E vërteta e ndërtimit mbi lagjen romake, isha kundër

May 29, 2014 | 13:32
SHPËRNDAJE

Lagjia romake, mbi të cilën u ndërtuan dy pallate
APOLLON BAÇE

  Lidhur me artikullin “Dokumentet, si u zhduk lagjja romake në qendër të Durrësit” të gazetës “Panorama”, do kisha disa plotësime a vërejtje. Për të qenë sa më i saktë, në radhë të parë për të mos pasur në ndërgjegje mallkimin e bashkëkombësve, do mundohem të jem i përpiktë dhe burokrat në mërzi.
1. Kur jam riemëruar drejtor i IMK në vitin 2010, leja e fillimit të punimeve për gërmimin e shpëtimit në lulishten “1 Maji” ishte dhënë prej kohësh nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) me kryetar ministrin e MTKRS dhe sekretar drejtorin e ASHA (Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik). Veç gërmimeve pjesore kishte përfunduar edhe ndërtimi i bllokut juglindor, i cili sipas informacioneve i përkiste z. Vangjush Dako.
2. Gërmimet ishin kryer jashtë çdo kriteri arkeologjik (8 mijë m3 gërmime me ekskavator në shtresë arkeologjike, për 20 ditë), për çka iniciova një ekip kontrolli (këshilltari i Kryeministrit për Kulturën, prof N. Ceka, unë si drejtor i IMK dhe specialistë të Institutit të Arkeologjisë). Ekipi i kërkoi MTKRS ndalimin e punimeve dhe procedimin penal të fajtorëve, por procesi mbeti pezull në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore.
3. Në këtë objekt kam shpënë sekretarin e ICOMOS-it, prof. Giora Solar, i cili, siç thuhet edhe në artikullin tuaj, u shpreh “Ky është një nga zbulimet më të mëdha të vitit, është pikërisht ajo që i mungon Pompeut, kuartalli artizan”. Bashkë me prof. Solar jemi takuar me ministrin e MTKRS, z. Xhaferi, i cili u bind për domosdoshmërinë e ruajtjes.
Në mbledhjen e KKA në muajin tetor u shqyrtua projekti i përgatitur nga pronari për ndërtimin mbi monument të një 6-katëshi me 2 kate parkim. Qëndrimit tim të prerë për mosmiratimin e projektit pronari iu përgjigj me pyetjen “përse u lejua ndërtimi i pjesës së kryetarit të Bashkisë dhe ndaloni timen” dhe kërcënimin publik “ndonjë nga këto ditë nuk ke për ta gjetur rrugën e shtëpisë”. Konkluzioni i mbledhjes së kryesuar nga ministri Xhaferi ishte “Të pezullohen punimet nga firma private, të ngrihet një grup pune për të ndjekur ecurinë e mëtejshme të gërmimeve, të mos preket monumenti, kati i parë t’i lihet në dispozicion arkeologjisë”. Variantet e paraqitura ishin
a. trualli të blihet nga shteti, b. bazuar në eksperiencën botërore, kati i parë të mbulohet me panele xhami dhe të ndriçohet nga poshtë, duke e kthyer hollin e ndërtesës në muze.
4. Monumenti u bllokua për një periudhë njëvjeçare dhe nisi përgatitja e projekt-idesë me panele xhami me specialistët e Palazzo Madama (Torino), që e kishin zbatuar me sukses një eksperiencë të tillë, ndërkohë që pronari që nuk ishte absolutisht i një mendjeje për një zgjidhje të tillë, ngulmonte për parkimin dykatësh. Më tej, KKA, në një mbledhje ku nuk kam marrë pjesë as unë, as z. Xhaferi, i cili ndërkohë nuk ishte më ministër i MTKRS, e miratoi projektin e refuzuar duke e zhbërë vendimin e mëparshëm. Ndonëse leja e ndërtimeve në objektet arkeologjike nuk është kompetencë e IMK, por ASHA-s, nisur nga vlerat e veçanta të objektit, problemin e mësipërm e parashtrova deri në instancat më të larta, por fatkeqësisht ai u bllokua sërish nga instancat burokratike të MTKRS. Në vazhdim kam kërkuar mbështetjen e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, nëpërmjet njërit prej personave kryesorë, i cili më komunikoi “nuk mund të bëjmë asgjë”. Pyetja “përse?” mori përgjigjen “ti e di”. Po për këtë problem i jam drejtuar prof. Solarit, i cili m’u përgjigj “aq sa mund të bëja, e bëra”.
5. Artikulli, shpresoj nga aprofesionalizmi dhe jo keqdashja, i përzien dokumentet duke bashkuar faqen e parë të njërit me firmat e tjetrit. Në të bashkohet artificialisht dokumenti i firmosur nga z. Xhaferi për ngritjen e grupit të punës për blerjen e truallit a hartimin e projektit me panele xhami, me lejen e lëshuar jo prej tij për ndërtimin e objektit mbi monument (ku çuditërisht është fshirë data edhe firmat e personave që e kanë lëshuar).
6. Shqetësimin qytetar të zotit Mema dhe gazetës “Panorama” e quaj të drejtë, me vërejtjen se në një shkrim investigativ pyeten tërë palët në lojë dhe nuk manipulohet me bashkime artificiale dokumentesh. Do vëreja dhe se sensibilizimi i sotëm fatkeqësisht mbetet kronikë. Ndërkohë që në çastin e duhur ai mund të kishte ndaluar ekzekutimin e lagjes romake.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura