Edhe kësaj here është ekonomia

May 27, 2020 | 9:26
SHPËRNDAJE

VEHAP KOLA VEHAP KOLA

Ata që po luftojnë për “drejtësinë e re” duan ta kontrollojnë atë. Arsyeja përse duan ta kontrollojnë duhet të jenë hallet e mëdha që kanë. Ata që kanë halle të mëdha janë të përfshirë sot në një luftë të ashpër me njëritjetrin. Lufta e tyre nuk zhvillohet vetëm kundër njëri-tjetrit, por mbi të gjitha për të tërhequr palët e papërfshira në njërin nga kampet e përballjes. Të painteresuarit e kësaj beteje duket se janë të tillë sepse janë të pashqetësuar prej rezultateve të mundshme të saj ose të pazotë për të imponuar kushtet tyre.

Por si shkrepi si rrufe në qiell të pastër kjo luftë ndërmjet Ilir Metës dhe Edi Ramës? Një postim në “Twitter” nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim, zbuloi se pas perdes po zbatohej një marrëveshje për të minuar krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë sipas Reformës Kushtetuese dhe ligjeve shoqëruese të miratuara më parë. Teorikisht, marrëveshja është e mundur ndërmjet të gjitha kombinimeve potenciale të palëve politike, por logjika e negociatës nuk lejon të iket shumë larg: të vetmit që mund të bëjnë marrëveshje janë palët që kanë mundësi të imponojnë një vullnet, me fuqinë që gëzojnë mbi fatin e çështjes në negocim.

Nisur nga kjo logjikë, të vetmet palë që mund të bëjnë një marrëveshje mes tyre janë Rama dhe Meta, si të vetmit aktorë që kanë kompetenca ose fuqi që burojnë nga Kushtetuta dhe kuadri ligjor i Reformës në Drejtësi dhe që mund t’i përdorin në këtë proces. Opozita e zhveshur plotësisht nga pushteti është në gjendje vetëm të luajë, shpeshherë blof, me kartat e moralitetit politik, parimit demokratik të pavarësisë së pushteteve, idealeve të integrimit euroatlantik apo mbështetjes që gëzon në mesin e votuesve. Proceduralisht, partitë opozitare nuk kanë asnjë fuqi, për shkak se nuk kontrollojnë asnjë burim të kësaj fuqie: pushtet i çfarëdo niveli qoftë.

Lufta që është ndezur ndërmjet Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama për fatin e Reformës në Drejtësi përkon pikërisht me publikimin e qëndrimit të ambasadores Kim në “Twitter”. Një periudhë paqeje me sebep situatën e pandemisë karakterizoi për më shumë se një muaj raportet ndërmjet dy drejtuesve kryesorë të shtetit. Ishte pikërisht kjo periudhë kur publiku u ndie i tradhtuar nga Presidenti, që aprovoi pa vërejtje ndryshimet në Kodin Penal me justifikimin se Kodit i mungonte rregullimi për çështje të krimit, që lidhet me përhapjen e sëmundjeve ngjitëse gjatë një epidemie. Ishte periudha kur Presidenti shpërndante në “Facebook” postimet e ministres Manastirliu dhe vizitonte spitalet e trajtimit të COVID bashkë me zv.ministrin Petro Koçi.

Mospërfshirja e Lulzim Bashës në këtë konflikt dhe vizita e ambasadores amerikane në zyrën e tij, ku duket se është rënë dakord për të mos prekur asgjë që ‘i përket së shkuarës’, mund të na ndihmojë të kuptojmë se kryetari i opozitës nuk është i përfshirë në ndonjë marrëveshje, si ajo që aludohet në postimin e ambasadores pak ditë më parë. ‘E shkuara’ në deklaratën e Kim, dhënë për mediat në krah të Lulzim Bashës, duket se përfaqëson Reformën në Drejtësi ashtu siç është projektuar dhe zbatuar deri më sot. Pjesë e kësaj të shkuare është miratimi i paketës kushtetuese me konsensus dhe i 7 ligjeve të krijimit të institucioneve vetëm me votat e Ramës dhe Metës.

Deri më sot, Presidenti nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për miratimin e pabesë të atyre ligjeve në dëm të garancive të kërkuara nga opozita për një reformë të pakapur. Në të njëjtën logjikë, përpjekjet e tij të ditëve të fundit nuk synojnë të ruajnë reformën nga kapja prej Ramës, por të mbrojë shanset e tij për të marrë atë pjesë të institucioneve të drejtësisë, që i garantojnë 7 ligjet e famshme për të cilat dha votën. Prandaj, e trishtë për t’u konstatuar, Reforma në Drejtësi ashtu siç është marrë peng, nuk mund të prodhojë asnjë përfitim për opozitën. Siç duket, kjo është arsyeja që Lulzim Basha nuk pranon të përfshihet në këtë luftë mes Presidentit dhe Kryeministrit.

Pa asnjë premtim për opozitën, Reforma në Drejtësi nuk mund të jetë, pra, çështje e opozitës. Çështje e opozitës është gara politike me regjimin, vjelja e krediteve politike nga kriza ekonomike ku e ka futur vendin menaxhimi propagandistik i pandemisë nga qeveria. Një studim i fundit nga IDRA Research konfirmoi strategjinë e zgjedhur nga Lulzim Basha: kolapsi ekonomik është frika e 57% të shqiptarëve, ndërsa kanë hedhur pas krahëve frikën për shëndetin e tyre (23% të shqetësuar për shëndetin). Narrativa qeveritare e mbrojtjes nga sëmundja ka dështuar përballë narrativës së opozitës dhe komunitetit të biznesit për shpëtimin e ekonomisë së dërrmuar nga masat e gabuara të qeverisë Rama.

Ky duhet të jetë edhe shqetësimi i Ramës, që përmes mekanizmit të tij të propagandës synon të rreshtojë opozitën në krah të Presidentit Meta, në luftën politike për kontrollin e procesit të reformimit të institucioneve të drejtësisë. Pamundësia për të manipuluar me propagandë qytetarët e falimentuar ekonomikisht e detyron Ramën të provojë çdo dinakëri të largojë opozitën prej tyre. Të mbetur pa të ardhura prej tre muajsh dhe me biznese pa blerës për muajt në vijim, shqiptarët nuk presin nga politika të rregullojë sistemin e drejtësisë, por të shpëtojë ekonomitë familjare nga mjerimi.

Nuk dihet nëse opozita do t’u rezistojë spin-eve të propagandës për t’u zhytur në debatet që nuk i rrisin asaj pikë politike dhe ku nuk ka asnjë rol real. Nëse Lulzim Basha ia del të qëndrojë fort jashtë kësaj beteje dhe të kapitalizojë sa më shumë nga urrejtja popullore ndaj Ramës, me gjasë ai do të ketë krijuar atë hambar elektoral të nevojshëm për të sjellë ndërrimin e pushtetit edhe në kushtet e një regjimi armiqësor ndaj zgjedhjeve të lira.

Për Reformën në Drejtësi do të ketë një kohë tjetër dhe do të duhet gjithmonë një bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Pa këtë bashkëpunim, çdo lëvizje sovraniste ose do të dështojë, ose, përveçse do të dështojë, do ta dëmtojë pozitën e Shqipërisë përballë partnerëve të huaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura