Edhe një herë për Teatrin

May 29, 2020 | 9:49
SHPËRNDAJE

BALIN GJINI 

teatri

Gjithnjë kam menduar se urrejtja e Ramës për kulturën dhe njerëzit e saj vjen nga paranojat dhe nga dështimet e tij. Ashtu siç shpjegon Shperi, arkitekti personal i Hitlerit, njeriu paranojak është qenia me natyrë të dyfishtë: ai kërkon armiq dhe admirues njëherazi. Armiqtë për të justifikuat dështimet, admiruesit që t’i shtypë me putrën elefantërore, apo t’i mbysë si miza në ballgamin e pështymës së vet. Ai shkatërron dhe ndërton. Hitleri shpjegon se si Geringu do të digjte Londrën me bomba me gaz, se si flakët do të përpinin shtëpinë. Dhe e gjitha kjo e ngazëllente. Kujtoni se si Rama i hodhi në erë disa pallate me dinamit, teksa vetë rrinte diku më larg dhe i sodiste, duke mbajtur në sy dylbi, siç mbajnë spektatorët në një shfaqje teatrale.

Shperi shpjegon se Hitleri s’e shkatërroi Parisin, ngaqë donte ta kishte si model krahasimi. Shëtitorja “Champs Elysee” është dy kilometra e gjatë, Hitleri do të ndërtonte shëtitoren e tij në Berlin, pesë kilometra. Harku i Triumfit është pesëdhjetë metra i lartë, Hitleri do të ndërtonte një të tillë njëqind e njëzet metra të lartë. Statuja e Lirisë në Nuremberg do të ishte katërmbëdhjetë metra më e lartë se Statuja e Lirisë në New-York. Rama do të ndërtojë një teatër që do të jetë nga më të mirët në Europë dhe që do të kushtojë rreth tridhjetë e pesë milionë euro. E thotë shkoqur këtë shifër, duke e ndierë kënaqësinë te çdo shkronjë e shqiptuar, sepse paranojaku, i prirur nga ndjenjat e tij nekrofile, sheh te shifrat diçka tejet më të bukur sesa vetë njerëzit. Veprat publike përbëjnë për njeriun e dështuar një lloj triumfi të zi, për ato gjëra që s’i ka bërë dot në jetë.

Paranojaku nuk ka opinione, por bindje absolute, fanatike. Ai lufton për to pa u zmbrapsur, me ngulm, me kryeneçësi gjer në dhimbje, në gjak. Hitleri do të priste gati njëzet e pesë vite për të realizuar planet arkitekturore, Rama njëzet e një vite për të prishur Teatrin Kombëtar. Për të realizuar ato që të dy kanë vepruar pa shpirt, pa dhembshuri. Me gjakftohtësi katilësh. Në një natë të errët e vrau Hitleri mikun e tij më të ngushtë, në një natë po të errët e prishi Rama Teatrin. Kënaqësia e shkatërrimit tek ata është e jashtëzakonshme. Është kënaqësia t’u prishësh të tjerëve festën, të vrasësh nusen në ditën e dasmës. Që të dy ishin piktorë. Që të dy të dështuar.

Që të dy kanë gjuhën dhe simbolet e tyre, që lidhen me shkatërrimin, por që shfaqet edhe si kult i përjetësisë dhe i rinimit të përjetshëm. Hitleri fliste për zgjidhjen përfundimtare, Rama flet se ne s’kemi parë gjë akoma. E dimë se profeti Nembrod, para se Zoti të shembte kullën e Babalionit, mori një tufë papagajsh dhe u mësoi gjuhën e vjetër. Që të mos harrohej. E dimë se Hitleri dhe Rama, të shfaqur si profetë të rinj, kanë bërë të kundërtën: admiruesve ose papagajve të tyre nuk u kanë mësuar gjuhën e vjetër, por gjuhën e tyre të re. Kështu bëri Hitleri, kështu po bën edhe Rama. Ky i fundit është i rrethuar nga një shpurë prej erionveliajsh, taulantballësh, elisaspiropalësh, të cilët përsëritin papagajçe gjuhën e tij. Kjo e kënaq paranojakun, por edhe e mërzit. Ai mund t’i puthë në ballë admiruesit, t’i çojë në shtrat, por edhe mund t’i shajë me rrënjë e me degë, t’i qëllojë me shpulla në faqe dhe me shkelma bythëve.

Paranojaku është i kapluar nga guximi dhe nga frika njëherazi: Hitleri iu turr të gjithë botës dhe e mbushi me kryqe varresh. Por, kur erdhi puna te fundi, u struk i frikur si iriq te një tunel antiatomik. Rama i është turrur kujtdo: opozitës, mediave, gjykatave, parlamentit. Ama, është strukur së bashku me breshkat te shtëpia-tunel në Surrel.

Paranojaku dështak, i prirur nga deliri i madhështisë, i imagjinon veprat e veta të përjetshme. Hitleri i thotë gruas së Shperit se burri i saj po ndërton gjëra që s’janë ndërtuar qysh prej katërmijë vjetësh. Diçka të ngjashme tha edhe Rama për veprat e tij, që do të jenë të përjetshme. Por ne e dimë se një i dështuar është në thelb një impotent. Impotencën e tij mashkullore, ai e zëvendëson me kullat fallike…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura