Edhe imamët

Jul 22, 2015 | 12:36
SHPËRNDAJE

besnik-mustafajBESNIK MUSTAFAJ

Instituti Shqiptar për Marrëdhënie Ndërkombëtare organizoi para pak kohësh në Tiranë konferencën “Radikalizmi dhe ekstremizmi fetar si një kërcënim për sigurinë: rasti i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor”. Njëri nga folësit e ftuar, teologu mysliman Ermir Gjinushi, shtroi, ndër të tjera, edhe çështjen e rolit të imamëve në procesin e parandalimit të radikalizmit të rinisë myslimane shqiptare. Përkundër gjuhës së thjeshtëzuar, që përdoret shpesh nëpër tribunat publike lidhur me këtë temë, sipas së cilës aktet terroriste të radikalëve myslimanë, qofshin ato veprime të izoluara brenda gjirit të botës demokratike apo veprime të organizuara brenda radhëve të ISIS në Siri e në Irak, nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin e vërtetë, zoti Gjinushi u shpreh se indoktrinimi i këtyre burrave dhe grave, më së shumti të rinj, është pasojë e drejtpërdrejtë e frymëzimit të tyre fetar.

Ai e shtjelloi më tej mendimin e vet, duke thënë se edhe brenda xhamisë ka përplasje doktrinash. Njerëzit shkojnë në Siri apo Irak dhe, shpesh e më shpesh, zbulojnë atje se lufta, për të cilën janë nisur, nuk është aspak e shenjtë, nuk është xhihad. Ndërkohë që mësimin se çfarë është dhe çfarë nuk është xhihad, besimtarët duhet ta marrin kryesisht nga imami i tyre, në xhaminë e tyre. Zoti Gjinushi solli shembullin e Ervin Hasanajt, i pushkatuar së fundmi nga ISIS si dezertor, vetëm pse ai, i zhgënjyer nga çfarë kishte gjetur në Siri, kishte dashur të kthehej në shtëpi. Sipas zotit Gjinushi, ka edhe shumë raste të ngjashme, pavarësisht se lajmet rreth fatit të tyre tragjik nuk kanë mbërritur gjithmonë në media.

Shqipëria ka sot një trupë prej më shumë se 500 imamësh, që ushtrojnë shërbimin nën drejtimin e Komunitetit Mysliman. Janë përgjithësisht burra të rinj dhe të shkolluar mirë. Mjaft të lexosh botimet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, e posaçërisht periodikët “Drita Islame” dhe “Zani i Naltë”, ku shfaqet pena e shumë prej tyre! Imamët-autorë lënë përshtypje të thellë për kulturën e gjerë që zotërojnë. Jo vetëm kulturën teologjike, por edhe kulturën enciklopediste dhe atë humaniste. Trupa e klerit mysliman, ashtu si ajo e klerit katolik dhe ajo e klerit ortodoks, e shkatërruar përmes dhunës mizore nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës, është ripërtërirë tashmë plotësisht dhe shëndetshëm. Kjo është pa dyshim një arritje me rëndësi të veçantë për shoqërinë tonë në këtë periudhë plot ngërçe të tranzicionit demokratik.

Duke përmendur përtëritjen e shëndetshme të klerit mysliman, kam parasysh jo vetëm ringritjen nga hiri të trupës së imamëve, por mbi të gjitha integrimin e tyre të mirë në traditën e nderuar të shërbyesve shqiptarë të Profetit, me shembuj të shumtë të lavdishëm që nga Hafiz Ali Korça e deri te Hafiz Sabri Koçi, të cilët misionin e tyre të lartë e përmbushën përmes simbiozës së mrekullueshme të interesit fetar me interesin shoqëror dhe interesin kombëtar. Në historinë tonë, imamët shqiptarë janë pjesë themeltare e laicitetit tonë.

Shoqëria shqiptare është sot në fakt, më shumë se kurrë, e lidhur vendosmërisht dhe krenarisht me laicitetin. Madje, bindja laike shpaloset në mjedisin tonë shoqëror me një vrull të tillë, sa shpesh e kapërcen kufirin ndarës, që do të duhej të ishte gjithmonë i qartë midis laicitetit dhe ateizmit. Nuk duhet harruar se në një shoqëri laike ka vend edhe për ateistët. Por, në një shoqëri ateiste nuk ka vend për besimtarët. Shqiptarët e kanë provuar mbi lëkurë “një të vërtetë të tillë” të dhunshme, gjurmët e së cilës nuk janë fshirë ende nga përditshmëria jonë. Rrjedhimisht, shteti që kemi ne ende në vitin e njëzet e pestë të lirisë, vepron shpesh në një zonë të paqartë midis laicitetit dhe ateizmit. Shembulli më domethënës është mungesa e vullnetit, treguar nga ky shtet për t’u kthyer, kompensuar apo dëmshpërblyer pronat komuniteteve fetare.

Por, përgjegjësitë e pambajtura në vazhdimësi të shtetit lidhur me komunitetet fetare janë një çështje më vete, që kërkojnë vëmendjen e vet në një rast tjetër. Çështja në këtë rast është se në një mjedis të tillë shoqëror si mjedisi ynë, të mbizotëruar – le të themi – nga laiciteti euforik, me dashje ose pa dashje, besimtarët myslimanë e posaçërisht imamët e tyre gjenden shpesh të stigmatizuar nga mendjelehtësia apo nga ligësia e ca analistëve të zhvillimeve shqiptare. Dhe kjo gjë nuk ndodh vetëm në hapësirat e mbushura me anonimë të rrjeteve sociale.

Pikërisht në këtë mjedis shoqëror dhe politik të tejngopur me ligjërim laicist, del sot nevoja të thirren në ndihmë imamët në emër të një qëllimi që e kapërcen ndjeshëm interesin teologjik të një debati të natyrshëm brenda xhamisë. Fjala është mirëfilli për interesin e sigurisë sonë kombëtare në planin e brendshëm, si dhe për interesin e Republikës sonë në planin e veprimit të saj ndërkombëtar. Sepse i tillë është kërcënimi që mbart radikalizmi i dhunshëm islamik dhe për ne shqiptarët dhe republikën tonë. Në këtë pikë pajtohemi në përgjithësi të gjithë. Përjashtimi që vihet re te një grusht njerëzish, si ata që po gjykohen këto kohë në Gjykatën e Krimeve të Rënda për mbështetje dhe organizim të terrorizmit islamik, vetëm e konfirmon këtë rregull. Ata qëndrojnë në atë sallë gjyqi si pjesë thelbësisht e huaj, e papajtueshme, pra, qoftë me traditën e qoftë me të sotmen e shoqërisë sonë.

Procesi gjyqësor në fjalë është një shembull i mirë për të treguar se institucionet tona të rendit dhe të sigurisë, ashtu si ato ligjvënëse dhe ato të drejtësisë, janë të përfshira me seriozitet të plotë për ta ndëshkuar një veprimtari të tillë si vepër të rëndë penale. Represioni ndaj fajtorëve doemos që ka vendin e vet. Por, sado të afta të tregohen strukturat e policisë dhe të shërbimeve të fshehta për të identifikuar dhe ndaluar të inkriminuarit, represioni është i pamjaftueshëm për t’u arritur qëllimi në çrrënjosjen e bindjeve radikale. Është e nevojshme që energjitë e mëdha të përqendrohen në procesin e parandalimit të radikalizimit të individëve, një proces ky që duhet të jetë i vazhdueshëm, i menduar mirë dhe shumë kompleks, në të cilin kanë vendin e tyre shumë aktorë të shoqërisë, pra, edhe imamët. Madje, do thënë: sidomos imamët.

Duket si paradoksale të kërkohet ndihma e imamëve, domethënë, të përfillet si i rëndësisë së parë publike dimensioni fetar në një shoqëri si e jona, e cila është në thelbin e vet e angazhuar për forcimin e laicitetit. Në të vërtetë nuk ka asnjë paradoks. Në një shoqëri multikonfesionale si shoqëria jonë, rruga e vetme e sigurt për t’i dhënë ushtrimit të besimit liri dhe paqe, është rruga e laicitetit. Rrjedhimisht, predikuesit e fesë, përfshirë këtu edhe imamët, duhet të jenë edhe më të interesuarit për lulëzimin e laicitetit.

Do të ketë me siguri shumë njerëz midis nesh që do t’i tremben perspektivës për përfshirjen e imamëve në përpjekjet për parandalimin e radikalizimit të rinisë myslimane. Jo të gjithë këta njerëz vuajnë nga ndonjë kompleks negativ apo nga mosbesimi ndaj imamëve tanë apo ndaj imamëve në përgjithësi. Këtyre njerëzve unë u them se nuk do të ishim ne të parët që do ta bënim një eksperiment të tillë. Franca është vendi ku ka lindur laiciteti si koncept, si realitet juridik dhe si praktikë shoqërore. Franca vazhdon edhe sot të mbetet kampione dhe model i laicitetit për të gjitha vendet e botës së lirë. Në Francë, komunitetet fetare kanë një varësi institucionale nga Ministria e Brendshme.

Vetëm pak ditë pas akteve tragjike terroriste kundër revistës satirike “Charlie Hebdo”, ministri i Brendshëm francez nxori një qarkore, ku, ndër të tjera, porosiste të gjitha strukturat në varësi të vet për t’i mbështetur në mënyrë të posaçme ata imamë, të cilët kanë mundësi të zhvillojnë “një qasje kultuale me besimtarët me prirje drejt radikalizmit”. Shprehur me fjalët e Ermir Gjinushit, askush nuk mund t’ua shpjegojë besimtarëve më mirë dhe më bindshëm se imami brenda xhamisë që në Siri apo në Irak nuk po zhvillohet asnjë luftë e shenjtë, asnjë xhihad. Për pasojë, ajo që po ndodh në Siri apo në Irak nuk mund të jetë lufta e tyre si besimtarë të devotshëm të Profetit Muhamed. Në këtë mision, imamët tanë kanë jo vetëm dijet e nevojshme, por edhe pedagogjinë e përshtatshme.

Edhe të radikalizuarit janë pjesëtarë të shoqërisë sonë. Në interesin më të lartë të çdo shoqërie të lirë është t’i bindë anëtarët e vet në udhën e vlerave të veta dhe jo t’i luftojë në emër të mbrojtjes së vlerave të veta.  
Në Francë, debati rreth rolit të imamëve në angazhimin e përgjithshëm të shoqërisë dhe të shtetit për çrrënjosjen e radikalizmit islamik ka edhe disa ndërlikime, që nuk shfaqen në realitetin tonë. Islami atje është relativisht shumë i ri krahasuar me Islamin në botën shqiptare. Një nga këto ndërlikime, ndoshta ajo më delikatja, qëndron në faktin se komuniteti mysliman francez është ende larg së qenit i unifikuar, për pasojë edhe nuk ka ende një zë unanim kur është fjala për t’u shprehur lidhur me çështje të rëndësisë jetike për fatet e vendit.

Kjo bën që atje të shtrohet, madje me forcë dhe urgjencë, edhe një kërkesë e tillë si ajo e “e përcaktimit të kontureve akademike të mësimdhënies së teologjisë myslimane në universitetet publike, me qëllimin për t’i ndihmuar përfaqësuesit myslimanë të përcaktojnë një normë islamike të pajtueshme me republikën”. Imamët shqiptarë nuk kanë nevoja si kjo. “Norma islamike” e pajtueshme me kohezionin e shoqërisë shqiptare është përcaktuar qartë qysh nga rilindasit tanë, si pjesë përbërëse e përpjekjeve të tyre për të hedhur themelet e pavarësisë kombëtare, dhe është përcjellë dhe pasuruar brez pas brezi edhe brenda xhamisë, po aq mirë sa edhe brenda familjes. Imamët e sotëm shqiptarë kanë për detyrë vetëm ta mbrojnë këtë normë, duke mbrojtur, me fjalën e tyre të mirë, vetë besimtarët e papjekur nga rrëshqitja drejt së keqes. Një mision i tillë do e vinte mbarë shoqërinë tonë në një borxh të ri ndaj trupës së imamëve dhe do t’i nxirrte ata edhe më qartë në dritë si aktorë të rëndësisë së veçantë në procesin e modernizimit dhe emancipimit të Shqipërisë.

Përndryshe, do të ndodhte ajo që thotë Murad Benshellali. Ky është një ish-xhihadist në Afganistan, i burgosur në Guatanamo dhe i dënuar në Francë. Në një intervistë, në pranverën e shkuar, ai tregohet shumë i ashpër me përfaqësuesit e kultit në vendin e tij (Francë) pse i lënë pa përgjigje pyetjet e besimtarëve lidhur me xhihadin dhe krizat e thella që po shoqërojnë botën arabo-myslimane. Islami radikal është dështimi i përfaqësuesve institucionalë, – shprehet ai. – Kemi nevojë për zëdhënës karizmatikë dhe të angazhuar, të cilët të ushtrojnë një autoritet moral, sidomos mbi të rinjtë”. Me siguri që të tilla do të kishin qenë edhe fjalët e Ervin Hasanajt, sikur ai të kishte arritur të dilte i gjallë nga ferri ku kishte rënë verbërisht. Imamët tanë nuk do t’ia lejojnë vetes të dështojnë. Ne kemi besim tek ata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura