“E vërteta për Vangjush Gambetën, kur u internua flinte në shtëpinë time”

Jun 15, 2016 | 19:01
SHPËRNDAJE

Kanë kaluar 43 vjet që atëherë, megjithatë, pasojat ndihen ende. Regjisori Mit’hat Fagu po jetonte kulmin e karrierës së vet, kur së bashku me gazetarin Vangjush Gambeta vendosën të bëjnë një dokumentar të titulluar “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor”, shfaqja e të cilit do të sillte pasoja për regjisorin Fagu.

mitat fagu

Për 12 vjet do të largohej nga Kinostudioja dhe do të dërgohej për edukim në Fermën e Kamzës, për t’u rikthyer sërish në vitin 1985 në Kinostudio, por jo më në sektorin e filmit dokumentar apo artistik, por të animuar.

Ndërsa kishte ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në jurinë e “Docu TIFF”, në një intervistë të dhënë para disa ditësh në gazetën “Panorama”, Fagu u rikthehet atyre viteve.

Ndër të tjera, ai do të shprehej se me skenarin e tij Vangjush Gambeta e kishte futur në “grackë”, pasi kishte marrë përsipër të përgjigjej për anën ideologjike të filmit, çka nuk e kishte bërë kur filmi u kritikua. Kjo deklaratë e Fagut do të gjente kundërpërgjigjen e të birit të Vangjush Gambetës, Artan Gambetës, i cili kujton se i ati u dënua vetëm një vit e gjysmë më vonë e ndër të tjerat Manush Myftiu, i cili në rastin e Fagut e kishte zbutur disi dënimin, i kishte kujtuar atij pikërisht filmin dokumentar “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor”.

I akuzuar për “dyfytyrësi” dhe “lajthitje” nga ana e Artan Gambetës, regjisori Fagu ka kërkuar replikë me të birin e gazetarit. Në këtë replikë Fagu rendit disa fakte që, sipas tij, Artan Gambeta nuk mund t’i dinte.

Ndër të tjera, Fagu thotë se gjithçka ia ka thënë në sy Vangjush Gambetës sa qe gjallë dhe nuk priti që ai të vdiste për të thënë disa gjëra, përpos faktit që kur gazetari i internuar vinte në Tiranë për të parë familjarët nëpër errësirë e kalonte natën pikërisht në shtëpinë e tij (Fagut), edhe pse dihej që ndiqej nga Sigurimi i Shtetit.

MIT’HAT FAGU

DUHEN THËNË FAKTET, E VËRTETA!

E lexova reagimin tënd Artan Gambeta, por angazhimi që kisha dhe për të cilin isha i ftuar mbas 26 vjetësh heshtjeje, nuk më la kohë. Por nuk mund të rrija pa iu përgjigjur lajthitjeve dhe pa t’i thënë dy fjalë, sepse flet për ca gjëra që s’i di për filmin, por të paktën të kishe thënë ato që dije. Unë nuk kam shpifur, siç thua ti, por dhashë faktet. E vërteta është ajo që ka ndodhur në fakt dhe, do apo s’do ti, mbetet e tillë.

E vërteta është e hidhur, por nuk mund të ndryshohet me kundërpërgjigje sentimentale. “Gracka”, meqë s’e kuptoke (!?), lidhet me faktin që ai nuk i doli ballë “anës ideologjike”, siç premtoi pa filluar filmin, (pa këtë premtim unë s’do e filloja filmin…) ti kaq s’e kupton?! Unë në intervistën time nuk akuzoj askënd, por përmend ca fakte, me emra autentikë rreth historisë së ngjarjes së dokumentarit, që më dënoi dhe internoi…, dhe të vërtetat e përjetuara dhe që i vuajta, kur unë po prisja të shkoja për specializim në Rumani. Unë s’i kam me “të dëgjuar”, si ti Artan, dhe ndryshojnë “nga përgënjeshtrimet false” të tua. Unë mund ta lija dhe të kalohej, por detyrohem të përgjigjem për hir të atyre që s’ma njohin karakterin, por që të dish edhe vetë ti ca fakte tjera.

Nuk e dija se është kënaqësi e madhe të punosh në ara si punëtor krahu në fillim, e pastaj të bësh “xhiro me traktor”, siç ironizon ti. Por Manush Myftiu i paska bërë “gjyqin” tyt eti…

Kurse në rastin tim ai tha një të vërtetë, që lehtësoi fajësinë time. Vetë e pohon se babai yt u dënua pas një viti e gjysmë që unë po vuaja dënimin dhe babai u dënua për atë që ti e di më mirë (por e di dhe unë) dhe se Manush Myftiu vetëm sa ia ka përmendur dhe filmin…, që do të thotë se Vangjush Gambeta nuk u dënua për filmin, kurse unë, po, për anën ideologjike të tij! Dhe sot e kësaj dite nuk e kuptoj këmbënguljen e Vangjush Gambetës për të më marrë skenarin origjinal, të shkruar me dorën e tij. E mori me justifikimin se “I duhej për mbledhjen e Partisë!”. Kjo më mbeti mister.

Më quani me “dyfytyrësi”, por kush më njeh e di se kam vetëm një dhe e kam të pastër (si edhe ndërgjegjen, dhe unë s’kam bërë asnjë denoncim kundër askujt…). Thënia se “… Mit’hati priti deri sa të vdiste im atë për t’i zbuluar publikut komplotin e tmerrshëm të Vangjush Gambetës… e…. halucinacioneve të tij”, është një lajthitje nga ana jote. Ti ke qenë kalama dhe s’di se ç’kam folur me babanë tënd. Unë ia kam thënë atë fjalë në sy të gruas tij, Violetës.

Ai e dëgjoi dhe heshti; u indinjua vetëm e shoqja, por prapë Vangjushi heshti. Pra, s’kam lënë që “… të pres kohën…” sot; kështu që dy fytyrësinë mbaje për vete.

Sipas teje, babai paska qëndruar si “burrë” në mbrojtjen time dhe se “lënia në baltë” qenka një halucinacion i imi…, kur kjo thënie ishte e shokëve te Kinostudios. Për mua ishte e tillë, por ka dhe një procesverbal për diskutimin e filmit.

Ti përpiqesh të flasësh për “të vërtetat” e “u referohesh të vërtetave të tua të fakteve”, por që s’i njeh, pasi nuk ke qenë në bisedat tona për filmin e në xhirimin e filmit. Mua “më mbyllin dyert” vetëm kur është fjala për sponsorizimet, se ata i duan paratë për vete, po kudo tjetër, dyert i kam të hapura…!

Ti e ke dashur si baba, por kur vinte nga Burreli si i internuar të të takonte në errë- sirë, duke e ditur që ndiqej në ç’do lëvizje të tij nga Sigurimi, kur ndaheshit a e ke pyetur ndonjëherë se “Ku do të flesh? Ku do ta kalosh natën?”.

Derën ia hapa unë, e jo ti. Natën e kalonte në shtëpinë time (gjithnjë i ndjekur nga Sigurimi); i kam liruar krevatin tim se e desha, dhe vetë kam fjetur përdhe. E kam bërë me ndërgjegje, kur dhe unë survejohesha.

Këto s’ti ka thënë babai?! Apo ti hesht! Pra, unë sakrifikoja si shok e ti jo për babanë tënd; ti ishe biri legjitim, unë shoku i tij. Ti në përgjigjen tënde tërhiqesh nga ana emocionale, kurse Vangjush Gambeta tërhiqej nga logjika e fortë dhe analizonte faktet e nxirrte problemet në analizë.

Për këtë e desha më shumë. Ti e bën këtë? Por faktet e ngjarjes duhen pranuar siç kanë ndodhur.

Ti vetë e pohon se pas 1990-s jemi takuar me Vangjush Gambetën e kemi folur si miq, për shumë gjera ku ti s’ke qenë gjithmonë prezent, (se kishe punët e tua) e na lije vetëm neve, duke e hedhur pas krahëve të kaluarën.

Por dhe këtë fakt ti e keqpërdor sikur unë vija me qëllime konspirative…,(ke halucinacione).

Je gabim! Unë e desha dhe e dua Vangjush Gambetën, që mbetet njeriu më i zoti në gazetari, që s’e ka shokun dhe mbetet një mik i paharruar për mua!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura