“Edhe muret kanë veshë”/ Dëshmitë e të mbijetuarve të komunizmit: Jeta ishte mollë e ndaluar

May 17, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Jeta për ne ishte mollë e ndaluar”. Kjo fjali e ftohtë, e hidhur, hidhte dritë prej mureve të kalasë së Gjirokastrës, mbi qytetin e gurtë. Kush mund ta thoshte diç- ka të tillë. Si mund të jetë jeta “mollë e ndaluar”, kur ajo të është dhënë?! Por ja që kështu ka qenë për jo pak shqiptarë gjatë viteve të diktaturës. Për jo vetëm ata mijëra të burgosur, qindra mijëra të internuar, por për të gjithë shqiptarët, që për 45 vjet përjetuan një prej izolimeve më të egra që ka njohur historia. Shprehja e mësipërme ka dalë nga goja e një prej të mbijetuarve të ferrit komunist.

04

Është një nga shumë të intervistuarit, në kuadrin e projektit “Përkujtojmë, për të shëruar dhe parandaluar”, i zbatuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe qeverisë së Italisë. Ky projekt ka për qëllim të mbledhë dëshmitë gojore të të mbijetuarve, ish-të dënuar e ish-të internuar, për të plotë- suar në këtë mënyrë gjithë panoramën e përndjekjes së ekzekutuar gjatë diktaturës komuniste; për të kuptuar mekanizmin e dhunës dhe të përhapjes së frikës. Që ky projekt të mos mbetej vetëm në letra, por të mund të prekte çdo shqiptar, u mendua që copëza eksperiencash, përjetimesh, të përcilleshin përmes një instalacioni artistik.

Dc0kFKOWAAEmGnF

SHPREHJET

Nën titullin “Edhe muret kanë veshë”, në datën 8 maj, në 6 qytete të Shqipërisë, në Tiranë, Shkodër, Berat, Korçë, Tepelenë, Gjirokastër u projektuan në fasadat e monumenteve të kulturës apo institucioneve të rëndësishme shprehje të qëmtuara nga intervistat, veprat e ish-të persekutuarve, dorëshkrime, dokumentime, arkiva personale. Fasada e Korpusit të Universitetit, e Muzeut Historik Kombëtar, e kalasë së Gjirokastrës, e ndërtesave karakteristike të Beratit, e pedonales së Shkodrës, kalasë së Tepelenës, Teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, etj., u ndriçuan në të njëjtin moment. Ishte ora 20:00 e datës 8 maj, deri në të gdhirë të 9 majit. Jo rastësisht u zgjodhën këto ditë. Në Ditën e Europës, Shqipëria ofronte një mesazh të mbushur me dhimbje, por edhe me paqe. Një mesazh pranimi dhe njohjeje e një plage të pambyllur për 45 vjet në Shqipëri. Në muret e këtyre ndërtesave u projektuan thënie të At Zef Pllumit, Elena Gjikës, Uran Kostrecit, Sami Repishtit, Ylber Merdanit, etj.. Mjaftojnë ato pak fjalë për të kuptuar atë çfarë këta njerëz kishin përjetuar për vite me radhë: “Ne trajtoheshim sikur nuk ishim pjesë e kombit, lum kush na godiste më shumë, mjerë kush na përkrahte!”; “Isha në moshën kur fillohet të dilet në jetë, por ‘dielli’ që e prodhonte dritën po më perëndonte”; “Ishte dita e parë e kalvarit të gjatë të vuajtjeve të mia”; “Origjina ime, vetë shkollimi im, biografia ime, për ata ishte një përbindësh i vërtetë”; “Ç’faj kishin prindërit tanë për dëmin që po i sillnim ne shtetit, fëmijët e tyre?!”; “Sigurimi i Shtetit qëndronte mbi gjithçka. Ai bënte edhe shiun, edhe diellin në Shqipëri”; “Njerëzit duhej të jetonin me ankthin e një pasigurie të plotë”; “Ky ankth krijohej me vrasje, uri, dëbime, me libra, art e kulturë të kufizuar, me izolim nga bota…”; “…gënjeshtra, bunkerë dhe sidomos, me humbjen e besimit te njëri-tjetri”, “’Fajet’ tona ishin prodhime të fantazisë së tyre të sëmurë”… Këto dhe shumë të tjera ndriçuan natën. Ndonëse të thëna nga njerëz të ndryshëm, të gjitha së bashku ato tregojnë një histori. Është historia e Shqipërisë. Organizatorët nuk menduan të zhvillonin ceremoni të sforcuara. E lanë gjithçka të rridhte. Kishte nga ata që ndalonin të lexonin se çfarë shkruhej, të tjerë kalonin atypari indiferentë. Dukej sikur ato thënie kishin qenë pjesë e qytetit kaherë, ashtu si kujtimet që ruajnë të gjithë të mbijetuarit dhe familjet e tyre, për dekada. Heshtja ishte zgjedhur si mënyra më e mirë për të folur.

thenie-komunizmi-933x445

PROJEKTI

Instalacioni u realizua nga artistja Alketa Xhafa-Mripa, e cila pasi komunikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë me personazhet e historive, qëmtoi shprehjet më pikante. Sipas organizatorëve, platforma e komunikimit “Edhe muret kanë veshë”, kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi krimet e së shkuarës komuniste e të inkurajojë dialog me universitetet, akademikët, komunitetet lokale, të mbijetuarit e krimeve të diktaturës komuniste, mediat dhe publikun e gjerë. Dhe ndoshta një efekt, ky instalacion e ka pasur. Ndërsa muret ishin veshur me germa blu, disa të rinj u pyetën mbi diktaturën komuniste dhe ajo që ata dinin, ishte tepër e përciptë. Fatkeqë- sisht, informacioni që brezi i ri, të lindurit e pas viteve ’90, është jashtëzakonisht i mangët, madje jo rrallëherë, edhe i shtrembëruar mbi përmasat dhe fytyrën e vërtetë të diktaturës komuniste. Dhe projektimi i këtyre thënieve, mundet të ketë shërbyer si një nxitje për të kërkuar dhe më- suar më shumë. Instalacioni artistik, ishte ana e dukshme e projektit. Ajo çka është më e rëndësishme dhe që do të mbetet e dokumentuar është përmbledhja e historive personale të të mbijetuarve të krimeve të diktaturës ose të familjeve të tyre. Po ashtu, mësohet se “pasqyrimi i këtyre dëshmive do të bëhet edhe në një faqe interneti me të njëjtin emër; dëshmitë gojore do të filmohen në dokumentar, në mënyrë që njerëzit ta ndjekin rrugëtimin e këtij produkti artistik, t’i shohin fytyrat dhe t’i dëgjojnë historitë e shqiptarëve që qëndruan me dinjitet. Këto histori krijojnë një databazë të rrëfimeve gojore, që do të pasurohet në vijim dhe i shtohen arkivit të Autoritetit”.

27973803_1783170298402252_2050632815585884216_n

Diktatura komuniste përmes thëniesh

• E vërteta është qëllimi im si artiste.
• Një popull pa kujtesë nuk është popull me dinjitet.
• Kushtuar Juve, heronj të harruar të një tragjedie, e cila, kur jetohej,
nuk kuptohej sa e madhe dhe e thellë ishte!
• Diktatura komuniste nderi pelerinën e kuqe mbi Shqipëri, për plot 50
vjet.
• Kanë kaluar gati tridhjetë vjet, por kujtimet janë ende të gjalla e të
pranishme.
• Duhet thyer heshtja! Kjo heshtje e thellë më tmerron.
• U desh një jetë e tërë që të bindemi se ata nuk janë veçse përbindësha
të vërtetë me fytyrë njeriu.
• U zunë shqiptarët me shqiptarët; u hap një luftë…
• Një ndër qëllimet ishte që njerëzve t’u vritej besimi në Zot, që të
adhuronin një diktator.
• Vetëm udhëheqës kriminelë si Enver Hoxha mund t’i kurdisin të tilla
kurthe kombit të vet.
• Vrasja e intelektit ishte njëra nga format e diktaturës për të përjetë-
suar sundimin e saj.
• Nëpër burgje e kampe ishin ndër fisnikët e rrallë të kombit shqiptar…
• …Ata fisnikë që i dhanë kuptim Shqipërisë.
• Ne trajtoheshim sikur nuk ishim pjesë e kombit, lum kush na godiste
më shumë, mjerë kush na përkrahte!
• Isha në moshën kur fillohet të dilet në jetë, por “dielli” që e prodhonte
dritën, po më perëndonte.
• Ishte dita e parë e kalvarit të gjatë të vuajtjeve të mia.
• Origjina ime, vetë shkollimi im, biografia ime, për ata ishte një
përbindësh i vërtetë.
• Ç’faj kishin prindërit tanë për dëmin që po i sillnim ne shtetit, fëmijët
e tyre?!
• Sigurimi i Shtetit qëndronte mbi gjithçka. Ai bënte edhe shiun, edhe
diellin në Shqipëri.
• Njerëzit duhej të jetonin me ankthin e një pasigurie të plotë.
• Ky ankth krijohej me vrasje, uri, dëbime, me libra, art e kulturë të
kufizuar, me izolim nga bota…
• Gënjeshtra, bunkerë dhe sidomos, me humbjen e besimit te njëritjetri.
• “Fajet” tona ishin prodhime të fantazisë së tyre të sëmurë.
• Thurnin “akuza”, pa pasur asnjë fakt në dorë.
• Ata ishin manipulatorët dhe kombinuesit më të paturpshëm të proceseve
hetimore që ka njohur historia.
• Shpifja, në praktikën e punës së hetuesisë, quhej “art profesional”.
• Si arsimtarë, pamë lakuriq gënjeshtrën e madhe që mbillej e kultivohej
me kujdes.
• Pamë format e ndrydhjes së personalitetit të njeriut, censurën e
rreptë ndaj mendimit të lirë, hipokrizinë e shndërruar në moral shoqëror.
• Ky sistem dhe këta njerëz ishin vetëm hiena që nuk ngopeshin kurrë.
• Që në moshën gjashtëvjeçare u njoha me qelinë apo birucën, siç
përdoret rëndom.
• Ende sot më rrëqeth kujtimi i atyre orëve të kaluara në errësirën e
birucës…
• …I vetëm, duke qarë prej frikës së gogolit.
• Jashtë më fliste gjyshja ime e mirë: “Mos ki frikë, e mbyt nona gogolin!”
• Po ti qenke fëmijë, more, nga ti kishin frikë?
• Ishim 11 vjeç. Nuk na linin të luanim, se donin që të punonim.
• Jeta për ne ishte “mollë e ndaluar”.
• Ujë i zier me ndonjë kokërr fasule brenda e një copë bukë, ky ishte
ushqimi ynë.
• Uria kronike është shumë e rëndë dhe ëndrra për një copë bukë
ishte nga më të fuqishmet.
• Prej mëngjesit deri në mbrëmje, me stomak bosh dhe gojën e shkrumbuar
nga mungesa e ujit…
• Ishim gjithmonë të ngarkuara me dru, trungjet e gjatë e të trashë, të
lidhur me litarë mbi kurrizet tona.
• Terrori komunist në kohën e diktaturës ishte aq i egër, sa dridhej
fëmija në barkun e nënës.
• Fëmijët i linim në mëngjes, duke lutur Zotin t’i gjenim shëndoshë e
mirë në darkë.
• Por sa nëna në kthim gjenin një kufomë?!
• Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë e kishte pothuajse çdo
ditë prenë e vet.
• Gruaja, nëna… me duart e veta varroste krijesën e saj, pa derdhur
asnjë pikë lot.
• Nuk kishte më lot në sytë tanë, i kishim derdhur të gjithë!
• Në botën e “nëntokës” përqafova viktimën dhe e desha me pasion.
Kjo dashuri për njeriun e mundi edhe kërcënimin e vdekjes.
• Vajtojnë nanat ditë e natë: “Oh, që na mbeti prehni thatë!”.
• Shumë kanë vdekë, por s’janë harrue, lotët n’zemër janë ba krue.
• E tash, o nanë… Ti, kujtimi ma i ambël e i dhimbshëm i kësaj jete!
• Për vuajtjet e mia personale do ta falja diktaturën komuniste, por nuk
ia fal dot atë që u bëri shqiptarëve.
• E morën tim atë, kinse për t’i ndihmuar në punë administrative, ai
shkoi e s’u kthye më, as kufomë madje…
• Ne rriteshim duke u bindur se “revolucioni” kërkonte viktima dhe ne
ishim kurbanet e kapur për të.
• Në atë kohë, ishte zgjuarsi e prakticitet t’i fshihje aftësitë e tua.
• Kur të flasësh, mbulo kokën me jorgan, që mos të të dëgjojë njeri!
• Ata vranë sinqeritetin e burrërinë dhe kultivuan hipokrizinë e servilizmin.
• Sa njerëzve iu vunë hekurat përsëri, në kohën që dilnim nga porta e
burgut?!
• Ky qe vërtet një tmerr pa fund, prandaj ideja e vdekjes nuk qe aq e
frikshme.
• Diktatura ia largon njeriut frikën nga vdekja, duke ia bërë jetën të
padurueshme.
• Tepelenë, o gur i zi, mbyte gra, e mbyte fëmijë, çfarë po u ban ti
djemve të rinj?!
• O Zot, ku je?
• Që kur arrestoheshim, derisa liroheshim ose vdisnim, ishim vetëm
një numër.
• Ishim kuaj karroce për ta, nga ata që nuk shohin as majtas, as djathtas,
por të drejtuar nga një karrocier i aftë, që ishte mashtrues dhe
rrenacak.
• Ai që kishte mbjellë vëllavrasjen na predikonte dashurinë, si “baba i
kombit”.
• Ujkut i ruhen kockat, ky komunizmi i Enverit, edhe kockat t’i ha, moj
nënë!
• Vetëm mes klithma viktimash… diktatori siguroi duartrokitjet e një
populli të terrorizuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura