Edi, nëse beson se ke partinë më të madhe, prano koalicionet!

Jul 24, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR BIBERAJ  Aleksander-Biberaj

Edi Rama, i tmerruar nga sondazhet e veta, ku del më pak se 30 %, nuk po lë rast dhe vend pa përsëritur si në jerm refrenin se “PS është partia më e madhe në vend”, refren që e përsëriti edhe dje në palaço-parlamentin monist me deputetët-kukulla, si të vetët, ashtu edhe të së ashtuquajturës “opozitë parlamentare”. Natyrisht, ky refren shkon sinkron me skenarin e tij ogurzi për të ndryshuar Kushtetutën me vota të blera mercenarësh, për të ndaluar koalicionet parazgjedhore, me qëllim që pastaj që blejë votat që i duhen për të dalë parti e parë me pushtetin kriminal që ka ndërtuar prej 7 vjetësh, me paratë e pista, me banda dhe me të burgosur me burgim të përjetshëm që po liron çdo ditë. E vetmja shpresë shpëtimi e tij është që duke ndaluar koalicionet me ndryshimet kushtetuese, të fitojë në tavolinë një numër deputetësh (si pasojë e sistemit), pastaj të bëjë të pamundurën që të dalë parti e parë dhe Presidenti ta dominojë për të krijuar qeverinë e re, të blejë edhe ca deputetë të tjerë dhe të krijojë qeveri të re, gjë që s’ka për të ndodhur kurrën e kurrës. Opozita ka kërkuar sistem maxhoritar të kombinuar me atë proporcional dhe Edi e ka kundërshtuar, sikurse ka kundërshtuar edhe listat e hapura deri para disa ditësh.

Opozita nuk ka asnjë lloj problemi me listat e hapura, ato i mirëpresim, por hileja e Kryeministrit qëndron se nëpërmjet listave të hapura, synon ndalimin e koalicioneve, duke synuar të fitojë deputetë në tavolinë. Ky është edhe skenari ogurzi i tij, pasi Edi e di shumë mirë dhe e ka të qartë se nuk ka as statistika dhe as sondazhe që ta nxjerrë “sektin e rilindjes” si partinë më të madhe apo Edi Ramën si fitues në zgjedhjet e ardhshme, përkundrazi, humbja e tyre do të jetë dërrmuese me një diferencë tepër të madhe. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, pasi Edi e përdori PS-në për të marrë pushtetin në vitin 2013, pushtet të cilin ia dhuroi “sektit rilindës”, dhe me të marrë pushtetin braktisi PS-në dhe socialistët, dhe sot realisht e ka tkurrur PS-në dhe shpërfytyruar aq shumë që kur e mori drejtimin e saj ne vitin 2005, saqë, sot, ajo që ka mbetur nga PS-ja e katandisur në një “maxhorancë” me votat e vjedhura të vitit 2017, ngjan më shumë me një bandë piratësh të shpartalluar sesa një partie politike të organizuar.

Ish-PS është bërë njësh me Edi Ramën, nuk ka asnjë lloj zgjedhjeje në parti, asnjë lloj forumi dhe askush nuk guxon të flasë përveç “liderit suprem”, duke e katandisur me keq se Enver Hoxha PPSH-në. Nëse marrim si të mirëqenë pjesëmarrjen në votimet moniste të 30 qershorit 2019, “sekti rilindja” nuk kaloi as shifrën e 10 %, ndërkohë që në mjaft raste shifrat e pjesëmarrjes nuk i kanë kaluar as vlerat e 3 apo 5% (në shumë qendra votimi, përfshirë edhe bastione të së majtës), ndërkohë që ka pasur qendra votimi me 0 % pjesëmarrje. Dhe nëse i referohemi përsëri “rezultatit zyrtar” të 30 qershorit, ku “rilindja” i bëri të gjitha vetë dhe pavarësisht se e nxori vetë rezultatin e votimit monist një muaj pas votimit, përsëri nuk e nxori dot veten parti e “madhe” “maxhorance”.

Përkundrazi, “rilindja” rezultoi shumë e tkurrur dhe në minorancë shifrash. Është më se e qartë se pas 7 vitesh dështimi total të një qeverisjeje të zhytur në krim, korrupsion dhe paaftësi, pa sistem drejtësie, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një varfëri ekstreme, me një keqmenaxhim dhe abuzim të tmerrshëm të situatës së tërmetit dhe të pandemisë, dhe ku prej një viti e gjysmë i ke 100 % të të gjitha pushteteve, atëherë realiteti kuptohet që nuk të jep “trofeun” e partisë më të madhe.

Dhe ajo që u vë vulën gjithë zarareve të “rilindjes”, është mënyra sesi po kacavirret Edi për Reformën Zgjedhore, degë më degë, duke treguar më së miri frikën dhe panikun nga humbja e pushtetit nëpërmjet votës së lirë dhe për të shmangur katastrofën që e pret, po luan me zjarrin, me nervat dhe durimin e shqiptarëve, duke provokuar ndryshimin e Kushtetutës pa asnjë lloj konsensusi politik me opozitën, me shoqërinë civile, me konstitucionalistët, me grupet e interesit apo edhe dhe faktorin ndërkombëtar, si të jetë dukë i dhënë ndonjë koncesion PPP qindra milionë euro apo tender dhjetëra milionë euro me prokurim të drejtpërdrejtë klientëve të vet. Kushtetuta në Shqipëri gjithmonë është ndryshuar me konsensus të gjerë politik dhe jo në mënyrë të njëanshme.

Çdo ndryshim i tillë i njëanshëm do të provokonte një destabilitet të situatës në vend, do të provokonte protesta mbarëpopullore kundër kësaj qeverie të inkriminuar deri në rrëzimin e saj. Harroi shpejt Edi Rama se çfarë kishte premtuar publikisht, duke thënë që “Reformën Zgjedhore ta shkruajë opozita dhe unë do ta firmos në letër të bardhë”. Atëherë, mbylle këtu historinë e Reformës Zgjedhore me miratimin sot në Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit të dakordësuar me ambasadorët e SHBA-së, BE-së, OSBE-së dhe Britanisë së Madhe.

Pse përpëlitesh jo lista të hapura, jo gjysmë të hapura, jo 2/3 jo 1/3, jo koalicione apo gjysmëkoalicione, duke dhënë leksione, për të cilat s’ka nevojë askush. Çdo njeri që merret me politikë, duhet ta dijë se kur vjen ora e së vërtetës, ora e përballjes me realitetin, duhet të përballesh me dinjitet, pasi pushteti nuk është i përjetshëm, populli ta jep dhe po populli ta merr pushtetin. Edi, ke 22 vite në politikë dhe duhej të kishe përgatitur një “exit-strategy” (strategji dalje), pasi nuk ka gjë në botë që e ndalon ndryshimin e madh të pushtetit. Zullumi është trashur aq shumë, sa mund të këputet nga momenti në moment, pasi situata i ngjan një dhome të mbushur me gaz, ku mjafton një shkëndijë që të shpërthejë urrejtja dhe zemërimi popullor kundër teje dhe bandës që ke në pushtet. Gjithsesi, je akoma në kohë për të analizuar dhe kuptuar se ku ishe dhe ku je e për të vendosur se ku dhe kur duhet të shkosh. Tani është koha të shkosh e të mos luash më shumë me durimin e një populli të tradhtuar, të varfëruar deri në palcë, të përbuzur nga qeverisja juaj, më e keqja e 30 viteve të fundit. Ke 22 vjet që i ke marrë këtij populli gjithçka dhe në këmbim s’i ke dhënë asgjë, “enough is enough”, (mjaft është mjaft)!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura