Edhe burrat kanë ndjenja… mos i keqkuptoni!

Jun 2, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

“Bëhu burrë! Mos qaj! Mos u anko… mos u bëj si vajzë!”

Që në fëmijëri, të qenët ‘burrë’ lidhet ngushtë me mendësi, mentalitete, klishe dhe ‘kleçka’ sociale, të cilat reflektohen më së miri në familje, shoqëri dhe marrëdhëniet që ndajmë me njëri-tjetrin.

burre me frike

Në përditshmërinë tonë, burrat ‘e fortë’ përpiqen shumë të ‘mbysin’ brenda vetes dhimbjen, gëzimin apo lotët që natyrshëm pasojnë kur emocionohemi. Duhet të tregohen ‘të fortë’, për të injoruar ‘të dobëtin’ që kanë brenda vetes, deri sa një ditë ‘ai’ të pushojë së ekzistuari.

Kjo pasqyrohet që në fëmijëri te bulizmi, prej të cilit djemtë vuajnë që në moshë të vogël. Të gjithë ne kemi qenë viktima ose dëshmitarë të saj, në pushimet mes orëve të mësimit në shkollë, duke sharë e ofenduar shokun e klasës me sjellje jo fort burrërore.

Për shumë prej nesh, këto histori do të mbeten të heshtura, pasi INATI e ndoshta FRIKA janë të vetmet që lejohen për djemtë. Emocionet e tjera nuk tolerohen në shoqërinë tonë. Edhe pse, brenda nesh, të gjithë e dimë që ne burrat kemi emocione sa një oqean, por kur vjen puna për t’i shprehur, oqeani bëhet sa një kokërr arrë.

Mentaliteti në rrethin familjar e shoqëror reflektohet nga modelet e burrit ‘ideal’ që riciklohen e përforcohen më tej nëpër media; burra të fuqishëm, pa emocione e ndjenja, me apo pa pistoleta, i bëjnë ballë çdo peripecie apo të papriture, pa e dhënë veten. Në anën tjetër të ekranit jemi ne, duke parë heroin kryesor që pas peripecive më në fund shpëton … ose vdes! Prekemi!

Një lëmsh plot emocione na mblidhet në kraharor e mezi mbajmë lotët. I gëlltisim menjëherë, se na zë turpi mos dukemi të dobët para njerëzve të dashur, e më kot përpëlitemi të fshehim emocionet duke u larguar plot turp nga vëmendja e njerëzve.

Po “të dobëtit”? Flasim për Ata që me çiltërsi shprehin emocionet dhe kanë forcën për të pranuar, përballur dhe shprehur dobësitë që ndiejnë… A kanë vend ata në shoqërinë tonë? Për shumë burra, të shprehurit e dhimbjes dhe dëshpërimit në publik perceptohet ende si një dobësi, apo mungesë kontrolli, në një kohë që burrave në shoqërinë tonë u pëlqen apo detyrohen të duken të fortë, të vendosur, madje edhe atëherë kur s’ia kanë idenë fare se çfarë po ndodh.

Statistikat tregojnë se djemtë e burrat nuk janë më pak emocionalë, por ndryshimi është se ata mësohen qe në foshnjëri që të shprehen më pak, e ndajnë më pak. Një studim dëshmon se gratë flasin rreth 250 fjalë në minutë, ndërsa burrat gati gjysmën: 120. Ndërkohë që rreth 67% e burrave në studim pranuan se u ndjenë më shumë emocional sesa realisht treguan në publik.

Duke kuptuar pak më shumë diferencat mes njëri-tjetrit, njohim më shumë se çfarë na bashkon, dhe si rrjedhojë një hap më shumë për të zhvilluar marrëdhënien emocionale. Në këtë kontekst, Lëvizja Globale për Barazi Gjinore, HeForShe e iniciuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave – UN Women që prej vitit 2014, synon pikërisht të ndryshojë perspektivat në shoqëri, duke thyer barrierat e klishetë sociale që pengojnë zhvillimin e një shoqërie të barabartë e të lirë.

Kjo lëvizje është shtrirë në komunitete të ndryshme në Shqipëri, me qëllim që djemtë e burrat të reflektojnë, dalin hapur dhe angazhohen për barazi gjinore, duke u bërë protagonistë dhe aktorë në përmbushjen e barazisë në shoqëri.

Nëpërmjet aktiviteteve publike në Tiranë e më gjerë, me të rinj apo profesionistë, fushata HeForShe, synon të ndryshojë këto kontekste sociale, duke i ftuar të gjithë të bëhen pjesë e ndryshimit. Kjo sepse shoqëria shqiptare më shumë se kurrë ka nevojë të ndryshojë mentalitetet e të shembë barrierat sociale, që nuk na lejojnë të jemi vetvetja; të jemi “Burra të Vërtetë” që dalin hapur e shprehin ndjenjat, mendimet e idetë e tyre.

Djemtë e burrat, pavarësisht se cilës gjeneratë i përkasin, nuk patën mundësinë të mësojnë si të shprehin ndjenjat teksa rriteshin e burrëroheshin. Shoqërinë tonë nuk e ndihmon aspak fakti që ne nuk flasim për dhimbjet apo gëzimin. Shumë prej nesh nuk ndajnë kurrë dhimbjen me askënd, deri sa një mik, nëse e kemi, i detyron ta bëjnë.

Ndaj kemi nevojë të inkurajojmë burrat, që të flasin hapur për emocionet e tyre dhe atë çfarë ndiejnë. Ndryshe, presioni emocional brenda tyre rritet çdo ditë, deri sa bllokon mendimet e ndjenjat që na bëjnë njerëz. Pyes veten përse të JESH BURRË do të thotë të pushosh e të rrish i heshtur në radhën e burrave ‘model’, edhe pse kjo të bën të ndihesh më pak njeri, sepse në shoqërinë tonë të jesh ‘i hapur’ do të thotë ‘i dobët’ ndërsa ‘forca’ është te ‘paketimi i emocioneve brenda vetes’.

Por, kjo nuk mund të funksionojë pasi biologjikisht ndjenjat tona janë reaksione kimike në tru, po kaq natyrale sa edhe rrahjet e zemrës. Emocionet nuk mund të zhduken e as treten, edhe nëse dikush pretendon.

Ndaj, sot kemi nevojë për njerëz që luftojnë për të qenë më shumë njerëz, e jo të fshehin ndjenjat e tyre për të qenë pjesë e një grupi imagjinar. Këtu ndoshta qëndron pikërisht edhe fuqia e vërtetë e një “Burri të Fortë”.

BESNIK BAKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura