Edi Muka një bisedë mbi kuzhinën e artin shqiptar

Mar 17, 2016 | 11:32
SHPËRNDAJE

Shtëpia e Artit në Shkodër kthen, qoftë edhe për pak, në Shqipëri, kuratorët Edi Muka dhe Joa Ljunberg. Nga sa mësohet, Muka do të ngrejë një debat me shije kulinarie. E ka titulluar “SI TË GATUAJMË – një bashkëbisedim mbi gatimin, ndershmërinë dhe një udhëzues për punëtorët e kulturës në Shqipëri”.

Edi Muka dhe Joa Ljunberg
Edi Muka dhe Joa Ljunberg

Titulli “Si të gatuajmë”, me sa duket nuk është thjesht një metaforë, mbi atë çka “gatuhet” në artin shqiptar, por me sa duket ka edhe kuptimin e saj të drejtpërdrejtë. Sipas organizatorëve, Muka do të lidhë idenë e gatimit me atë të kurimit të ekspozitave, ndaj edhe ditën e bisedës, në 23 mars, pjesëmarrësit në takim duhet të mendojnë për një pjatë të cilën e kanë për zemër, të gjejnë recetën e saj me pak historik e ta marrin me vete.

Ndërsa Ljunberg do t’i prezantojë publikut “THE NEW HUMAN”, një ekspozitë-video që eksploron artistikisht gjendjen tonë njerëzore, ndërsa projekton skenarë imagjinarë të së ardhmes. Në këtë projekt marrin pjesë artistë të ndryshëm, si Ed Atkins, Harun Farocki, Isaac Julien, Helen Marten, Daria Martin, Ursula Mayer, Adrian Paci, Frances Stark, Hito Steyerl, SUPER-FLEX, Ryan Trecartin. Joa Ljunberg është kuratore pranë Moderna Museet në Malmö-Suedi që nga maji 2009.

Ajo ka qenë kuratore për Agjencinë e Artit Publik në Suedi. Që nga viti 2014 është kuratore e ekspozitës në grup “THE NEW HUMAN”. Të tjera ekspozita të kuruara nga Ljungberg janë Arcadian Bliss to Painted Exorcism me Pablo Picasso (2014), Rip Image me Tala Madani (2012), Plegaria Muda me Doris Salcedo (2011), The Girl, The Monster and the Goddess me Niki de Saint Phalle (2011), And Europe will Be Stunned me Yael Bartana (2010). Ajo ka qenë kuratore e shumë projekteve artistike publike si në rastin e Fruit and Energy Farms in a Public Square me Marjetica Potrc dhe Stealth (2010); Traveling North me Franz Ackermann (2006) dhe For Karlstad me Jenny Holzer (2005). Së bashku me Edi Mukën, në 2007-n ka kuruar edicionin e katërt të Bienales së Artit Bashkëkohor në Göteborg, të titulluar “Rethinking Dissent”, ndërsa në 2008-n drejtoi Bienalen e Artit Bashkëkohor në Tiranë.

Edi MUKA është kurator dhe kritik arti. Ai ka qenë drejtor i Bienales së Tiranës, bashkëthemelues dhe kurator i Tirana Institute of Contemporary Art (TICA), si dhe kurator e drejtor artistik (së bashku me Joa Ljungberg) i Bienales së Artit Bashkëkohor në Göteborg. Ai ka qenë drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, në vitin 1999, si dhe kurator i Galerisë Kombëtare të Arteve nga 2001-2006. Edi Muka ka kuruar shumë ekspozita në Tiranë, Milano, Berlin, Stockholm, Tel Aviv, New York, nga ku mund të përmendim edhe ekspozitën e Pavijonit Shqiptar në Bienalen e Venecias në vitin 1999. Ai shkruan vazhdimisht në revista dhe katalogë ndërkombëtarë të artit bashkëkohor, si “Përpjekja”, “PamorArt”, “FlashArt”, “Springerin”, “Camera Austria”, “Manifesta Journal”, “Frieze”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura