E zhgënjyen për ditëlindjen e djalit, Gjici paralajmëron ndëshkime. Lojtarët humbën 10 mln lekë premio

Oct 31, 2017 | 9:59
SHPËRNDAJE

Barazimi që Kukësi mori ndaj Vllaznisë në shtëpi ka lënë një shije jo të mirë në kampin verilindor, jo vetëm te tifozët, por edhe te stafi teknik dhe administrativ. Trajneri Milinkoviç kërkonte triumfin ndaj ish-trajnerit Gjoka për të treguar se jo më kot e kanë zgjedhur në krye të skuadrës.

gjici

Ndërsa pjesëtarët e stafit administrativ kanë një hatërmbetje me ish-trajnerin dhe stafin e tij, për shkak se këta të fundit, edhe pse jo publikisht, kanë hedhur akuza në drejtim të tyre për komplot. Por, njeriu që e donte më shumë këtë fitore ishte presidenti Gjici, pasi dita e ndeshjes përkoi me ditëlindjen e djalit të tij Kevin, i cili është dhe një nga sponsorët zyrtarë të klubit.

Gjithashtu ai e kërkonte këtë trepikësh për të ndjekur hap mbas hapi Skënderbeun, pa lënë pas edhe çështjen e moralit mes tij dhe ish-stafit që ai largoi mbas eliminimit nga Kupat e Europës ndaj Sherif Tiraspol. Por, jo çdo gjë ka shkuar sipas parashikimeve të presidentit, pasi skuadra e tij ka shmangur humbjen, duke qenë se fillimisht u gjend në disavantazh.

PRAPASKENA

Duke pasur një gëzim në familjen e tij, presidenti Gjici shkoi dhe e ndau me skuadrën gëzimin e tij. “Panorama Sport” zbulon se, para se të niste takimi mes Kukësit dhe Vllaznisë, Gjici zbriti në dhomat e zhveshjeve dhe takoi ekipin. Ai theksoi se e dëshironte shumë këtë fitore për ditëlindjen e djalit të tij. Madje fitorja do të shoqërohej me premio prej 10 milionë lekësh të vjetër.

“Djem, sot unë kam një gëzim familjar dhe po e ndaj me ju. Djali im Kevin, i cili është dhe një nga sponsorët e ekipit, ka ditëlindjen, ndaj do doja që ai ta festonte me një fitore sot. Në rast fitoreje, do të keni dhe një premio, ndaj futuni në fushë dhe merrni tri pikët, jo vetëm për këtë arsye, por dhe për të gjitha të tjerat, fitorja është detyrim për ne”, mësohet të kenë qenë fjalët e presidentit para lojtarëve.

ZHGËNJIMI

Pas përfundimit të takimit, Gjici është larguar me shpejtësi nga stadiumi, duke mos takuar asnjë prej stafit apo lojtarëve, por direkt mbas ndeshjes u ka dhënë urdhër vartësve të tij se për këtë ndeshje do të bëhet një analizë e thellë dhe sidomos sektori i mbrojtjes duhet të mbajë përgjegjësi, pasi lojtarë të shumëpaguar nuk kanë dhënë atë çka duhet të jepnin në këtë sfidë.

Pritet që në mbledhje të vendosen pikat mbi “i” dhe disa prej lojtarëve kryesorë të ekipit të mbajnë përgjegjësi. Ndërkohë, gjatë kësaj jave te skuadra e Kukësit shpresojnë që të rikthehet Rrahman Hallaçi, duke qenë se Zeqiri dhe Shameti duhet të rikuperohen në 100 për qind që të aktivizohen, pasi në të kundërt mund të rrezikojnë një tjetër dëmtim.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura