Edhe Llogaraja me tunel, Gjiknuri jep detajet: Koncesion, por kalimi do të jetë…

Apr 19, 2018 | 22:30
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, tha dje se në qafën e Llogarasë qeveria do të ndërtojë me koncesion një tunel, për të shkurtuar distancën mes Vlorës dhe Dhërmiut.

gjiknuri

Gjatë raportimit të tij para deputetëve të Grupit Parlamentar Socialist, Gjiknuri u shpreh se tuneli i Llogarasë do të ndërtohet me partneritet publik privat dhe me mbështetje të buxhetit. Ministri sqaroi se kalimi nuk do të jetë me pagesë.

“Një projekt tjetër me partneritet publik privat që po e shikojmë me përparë- si është përmirësimi i infrastrukturës dhe gjetja e një zgjedhje për rrëshqitjet në zonën e Dukatit, që bën lidhjen e Orikumit me Llogaranë. Për Llogaranë në planet tona është bërja e një tuneli, për të cilin do të shikojmë një variant të kombinimit me partneritet publik privat dhe me mbështetje nga shteti, sepse aty nuk e justifikon trafikun që gjithçka të bëhet me pagesë. Atje është krejt normale që një rrugë alternative e shkurtër, një tunel, të krijohet mundësia me koncesionim privat”, tha Gjiknuri.

Ministri i Infrastrukturës tha se është siguruar edhe financimi i nevojshëm për përmbylljen e rrugës Tiranë-Elbasan. Ai tha se banka ka konfirmuar që do të kryejë financimin shtesë prej 14 milionë dollarësh që kërkoheshin për ta mbyllur rrugën.

“Dje na erdhi konfirmimi për financimin shtesë të pjesës së mbetur të autostradës Tiranë-Elbasan. Pra, janë 14 milionë dollarë të tjera, të cilat do të hidhen për të përfunduar segmentin e mbetur që është nga zona e Ibës deri në tunelin e Elbasanit. Jam i bindur se nëse puna fillon shumë shpejt, duke qenë se dje erdhi konfirmimi dhe fillon edhe negocimi i kontratës për marrjen e huasë, brenda vitit do të përfundojë plotësisht ky aks”, u shpreh Gjiknuri. Për Rrugën e Arbrit, ministri tha se kompania “Gjoka Konstruksion” ka dorëzuar planin e zbatimit. Dokumenti do të miratohet nga këshillat teknike. Ndërkaq, kompania ka siguruar financimin e nevojshëm nga bankat.

Sapo të miratohet plani i zbatimit, sipas Gjiknurit, për 1 muaj do të nisë ndërtimi në terren. Gjithashtu, ministri sqaroi se është planifikuar në buxhetin e shtetit dhe shumë shpejt do të nisë puna në terren për aksin Kardhiq-Delvinë.

“Do të shpallim së shpejti garën e aksit Kardhiq–Delvinë dhe kjo është e financuar me buxhetin e shtetit, duke i dhënë rëndësi zonës turistike të Sarandës. Ky investim do të sjellë që Saranda të afrohet me pjesën tjetër të vendit me gati një orë. Në këtë projekt përfshihet edhe ngritja e një tuneli. Puna në këtë kantier pritet të nisë brenda vitit”, u shpreh ministri.

Gjiknuri foli edhe për projektin Qukës-Qafë Plloçë ku, sipas tij, kërkohen edhe 50 milionë dollarë të tjera për përfundimin. “Sepse janë projekte të bëra jo mirë, projekte të bëra nga kompjuteri, si ura që nuk kombinojnë me njëra-tjetrën, kanë disnivele, projekte të bëra shumë keq”, sqaroi Gjiknuri.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura