“Edhe pse i lajmërun me marr pjesë n’mort, natën vonë, prindët e mij dhe gjyshen e moshume, i nxorrën prej shpis, mes atij dimni t’ egër, pasi…”! / Historia e pabesueshme, në Mirditën e vitit 1984… !

May 20, 2022 | 7:16
SHPËRNDAJE

e32df2da-2343-44a7-9565-a21cc5523b50-750x375

Nga Dodë  Mëlyshi                 

Memorie.al/ Duhet të ketë qenë fillim dhjetori i vitit 1984. Në nji natë dimni të egër e me borë, dy burra e nji grue, kush ma shumë e kush ma pak afër të 45-ve, e së bashku me to nji plakë jo fort shëndet mirë, që i kishte kalue të 70-at, gjendeshin natën vonë afërsisht ora 22.00, në udhëkryqin e katër rrugëve, mes maleve të Kaçinarit të Mirditës. Kishin detyrim imediat dy gjana; të ndiznin nji zjarrm, sekond e ma parë mes pyllit, për me shpëtue jetën prej t’ftohit t’egër, e të mendonin një mënyrë urgjente, si me u kthye në shpiat e tyne, të cilat gjendeshin në Kodër Rrëshen, afër qytetit të Rrëshenit. Distancë e pamendueshme dhe e pamundun me u ba në kambë (duhet të jenë së paku 20 km.), në periudhë vere e me kohë të mirë, jo ma në nji natë dimni të zezë!

Edhe zjarrmi nuk ishte i lehtë me u ndez në një natë të tillë me borë. Për fat, bora nuk qe shumë e dendun, e klima disi e thatë, i ndihmoi këta me rrëmue në ndonji skutë apo guvë, e me sajue do gjethe e krande, e copa drunjsh të thata, e kështu me përmbush detyrën e parë: zjarrmin ndezun anës rrugës…! Historia që vijon, asht ndër historitë ma të trishtme, ma absurde, ma të turpshme, e ma të pakuptimta, që goja e njeriut mundet me rrefy, përjashto ato me raste vdekje.

Dy burrat e dy gratë që gjendeshin në orët e vona të natës në mesin e dimnit të vitit 1984 nëpër malet e Kaçinarit, në kërkimin gati të pashpresë me ba nji flakë zjarm, qenë baba e nana, bashkë me gjyshen tonë, e me kushrinin e parë të babës. Ndodhia pse gjendeshin në këtë situatë të pabesueshme, ishte sa e thjeshtë, aq edhe trishtueshme!

Në paraditen e asaj date, në shpiat tona kishte mbërrit një telegram vdekjeje, me anë të cilit lajmërohej, se kishte ndërrue jetë nji plakë e vjetër, bijë Shpie, e martueme në fshatin Simon të Kaçinarit. E të mitë ishin të thirrun në mort. Kjo plaka, nuk ishte fiks e trungut tonë familjar, por duke qenë se nuk kishte as motër e as vëlla, shpinë tonë njihte për derë kryesore prindësh, e pasardhësit e saj, na njihnin për ‘daja’ të trungut.

U banë gati e u nisën majë një kamioni rrugëve me gurishte të Kaçinarit, e duhet të kenë mbërritë te shpia e nipave ku ishte cermonia mortore, diku aty nga muzgu. Gjyshja ime, bijë e fisme Lekgegajsh, gruaja ma e zgjuar me personalitet e bujare që mundet me njoft njeriu, si kundër e thashë ma sipër, edhe pse nuk ishte fort shëndet mirë (në fakt aty e dy tri vite ma vonë do ndërronte jetë edhe vetë, ndjesë pastë), kishte kambngul me shkue edhe ajo në mort, e me i dhanë lamtumirën e fundit fort të rrespektuemes bijë të derës së burrit.

Në mbrajen vonë, me sa duket brenda shpiave të nipave tanë të shumtë në numër, kishte plas një debat, apo ma mir me than: nji sherr i forte! Dikush kishte hedh idenë, se: Mëlyshajve me biografi të keqe, ishte ba gabim i madh, pse ishin thirrë në mort, ndaj duheshin përjashtue nga kjo ceremoni, nji sekond e ma parë. ‘Partizanja’ më e fortë e kësaj ideje, në emën të ‘luftës së klasave’ qe nji grue e tyne, sekretare partie. E burrat e shpisë, pra si për ironi të fatit, djem e nipa të një ndër burrave ma të urtë, e ma me emër që Mirdita kishte njoft ndonji herë (po s’qenka gja për të thanë), i ishin përul vullnetit të “shoqes sekretare”…! Edhe shumë faj nuk kishin, sepse ku përmendej emni “Partia”, kundërshtimi në Mirditë asokohe, qe i vështirë, në mos i pamundun!

E kshtu Mëlyshajve, dajave, u kërkohet falje për “gabimin metodik” që ishte ba me nisjen e telegramit, e në emër të ‘luftës së klasave’ u kërkohet me dal prej shpie. Në mes të dimrit, natën vonë, me nji plakë me vete!

Ç’ka pa Zoti mrekulli!

E pabesueshme! Veçanërisht kur mendon vështirësitë gjeografike, distancat, kushtet e klimës!

Baba, nana e gjyshja, marrin e nisen me dalë. U bashkohet atyne edhe kushrini i babës, fisnik i përhershëm, anipse në ‘hirarkinë patologjike’ të shoqes sekretare, ky nuk ishte klasifikue me biografi të keqe.

Thuhet se në ato shpia kishte vazhdue debati i fortë. Dikush ndër nipat, i shtymë nga një grimcë e fundme krenarie e dinjiteti, kishte thërrit me t’madhe: “S’mi nxjerr kush, e as Partia, as organizatat e masave, dajat jashta n’dimër, mue”!

Madje, kishte ndjek nga pas babën, t’ue i kërkue falje, e t’u i’u lut me kthy t’u shpia e tij, se i mbante vetë të gjitha përgjegjësitë!

Por, ‘mosmarrëveshja’, tashma e kishte marrë teposhtën. Edhe me u ngjall prej arkivolit e vdekja vetë, se kthim mbrapsht, nuk kishte!

Me dal përjashta i fjalë goje, po ku me shkue, në natën vonë mes malesh me bore…?!

Si me u kthye në ship, e si me prue gjyshen e vjetër, shëndosh e mirë mbrapsht!

“Ishëm aty ku koritet burri…” – m’pat thanë baba kohë ma vonë.

Mbas nji cop rruge, në nji kryqëzim, (rrugët, t’i imagjinojmë pak a shumë si rrugë traktorash, mes shkurrnajash e pyjesh), u ba e mundun me ndez nji zjarr. Ndërkohë, baba provon nji tentativë të vetme e t’fundit, për mos me e kalue tan natën përjashta.

Fshatrat e kooperativave, shpesh herë kanë qenë pajisë me do telefona ndërlidhës. Ishin telefona pa numër, funksiononi me një manivel të vogël, e lidheshin me qendrën e kooperativës.

Diku, 20 apo 30 minuta me kambë nga ku kishin ndez zjarrmin, gjendej një e ashtuquejtun kabinë e tillë, dezhurni. Ndoshta edhe nji qendër brigade afër, apo ndërtesa e nji shkolle fillore gjithashtu. Këto kabina kanë pasë përherë afër tyne do sirena alarmi manuale, prej disqesh hekuri, të mbështetme mbi një trekandsh, kështuqë, në qoftë se na sulmonin forcat imperialiste amerikane, ato revizioniste sovjetike, apo ato kapitaliste botërore, ne, me një telefon me manivel, e një sirenë alarmi, gatiteshim e mbroheshim. Kam përshtypjen se Dritëroi, kur recitonte “ngrihem (e kap pushkën) kur dëgjoj sinjalin alarm”, ishte frymëzuar nga këto mekanizma, sirena-alarmi.

Tek ky dëzhurn, e te aj manivelë telefoni, gjendej shpresa e fundit e këtij grup njerzish atë natë. Në qendër të kooperativës së Kaçinarit (me duket se asht Arrëzi), krejt afër me telefonin e dezhurnin përkatës, ndodhej shpia e nji shoku e kolegu pune, të çmuem.

Quhej Marka Shkurti.

Nuk e kam idenë pse ne mirditorët, në shumicën e rasteve, kur thërrasim emrin Mark, njëkohësisht më mbiemër, i bashkangjesim këtij mbrapashtesën “a”. Kështu e thërrasim, e kështu po e shkruej!

Im atë, thërret me telefon dezhurnin e qendrës së kooperativës, e i kërkon nderen, me shkue t’e shpia e Marka Shkurtit, e me i thanë se Bardhok Biba, gjendet në filan vend (ose ma mirë në filan shpat mali), e ka nevojë me ardh me e marr, e me e çue në shpi. Por nuk asht vetëm, asht me njerëz, ndaj duhej edhe rimorkja. Marku ngiste një ‘Zetor’ (edhe emërtimi “Zetor”, ka nji histori më vete, ashtu sikurse “Sata” e “Skoda”) “Universal”, markë lindore automjeti, ndoshta çeke, o bullgare. ‘Zetori’, ishte gati i ri, kshtuqë hala i pa pajisunë me kabinë. Dezhurni matanë telefonit, i kthen përgjigje, se Marku (për fat) gjendet në ship, e po niset me vrap.

Nji hall i madh po merrte zgjidhje, mes asaj nate t’errët e t’pa shpresë dimni, mirditore.

“I pamë dritat e ‘Zetor’-it prej larg, ishtu t’u hec Marku sa s’nxirrte ma. Erdhi pa frymë e ndaloi anash zjarrmit. I foli nanës, ndërsa hiqte nji pelerinë praj shpatullave t’veta, e i’a hidhte kësaj në trup: ‘Mos u mërzit o nana e Bardhokut, se t’ çoj unë ku shpia, sa e hap e mbyll sytë”! – rrëfente baba, sa herë e ia kam pyet këtë histori absurde. E çdo herë që përmednete, atë sekond i dridhej mjekrra nga përjetimi! E motiviteti i ndodhisë ishte shterrues!

“Hoqi pelerinën prej trupit t’vet, i’a hodhi gjyshes në shpinë, dhe e ngushëlloi edhe me fjalë…”, m’ë tregonte baba – dhe kjo gja, asht stampos në kujtesën time, si gjesti ma fisnik e emocional, që do mundem me provue ndonji herë. Qoftë bekue ajo dorë që e ka ba!

Rruga prej Simonit të Kaçinarit, e deri n’ Rrëshen, nuk ishte punë minutash, zgjaste edhe një orë e gjysëm! E qe e vështirë. Kush e ka provue me mbshtet duart në nji hekur në temperatura poshtë zeros, e me i mbajt ma tepër se një minut, e kupton mirë ç’ka do të thotë. E këta, duhej me u mbajtë për nji ore e gjysëm, n’ato hekura rimorkje. Për fat, të paktën bora qe e lehtë dhe jo e dendun.

“I ftohti i asaj nate s’më ka kalue edhe për nji muej rresht”-pohonte nana, vite ma vonë. Gjithsesi erdhën shëndosh e gjallë në shpi.

Kur e kam pyet babën shumë vite ma vonë, se: a rrezikonte Marku me këtë niciativë, ai m’asht përgjigj: “Në jetën time, jam detyrue me kërkue shumë ndera miqve e dashamirve, e pa ndihmën e tyne, do kisha përfundue në burg politik, padyshim. Por kam pas parasysh dy faktorë; të mos rrezikonte shumë ai që ma bante nderën, e sa i zoti ishte për nji punë të tillë. Diktatura ishte e paparshikueshme, garanci absolute për mos rrezikim, s’kishte kurkush, sepse s’e pati as kryeministri, Mehmet Shehu. Ndaj Marku, kishte disa rrethana favorrizuese, por ai, Marka Shkurti, ishte aq trim e fisnik djalë, saqë nuk merrte parasysh edhe rrezikun eventual, në nji rast të tillë”!

Atë mëngjes, na fëmijët ndërsa shkonin për në shkollë në Rrëshen, për me u ruejt ma shumë prej baltës, hapat tonë i mbështetnin në gjurmët e gomave të reja të nji traktori “Universal”, që në ora dy mbas mesnate, kishte prue njërzit tonë në shpi. Ishim shumë të vegjël me pyet, por mjaftueshëm të rritun me kuptue. E kuptonim se nji histori e mbrapshtë dhe e turpshme, kishte ndodh!

Në qendër të saj gjendej “dinjiteti”!

Të atij që nuk e kishte fare, e të atij që e kishte me tepri. E prindërit tanë të shkretë, që për me na rrit e shkollue, punonin pa pushim me orë të gjata, n’ punë të mundimshme e të lodhshme, a thue se nuk u mjaftonte kaq, pikërisht pse dinjitetin e kishin me tepri, kjo ngjarje do u’a shënonte humorin, për shumë e shumë kohë ma vonë.

Gjyshja ime, me gjithë fatkeqësitë e vuejtjet që kishte kalue në jetë, t’ue fillue që nga vrasjet, q’i shteti komunist i kishte ba burrit e vëllait t’saj, do jetonte mjaftueshëm, me përjetue edhe një maskardë të tillë të pandigjueme!

Ndër gjithë përcaktimet e “armikut të klasës”: i de-klasue, biografi të keqe, kulak, i prek, etj., ma i papërshtatshmi ishte termi “kulak”. Kulakët, huazuem nga rusët, duhet të ishin latifondistat. Ku kishte kulakë Mirdita, ku mirditori ma i mire, mezi kishte dy ngastra tokë, e dy krenë dhi, ma tepër se shoqi?!

Ndërsa ma i gjetuni, ka qenë termi “i prekun”. I prekun, tamam si prej nji kolerje, tamam si prej noji murtaje. Kjo ishte mendësia e botëformimi, me të cilën po pregaditej “njeriu i ri”.

Rracizëm i gjallë, i ushtrue nga shteti, vetëm se rracizëm, brenda së njajtës rracë!

Kush ka lexu librin “Murtaja” të Albert Kamysë, mundet me kuptue impaktin emotiv, e se si të “prekunit” në Shqipni, si  prekunit prej kolerës tek romani, përjetonin këtë luftë absurde e të pakuptimtë klasash! Pastaj nuk ishte edhe thjeshtë çështje klasash. Absurdi ishte më tepri, sepse edhe brenda së njajtës familje, bahej ndarje klasore! Dy vëllazën pra, i përkisnin dy klasave të ndryshme, me urdhën partie. Mozomakeq, marri totale…!

Dikënd shteti e bënte ‘Hero’ dëshirë e pa dëshirë, e vëllain ia bënte ‘armik’, meritu e pa meritu! Vendoste diktatura, një Melysh e shpallte ‘Hero’, se kshtu i’a kriste asaj, e 50 të tjerë, ‘kulak’, kshtu i’a kriste sërish. Një Gjomark ‘Hero’, me urdhën, e 50 të tjerë ‘armiq’, përsëri me urdhën, dashtë e padashtë, meritue e pameritue!

Heronjt e armiqt si gurët e shahut!

E Mirdita gjendej në terrin e zi.

Historia e masipërme na tregon, se jo vetëm ishin shkatërrue totalisht dy shtyllat ku mirditori i vorfën kishte mbshtet ndër shekuj e historikisht ekzistencën e veçorinë e tij: “Besa e mikëpritja”,…por qe shkatërrue totalisht natyra njerzore, e shpërfytyrume kjo në një egërsinë të pamëshirshme, e pa asnji vlerë elementare humane e civile, e boshatisun nga çdo sentiment njerzor…!

Gjithsesi, gjurmët e gomave të traktorit atë mëngjes dhjetori ndërsa shkonim në shkollë, si për mrekulli, në mendjet tona fëmijënore i ngjanin gjurmëve të nji kali të bardhë, i huazuem kushedi nga cila legjendë e largët antike, që sillte n’ shpiat tona, jo vetëm njerzit gjallë e shëndosh, por dritën e nji shprese të pashueme…!

E gjesti fisnik i Marka Shkurtit, asht i fundëm vlerash, që si nji rreze drite, e si nji rreze shprese, e nji kundramizure në terrin a natës mirditore, të fillim viteve ’80!

Sikur me na mësue e dëshmue, se realiteti mirditas do e gjendte brenda trupit të saj, shërimin!

(Shënim: Çdo herë që përmend termin “shoqe sekretare e partisë”, kam parasysh edhe faktin tjetër, se në atë parti, përveç segmetesh të errta injorante e kriminale, kanë aderue edhe nji armatë njerzish të ndershëm, e që kanë pa thjeshtë punën e tyne. E jo vetëm që s’i kanë ba keq kujt, por me të gjitha mundësitë e tyne, kanë zbut e amortizue sadopak, impaktin negativ të nji sistemi, të lindun e planifikue mbrasht që në krijim! Respekte për ta!). Memorie.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura