“E vërteta e sëmundjes së rëndë të Hysni Kapos”, Nexhmije Hoxha zbulon letrën tepër sekrete të Llambi Ziçishtit për Mehmet Shehun: 10 orët e operacionit…

Feb 8, 2020 | 19:30
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha do të kishte dashur padyshim që pasardhës i tij të ishte Hysni Kapo. Nexhmije Hoxha ishte e bindur për këtë, edhe pse ai nuk e përmendte këtë fakt.enveri-+-hysni-kapo

Lidhja e tij me Hysni Kapon ishte shumë e ngushtë, por Kapo do të ndahej nga jeta para tij. Në librin e saj “Përjetime dhe meditime nga jeta ime politike”, Nexhmije Hoxha tregon për sëmundjen e Hysni Kapos, si e përballoi Enver Hoxha, letërkëmbimin që pati me të, gjatë kohës që ai ishte në Paris për t’u operuar, çfarë shkruante në ditarin e tij gjatë orëve të operacionit, pse nisi Ramiz Alinë në Paris etj.

Po ashtu, ajo flet edhe për një letër “tepër sekret” që Llambi Ziçishti, ministri i Shëndetësisë asokohe, i dërgonte Mehmet Shehut për gjendjen e Hysni Kapos.

Në verën e vitit 1979, kur ishim me pushime në Pogradec, Enveri u gëzua shumë kur mësoi që gjatë muajit gusht do të vinin edhe Hysniu me Viton, për të kaluar disa ditë pushimi. Ne kishim qenë disa herë bashkë me ta në pushime, sidomos në Vlorë. Hysniu shkonte shpesh atje, se ishte bir i atyre anëve, ishte i dashuruar me vendlindjen e tij. E njihte mirë mjedisin karakteristik dhe psikologjinë e vlonjateve, jetën zakonore dhe historinë e tyre. Kjo bënte që bisedat mes Enverit dhe Hysniut të kishin ngarkesa emocionale, kur secili fliste për vendlindjen e vet.

hysni kapo+ enveri

Bisedat midis tyre ishin përherë të këndshme, nuk mungonin shkatë. Enveri i thoshte Hysniut: “Humorin, kurdoherë e ke një armë të fuqishme”.

Atë verë menduam që, duke pasur pranë Hysniun, edhe këto pushime do t’i kalonim mirë bashkë, por, siç shkruan Enveri në ditarin e tij, më datë 15 gusht 1979, “pushimet na u bënë të hidhura ditët e fundit, pasi në javën e parë të gushtit shoku Hysni, me të cilin banojmë afër e afër, pati një temperaturë, që u ngjit deri në 38 gradë e gjysmë, madje edhe 38.8”.

Mjekët dyshonin se kjo temperaturë e lartë ishte e lidhur me mëlçinë. Meqë gjendja nuk po përmirësohej, Enveri udhëzoi mjekët të merreshin masa që Hysniun ta dërgonin në Paris. Po Hysniu nuk pranonte.

Atëherë, Enveri thirri Viton që ta bindte. Më pas, Enveri më mori edhe mua dhe shkuam që t’ia mbushte mendjen Hysniut. I tha se është e domosdoshme të pranonte, pasi atje ka aparatura diagnostikimi më të përparuara dhe mjekët francezë kanë eksperiencë dhe njohje më të madhe e të rejat në fushën e mjekësisë.

Hysniu sikur u bind (Ai nuk ia kthente fjalën Enverit) dhe u nis për në Tiranë. Ndërkohë u njoftuan shokët tanë në Paris dhe, pas dy ditësh erdhi avioni sanitar, i kërkuar nga qeveria jonë. Hysniu u dërgua atje, por situata e tij shëndetësore po komplikohej edhe më shumë, nga problemet që kishte kaluar më parë, si infarkti i vitit 1978 etj. Nuk kam për ta harruar çastin kur përcollëm Hysniun dhe Viton nga Pogradeci. Enveri e kishte përcjellë Hysniun jashtë shtetit në misione dhe detyra nga më të vështirat dhe gjithmonë kishte qenë i bindur për kthimin e tij me sukses të plotë.

hoxhakapo

Por kjo ndarje e gushtit 1979 ishte ndryshe. Ai u përqafua me shokun e vet dhe me Viton, u nda me ta buzagaz, duke i mbajtur lotët, brengat njerëzore dhe dënesat i fshehu thellë në shpirt, që të mos shqetësohej Hysniu. Por sa u kthyem në shtëpi, ai nuk u mbajt më, shfreu në dënesa. Enveri, atë kohë nuk tregoi, por unë e di sa i shqetësuar ishte, sepse nisi shokun për ta operuar dhe nuk dihej se çfarë mund të zbulohej.

Më kujtohet që Enveri i priste lajmet për shëndetin e Hysniut me shumë ankth. Radiogramet që vinin nga Parisi për gjendjen e tij 2-3 herë në ditë, e mbanin Enverin në korrent të ecurisë së gjendjes së tij shëndetësore. Ditët e para në Paris, kur Hysniu pati një përmirësim, gëzimi i Enverit qe i madh.

Ja si i shkruante Enveri shokut të tij, më 28 gusht:

“I shtrenjti, shoku im Hysni! Jemi shumë të lumtur dhe të gëzuar që çdo gjë po ecën mirë, siç na e do zemra të gjithëve. Tani do të forcohesh. Temperatura e gjatë të lodhi disi, por edhe ajo, edhe të gjitha parametrat erdhën në normë. Të shoh i kënaqur nga larg, me sytë e zemrës, që më rri në kolltuk dhe më shëtit në dhomë… Të dashur Hysni dhe Vito, ju përqafojmë me Nexhmijen dhe ty të uroj shërim të shpejtë. Të puth, I yti Enver”. Enveri gëzohej edhe më shumë kur merrte letra të shkruara nga vetë Hysniu ose nga Vitoja.

Ky gëzim i Enverit për gjendjen e përmirësuar të Hysnit lexohet edhe në radiogramin e tij, të datës 1 shtator:

“Të shtrenjtët tanë, Hysni dhe Vito, Aq shumë na gëzuan telegramet tuaja, saqë nuk mund t’i shprehim dot në një radiogram ndjenjat tona të dashurisë për ju… I gëzova shokët dhe ata të bëjnë shumë të fala… Të gjithë këndej i keni mirë. Ne ju përqafojmë të dyve me mall dhe Verën e Andin, i puthim. Me dashuri, tuajt, Enver dhe Nexhmije”.

Për të ndjekur sa më pranë gjithë problematikën e situatës mjekësore, por edhe për t’i treguar Hysniut që jemi pranë tij, Enveri dërgoi në Paris Ramiz Alinë. Më kujtohet që në fakt, Enveri e pati preokupim dërgimin e Ramizit, ngaqë mendonte se mos Hysniu shqetësohej dhe mund të krijonte mendimin se gjendja e tij ishte e rëndë.

enveri-ramizi-nexhmija

Llambi Ziçishti i kishte shkruar në një letër Mehmet Shehut: “Kemi përshtypjen se pacienti nuk dyshon në gjë të keqe”. Ndaj Enveri ra dakord me Ramizin që vajtjen e tij në  Paris ta mbulonte me një arsye tjetër, duke u justifikuar te Hysniu me thënien një rrugë e dy punë. Dërgimi i Ramizit në Paris kishte dhe një qëllim tjetër, duke qenë një nga udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë prania e tij atje rriste rangun e komunikimit me palën franceze për çdo shqetësim që mund të lindte dhe kërkonte ndërhyrjen e shtetit francez.

Me vajtjen e Ramizit në Paris, Enveri komunikonte më shpesh me radiograme, duke ndjekur orë pas ore, gjendjen e Hysniut, e cila po keqësohej gjithnjë e më tepër. Në këto rrethana, Enveri dhe unë u shqetësuan shumë dhe kishim shumë merak edhe për Viton. Të shikoje shokun e jetës në një gjendje kritike, patjetër do të ishte shumë e rëndë. Jeta e tyre kishte qenë e lumtur, plot dashuri për njëri-tjetrin, të lumtur me fëmijët e tyre dhe me nipër e mbesa.

Por, siç na ishte thënë, mund të ndodhte edhe humbja e madhe dhe për Viton kjo do të ishte shumë e rëndë.

Enveri shkruan:

“E shtrenjta shoqe dhe motra ime, Vito… Ne i ndjejmë vuajtjet e tua të mëdha shpirtërore për sëmundjen dhe gjendjen e rëndë të Hysniut tonë të shtrenjtë. Ti, fëmijët e tu dhe ne, shokët e tij, duhet të jemi të pamposhtur përpara çdo vështirësie…”.

Në këtë letër, Enveri në njëfarë mënyre donte ta përgatiste Viton se edhe më e keqja mund të ndodhte. Ato ditë, edhe pse ishte i rënduar emocionalisht Enveri dhe unë mundoheshim t’u gjendeshim pranë fëmijëve të Hysniut dhe të Vitos dhe sidomos të vegjëlve të familjes, që u mungonin gjyshi dhe nëna që i donin aq shumë.

Kur gjendja shëndetësore e Hysniut erdhi duke u rënduar, mjekët vendosën për një operacion të dytë. Kjo e trishtoi pa masë Enverin.

Frika nga ndonjë komplikacion i zemrës, bëri që të përjetonte me ankth çdo minutë të atyre orëve të operacionit. I ulur në skrivaninë e punës, hidhte në ditar të gjitha ndjenjat që përjetonte për bashkëluftëtarin, shokun e afërt të punëve dhe të halleve që i kishin ndarë së bashku. Enveri shkruan në ditarin e tij, sikur kërkon t’i tregojë Hysniut se është në çdo çast pranë tij.

16 shtator 1979, ora 8:40

I shtrenjti shoku im, Hysni.

Sapo mora telegramin nga i cili mësova se ke temperaturë të madhe dhe se doktorët që do të të operonin pasnesër, në orën 9, e avancuan rioperimin për sot, të dielën. Tani jam afër teje me mendje dhe me zemër.

Minutat nuk po i shtyj dot, sa të kalojë ora dhe të marrim telegramin e suksesit. Të zhduket ajo qendra e infeksionit në mëlçi, që e komplikoi gjendjen. Ora ecën, dhe të them të drejtën, po qaj. Më qan zemra për ty, shok i pandarë i zemrës sime.
Nexhmije-HOxha

Ora 9:10-9:15-Ora 9:20

Sa të gjata më duken këto minuta!

Ora 9:50, duhet të jetë duke vazhduar operacioni. Po luftohet, i shtrenjti Hysni, për jetën kundër vdekjes sate. Por jeta do të fitojë. Zemra jote do të mbajë. Këtë na e siguruan mbrëmë nga Parisi, doktorët më të shquar francezë, me profesor Miliezin në krye. Jemi në ankth të madh, jemi mbi telefon. Dimë që operacioni do të zgjasë ndonjë një orë e 30 minuta.

Ora 9:55, më lajmërojnë se edhe vetë Miliezi ka hyrë në sallën e operacionit.

Ora 10:00, zemra do të mbajë, e ndjej nga larg se zemra jote, i dashur Hysni, do të qëndrojë e fortë. Ajo kapërceu me sukses operacionin e madh, që zgjati më shumë se 9 orë. Me gjithë sëmundjen e rëndë që t’u shfaq, po bëjmë të pamundurën që të të zgjatet jeta. Jeta jote është aq shumë e dashur për Partinë, për ne, për popullin. Po presim, po presim lajmin e përfundimit me sukses.

Po lexoj një telegram që më informon se në sallën e operacionit janë Miliezi, Gurgoni, Samama, Aleksandri dhe gjithë ekipi. Erdhi telegram nga ambasadori që na thotë: “Tani, ora 10. Të gjithë janë në sallën e operacionit. Atje janë nga tanët: doktor Llambi dhe Petriti”.

Ora 10:45. Telegram nga Parisi: “10:15, vazhdon anestezia. Operacioni nuk ka filluar”.

Ora 10:55. Telegram nga Parisi: “Ora 10:25, filloi operacioni”. S’më shkon ora. Jam me Nexhmijen. Tik-taket e orës më duket sikur më rrahin si çekan në kokë. Mendjen e kemi në sallën e operacionit. Ora 13:00. Morëm telegramin ku thuhet: “Operacioni mbaroi. U konstatua vetëm shtrirja e metastazës”. Humbëm çdo shpresë! Zemrën e kemi të copëtuar. Po çfarë u konstatua në operacionin e dytë?

Ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, i raportonte në një letër tepër sekrete Mehmet Shehut.

Ndër të tjera, ai saktësonte se çfarë tregoi ndërhyrja kirurgjikale: “Biopsia vërtetoi se i gjithë pankreasi ishte prekur nga një kancer, duke ushtruan kompresion mbi vijat biliare dhe duke dhënë pasojë kolesticitin akut dhe infeksionin biliar. Përpara kësaj situate, paraqiteshin dy mundësi veprimi:

1. Të hiqej fshikëza biliare, të bëhej drenimi i rrugëve biliare dhe të lihej në vend procesi inflamator. Ky veprim mund të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme, për një periudhë 2-3 muaj maksimumi.

nexhmija-kopertine

2. Të kryhej operacioni radikal, i cili paraqiste rreziqe të mëdha, gjatë operacionit, por siguronte mundësinë e rezultateve më të mira për një periudhë kohe relativisht të gjatë. Me të drejtë, u zgjodh variant i dytë. Operacioni zgjati 10 orë. Ndërhyrja konsistoi në heqjen e fshikëzës biliare, pankreasit, duodenit, shpretkës dhe një pjesë të vogël të mëlçisë së zezë, që kishte një metastazë.

Për sa i përket zhvillimit të gjendjes, në takimin e bisedën që patëm me profesorët Aleksandër, Giz dhe Asan u arrit në këto konkluzione: Operacioni i kryer ishte ai më racionali. Periudha postoperatore mund të ndërlikohet me aksidente të papritura, jo vetëm si pasojë e natyrës radikale të operacionit, por edhe nga patologjia e vjetër e pacientit e sidomos nga diabeti dhe dy infarktet e freskëta… Nga diskutimet e bëra, rezulton që nuk mund të përcaktohet se kur ka nisur sëmundja, pasi procesi i zhvillimit tumoral ka qenë atipik dhe pa shenja të dyshimta”. (Pergatiti Panorama)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura