Edhe Urdhri i Infermierit thirrje për punë në Gjermani

Oct 2, 2015 | 12:13
SHPËRNDAJE

Joshja për të ushtruar profesionin larg Shqipërisë sa vjen e bëhet më prezente, veçanërisht te bluzat e bardha. Nuk janë vetëm pagat e larta ato që po inkurajojnë infermierët që të shohin si perspektivë të mirë punësimin në Gjermani, por edhe institucionet, në rastin konkret apeli vjen as më pak e as më shumë nga autoriteti që ka në ngarkim licencimin e tyre.

Infermiere gjate nje trajnimi
Infermiere gjate nje trajnimi

Urdhri i Infermierit, përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ka lajmëruar hapjen e aplikimeve në konkursin që mundëson punësimin në Gjermani. Të interesuarit, specifikohet në njoftim, kanë afat deri në 10 tetor për të depozituar dokumentet që nevojiten. Gjatë kësaj periudhe ata po ashtu do të kenë mundësi për t’u njohur me ofertat e kompanisë gjermane që ka marrë përsipër nënshkrimin e kontratave.

“Urdhri i Infermierit është në negocim me një kompani gjermane për punësim infermierësh në rolin e asistentit në Gjermani. Kandidatët të paraqesin dosjen me dokumentet e mësipërme dhe të jenë pjesë e listës që kompania gjermane do të përzgjedhë në testimin që do të bëhet në Tiranë, në fund të tetorit, si për gjuhën, edhe për nivelin profesional”, bëhet e ditur nga UISH.

KRITERET
Sipas njoftimit të institucionit të Urdhrit, kandidatët duhet të plotësojnë disa kritere për të marrë pjesë në konkurs. Kështu, përveç diplomës së infermierisë, kërkohet leja e ushtrimit të profesionit, zotërimi i gjuhës gjermane, si edhe eksperienca në punë. Dorëzimi i dokumenteve që vërtetojnë këto kushte duhet të bëhet deri në datën 10 tetor. “Të gjitha këto dokumente dorëzohen pranë UISH, ku njihen dhe me kontratën e punës së kompanisë gjermane deri më datë 10.10.2015”, thuhet më tej në njoftimin e UISH.

KURSET
Muajt e fundit kanë regjistruar emigrim në shifra shqetësuese të profesionistëve të shëndetësisë. Kjo mund të vërehet edhe nga frekuentimi i qendrave të mësimit të gjuhëve të huaja. Kurset intensive të gjermanishtes po dominohen nga infermierët, të cilët po shohin si zgjidhje largimin drejt një alternative më të mirë. Ky fenomen, ndonëse i zymtë, është një pjesë nga sfondi i realitetit që të gjithë ndeshim çdo ditë. Por ajo çfarë është më e dhimbshme në gjithë këtë plagë sociale që ka nisur të majiset është fakti që askush nuk po vë dorën për ta kuruar.  ADA HAZIZOLLI

KUSHTET PER INFERMIERET

KRITERET

1. Formimi Bachelor i akredituar
2. Leje e Ushtrimit të Profesionit në Shqipëri
3. Eksperiencë pune si infermier
4. Gjuha gjermane në nivelin B1 – B2
DOKUMENTET
• Kërkesë
• Diplomë
• Leja e Ushtrimit të Profesionit
• Libreza e Punës ose Vërtetim nga qendra e punës
• Dëshmia e gjuhës gjermane

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura