E vrau burri në kamp, i jepet lamtumira nënës së dy fëmijëve

Jun 28, 2016 | 9:52
SHPËRNDAJE

Mbërrin në vendlindje trupi i pajetë i gruas që u vra nga bashkëshorti në Gjermani. I është dhënë lamtumira e fundit Arjana Çibës, 35 vjeçe, e cila u vra nga bashkëshorti i saj Nerim Çiba, 40 vjeç. Një vit më parë çifti Çiba bashkë me dy fëmijët e vegjël, ashtu si shumë matjanë, emigruan në Gjermani për një jetë më të mirë.

Kamp azilantesh
Kamp azilantesh

Megjithëse ata kishin pasur debate e mosmarrëveshje prej vitesh, u mendua se emigrimi do të pasonte me sjellje tjetër të Nerim Çibës ndaj bashkëshortes, të cilën e dhunonte sistematikisht. Vëllezërit dhe të afërmit e Arjana Çibës kanë udhëtuar drejt Gjermanisë dhe kanë mundësuar kthimin e trupit të saj të pajetë në vendlindje, në fshatin Gjalish, komuna Lis.

Qindra banorë të Matit, të afërm e miq të familjes së saj i dhanë lamtumirën, ndërsa shprehnin tronditjen e tyre për ngjarjen e rëndë dhe dënonin ashpër autorin. Të afërm të viktimës tregojnë se debatet dhe konfliktet mes Nerim e Arjana Çibës kanë vijuar edhe në Gjermani. Sipas tyre, disa ditë para ngjarjes kriminale, Arjana ka marrë një urdhër mbrojtje, pasi Nerimi e dhunonte keq në prani të dy fëmijëve.

Mësohet se Arjana pas mbërritjes në Gjermani është lidhur me një shoqatë që mbronte të drejtat e grave. Ato e kanë ndihmuar dhe janë përpjekur që 35- vjeçarja të mos përjetonte dhunën që kishte provuar në Shqipëri. Të njëjtat burime shtojnë se Nerim Çiba është shoqëruar nga policia gjermane dhe për afro 10 ditë është izoluar pas denoncimit të bashkëshortes. Ndërhyrja e miqve të familjes Çiba ka bërë që Arjana ta tërheqë denoncimin dhe Nerimi të lihet i lirë.

Ditën e krimit ai ka dërguar dy fëmijët në shkollë dhe është kthyer në banesë ku ka kryer krimin monstruoz. Burimet shtojnë se ai e ka masakruar gruan e tij me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas ngjarjes, ai u arrestua brenda kampit. Nerim Çiba në vitin 2000 është arrestuar nga Policia e Matit për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe është dënuar me katër vite burg.

Ky shtetas i ka zënë pritë me armë zjarri mikut të tij në afërsi të fshatit Shëlli dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të tij, për t’i rrëmbyer motoçikletën. Pas disa orësh policia lokale mundi ta arrestojë atë dhe të sekuestrojë armën e krimit, një maskë dhe motorin e vjedhur nën kërcënimin e armës. e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura