“E vërteta e dyfishtë” në bankat e shkollës?

Apr 28, 2016 | 12:20
SHPËRNDAJE

myftar barbullushiPROF. DR. MYFTAR BARBULLUSHI

Urani, zoti i qiellit të shndritshëm, apo vetë  Qielli, dhe e ëma e tij Gea, hyjnesha e tokës dhe njëkohësisht vetë Toka, vendosën të martoheshin. Nga kjo lidhje incesti lindën 12 trashëgimtarë. Por Urani ishte xheloz ndaj fëmijëve të tij. Gea, për t’i mbrojtur ata, bashkon forcat me djalin e tyre të vogël, Kronusin, i cili do t’i sakatojë Uranit organet gjenitale.

Gjaku i Uranit bie në tokë duke i dhënë jetë brezit të ri të Gjigantëve dhe Erinieve, hyjneshave të hakmarrjes, të ngjashëm me Titanët. Si është e mundur kjo? Ndoshta sepse në gjak – thotë mitologjia – ka spermë, e cila formohet në palcën e kockave dhe prej andej kalon në gjak. Mit ky që në vetvete mëshiron enigmën e të tri fushëbetejave më të ashpra të shkencës e fesë; Astronomia, Origjina e Jetës dhe Mjekësia.

Edhe pse janë dy forcat intelektuale më të fuqishme të planetit, shkenca dhe feja, në disa këndvështrime fatkeqësisht ofrojnë dy qasje të ndryshme të realitetit, “dy të vërteta” diametralisht të kundërta, tentativat e bashkimit të të cilave kanë përfunduar si kripa në ujë. Dënimi i Galileo Galileos, Giordano Brunos, apo themelet e evolucionit të Darvinit i kanë dhënë goditje të madhe këtij bashkimi, me impakt frenues edhe në aplikimin e një sërë metodave mjekësore me perspektiva të mëdha diagnostikuese e mjekuese në jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës së përditshme.

Embrionet, kontracepsioni, vaksinat, transplanti i organeve dhe vdekja e asistuar apo eutanazia kanë lindur dhe ecur gjatë në një rrugëtim të minuar me paragjykime e “të vërteta të ndryshme” me origjinë religjioze, filozofike, shkencore, mjekësore dhe ligjore. Nëse dominimi i provave shkencore sot mbizotëron fuqishëm mbi çdo lloj pikëpyetjeje religjioze mbi vlerën e vaksinimit, nëse transplanti i organeve – një nga mrekullitë e mjekësisë – ka marrë “patentën” e fesë si një “akt i vërtetë dashurie”, nëse kontracepsioni si çelës i planifikimit familjar është në duar të sigurta mjekësore, mbi embrionet dhe eutanazinë ka akoma shumë debate.

Ne bëjmë gjithçka për jetën tonë, në mënyrë që ajo të jetë më e lehtë, më e plotë, më e lumtur dhe madje sa më e gjatë të jetë e mundur. Ne po bëhemi gjithnjë e më të vetmuar dhe gjithnjë e më shumë të rrezikuar të vuajmë nga sëmundjet kanceroze dhe ato mendore me humbje të kujtesës që jo rrallë shoqërohen me vuajtje, dhimbje, paraliza dhe depersonalizim. Në këtë betejë për cilësinë e jetës, për kërkime shkencore që do të luftonin deri dhe sëmundjet mendore, shkencëtarët janë të bindur se embrionet – ato që hidhen – mund të shërbejnë si preambula e një jete më cilësore.

Por, sipas Kishes, embrioni tashmë është një krijesë e Zotit dhe askush nuk ka të drejtë të dhunojë një jetë. Por, kur fillon jeta në të vërtetë? Në këtë pikë nuk ka njëmendësim edhe në mesin e atyre që besojnë. Katolikët, budistët dhe hindutë besojnë se jeta fillon që në konceptim. Për protestantët që në kohën e ngjizjes ose stacionimin e produktit të konceptimit në mitër. Për hebrenjtë, jeta fillon 40 ditë pas konceptimit. Për Islamin fryma hyn në fetus në muajin e katërt të shtatzënisë; është ky momenti kur fillon jeta.

Në mungesë të embrioneve dhe të shpresës, a duhet të kenë të drejtë këta njerëz të paktën të vendosin për kohën dhe rrugën e ikjes nga kjo botë? “E drejta për të vdekur, për të zgjedhur mënyrën dhe kohën, është e njëjtë me të drejtën për të jetuar”, argumenton filozofi Joseph Raz. Vitet e fundit edhe kisha katolike, protestante, islami dhe judaizmi e kanë modifikuar shumë qëndrimin ndaj eutanazisë, të paktën ndaj formës së saj pasive, të cilën jo vetëm e miratojnë, por edhe e rekomandojnë.

“Kur të vijë koha për t’u larguar, më lejoni të shkoj, me një gotë uiski në dorë dhe një pilulë të vogël të këndshme – e më pas, natën e mirë përgjithmonë”, shkon shumë përtej, deri në një miksim të frikës me joshjen dhe mornicat, Margaret Drabble, shkrimtare, biografe dhe kritike. A mund të shkrihet paradoksi i “së vërtetës së dyfishtë”? – pyet David Lodge, një profesor i shkencës së mjedisit në Paris, disa muaj më parë në revistën “Nature”. Për t’u shkrirë një akullnajë shekullore, së pari duhet një klimë dhe një temperaturë e caktuar.

E nëse flasim për klimën, i takon shkencës ta përgatisë atë. Ajo ka shumë detyrime ndaj Fesë. Ajo kurrë nuk duhet të harrojë atë çka në gjithë këto vite Feja ka bërë për të. Pa mbështetjen e saj financiare, shkenca nuk do mund të rritej, të afirmohej e të përhapej në të gjithë Europën. Jo rastësisht universitetet e para u hapën në vendet e kishës. Po kështu, institucionet e islamit kanë mbështetur fuqishëm dijetarët e tyre.

“Shtatëqind e pesëdhjetë ajete kuranore (pothuaj një e teta e librit) nxisin besimtarët që të studiojnë natyrën, të përsiatin e të shfrytëzojnë arsyetimin në kërkim të përsosmërisë, diturisë dhe të kuptuarit shkencor në thelb të shoqërisë”, shprehet Abdus Salami, fituesi i çmimit Nobel në fizikë (1979).

E ku, dhe kur, kjo temperaturë mund të jetë më e lartë veçse në furrnaltën e moshës së shkollës dhe për më tepër në tempullin e dijes?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura