E verdha

Apr 22, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

tupjaEDMOND TUPJA

Mbaj mend që, në fëm ijërinë e hershme, kur nisa të vizatoja duke përdorur edhe lapsa me ngjyra, u mrekullova tek vura re se e verdha, duke u përzier  me blunë, jepte ngjyrën e gjelbër, ndërsa e përzier me të kuqen, jepte ngjyrën e portokalltë. Më vonë, në djalërinë time, mësova se e verdha na ishte ngjyra e xhelozisë. Më tej, në gjimnaz, dëgjova të flitej për libra të verdhë, pra, për romane policore ose me detektivë, sidomos kur bëhej fjalë për autorë të ndaluar.

Gjithsesi, e verdha, sidomos e verdha e ngrohtë, siç shprehen piktorët, më kujton shtëpitë e vjetra tiranase, por, mjerisht, sot kjo e verdhë është gati në zhdukje e sipër, duke pasur parasysh se vendin e shtëpive në fjalë po e zënë përherë e më dukshëm pallate dhe kulla të përbindshme që të kallin një ngjyrë hiri të akullt në sy e në shpirt; rrjedhimisht, të verdhën në fjalë e gjejmë thuajse vetëm në veprat e piktorëve tanë të vjetër dhe, herë pas here, në ndonjë ekspozitë piktorësh relativisht të rinj, siç qe, në javën e parë të këtij muaji, ekspozita interesante dhe befasuese, të paktën në sytë e mi, e Eljan Taninit në galerinë FAB.

Sidoqoftë, në botën tonë tashmë të globalizuar, ja se çfarë informacioni na sjell zoti Internet lidhur me të verdhën: “Nuk ka ngjyrë më të gëzueshme se e verdha. Ajo është ngjyra e diellit, e festës, e gëzimit, një ngjyrë e ngrohtë dhe stimuluese, ngjyra e jetës dhe e gjallërisë, por të çon edhe te tradhtia, ndër të tjera bashkëshortore, por edhe tek ajo e grevëthyesve, te mashtrimi e te gënjeshtra. Ajo është një ngjyrë ku shkartisen kontrastet. Ndryshe nga e verdha e ndezur, e verdha e zbehtë tregon sëmundje, zymtësi e trishtim. E verdha lidhet edhe me forcën, pushtetin dhe egon. Por para së gjithash, e verdha është ngjyra e hapjes ndaj tjetrit dhe e lidhjeve shoqërore. Ajo të shpie te miqësia e vëllazëria si edhe te dija”.

Nën dritën e këtij informacioni në shkallë planetare, më duhet të pranoj që politikanët e pushtetarët tanë nuk duken se e parapëlqejnë ngjyrën e verdhë në veshmbathjen e tyre: pavarësisht se zoti Kryeministër, si piktor e pedagog i dikurshëm në të dikurshmin Institut të Arteve, lejon t’i shkreptijë kalimthi, herë pas here, në veshmbathjen e tij, ndonjë refleks i verdhë, lexueset dhe lexuesit e rregullt e të çrregullt të kësaj rubrike nuk mund ta mohojnë që ministrat e tij duken ca si alergjikë ndaj kësaj ngjyre.

Prandaj, po marr guximin t’u kujtoj atyre se shembullin më pozitiv në përdorimin e së verdhës e ka dhënë, pas ngjarjeve të vitit 1997, zoti Fatos Nano, kreu i Partisë Socialiste, kur, me t’u bërë Kryeministër, nisi të mbante tishërte të markës “Lacoste” (gjatë verës sigurisht) në ngjyrë jo vetëm të kuqe, por edhe të verdhë. Asokohe, shumë kuadro të kësaj partie, por edhe analistë, opinionistë, artistë e shkrimtarë, nxituan të imitonin stilin e zotit Nano në përzgjedhjen e veshmbathjes së tyre.

Mirëpo harruan se, në vendet e Mesdheut të paktën, e verdha i tërheq shumë kandrrat e, në veçanti, mizat fluturake. Pra, me shumë gjasë, kjo hollësi i ka shpëtuar zotit Internet: e verdha na qenka edhe ngjyra e mizave! Oh, Zot, çfarë paturpësie nga ana e mizave pikërisht, të cilat nuk paskan pasur pikë respekti për figurën e zotit Nano si Kryeministër! Patjetër, që kjo hollësi nuk i ka shpëtuar zotit Rama, jam i sigurt për këtë, sepse, si njohës i mirë i gjuhës frënge (të paktën deri më sot), ai ka pasur parasysh proverbin francez “On prend beaucoup plus de mouches avec du miel qu’avec du vinaigre” (Më shumë miza kap me mjaltë, se sa me uthull), çka me siguri do t’i ketë kujtuar që ne shqiptarët themi po aq proverbialisht, veçse me një tjetër nuancë kuptimore, “Mizat shkojnë atje ku ka mjaltë, por edhe atje ku ka…”, oh e paskam harruar vazhdimin, por…, por kam përshtypjen e vagëlluar se duhet të jetë një fjalë që fillon gjithashtu me “m”, si fjala “mjaltë”…!

Aha, shiko, shiko! Prandaj politikanët dhe sidomos pushtetarët tanë, ndonëse e verdha lidhet gjithashtu me forcën, pushtetin dhe egon, nuk përdorin më kurrsesi veshmbathje në këtë ngjyrë! E kuptova më në fund! Po ju, lexueset dhe lexuesit e mi të rregullt e të çrregullt, a e kuptuat? Apo e dinit tashmë?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura