opozitën, por më vonë mund t’i dalë për mbarë ashtu siç zotit Malaj mbështetja e saj t’i kthehet në “kafshatë që nuk kapërdihet”. Qari mbërrin jakë-jakë.

Emri i kësaj gazete bujëmadhe me kujtoi vetë gazetarët e “Zërit të Popullit”, atij të “vjetrit”, të cilët shfaqen kudo në lamijtë e demokracisë së vërtetë, si disidentë, si demokratë, si kulturologë, si europianistë, si gjuhëtarë, si garantë, si profesionistë etj., aq sa të vjen ta gjuash me mallkime të njëpasnjëshme atë qerrata regjim që i persekutoi dhe të bekosh lirinë që na i ripropozon përsëri si udhëheqës të pagabueshëm.

Pa ta dhe soj e sorollopin e tyre demokracia jonë do të ishte ndryshe, me ta është kështu siç është. Eh ashtu ishte koha more, se po të qe ndryshe, demokraci amerikane e bënin këtu. Sa do gëzoheshim.
Ndoshta edhe Edi Rama e ka kuptuar dramën e tyre të brendshme dhe ka vendosur të ndryshojë këndshikimin, ta masë e presë kohën sipas kutit të Kryeministrit socialist, gjykim ky i ngeshëm, i qetë, reflektiv, nga i cili zbulon se shija e tij e vërtetë është arroganca ndaj ligjit, e cila vetvetiu e shpie te “Zëri i Popullit” si model ideologjik, estetik dhe etik.

Pastaj të tjerat janë xhingla-mingla për gossip. Mua s’më mbetet gjë tjetër veç ta uroj për nënën e të gjitha shijeve: arrogancën. Me një aferim që më del nga shpirti. Biná na e bëre gëzimin, o Kryeveziri ynë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura