E trajnoi i pari, flet Agim Canaj: Olainka supertalent, por nuk dinte të luante në…

Sep 18, 2019 | 19:44
SHPËRNDAJE

“Olainka ishte i zoti, por nuk dinte si te vendosej si duhet në fushë, pasi nuk kishte luajtur kurrë me skuadra”, thotë Agim Canaj për “Panorama Sport”. Trajneri i njohur e ka trajnuar i pari nigerianin që dje i shënoi Interit. Shtatë vite më parë, kur drejtonte Bylisin…

olainka

Profesor, e patë golin e Olainkës kundër Interit?

Po, dhe më vjen mirë. Ai ishte një djalë i mirë. Ishte shumë i vogël kur unë e trajnova.

Çfarë mbani mend nga ai?

Ishte i paformuar mirë në aspektin teknik dhe sidomos atë taktik. Kishte potencial, dukej. Ishte i fortë, atletikisht shumë mirë, teknikë gjithashtu, por mbi të gjitha shumë i shpejtë. Unë e kam trajnuar kur ishte 16 vjeç. Kishte vështirësi asokohe, sepse nuk kishte luajtur në kolektiv. Pra pozicionimi në fushë linte për të dëshiruar, por të dhënat i kishte të qarta. Unë e aktivizova shumë pak, sepse ishte edhe i vogël. Më pas me Naxhi Shensojin luajti më shumë.

Canaj

E kujt është merita që ai mbërriti deri këtu?

E tija mbi të gjitha. Profesionist i vërtetë dhe një djalosh që dëgjonte shumë. I përulur dhe shumë punëtor. Por edhe e menaxherëve, e babait të tij, që me sa mbaj mend e menaxhonte asokohe. Edhe e Besnik Kapllanajt pa dyshim.

Si e solli Kapllanaj në Ballsh?

Nëpërmjet menaxherëve që vepronin në Afrikë dhe më konkretisht në Nigeri. Ndikonte edhe Emanuel Egbo që kishte njohjet e duhura. Por Beso (Kapllanaj) ka vërtet meritë.

Pse?

Sepse i besoi që në fillim dhe e trajtoi shumë mirë. Në Shqipëri është e vështirë të kenë durim me një të ri 16- vjeçar. Trajtim ushqimor, mbështetje sportive dhe mbi të gjitha pati durim. Kapllanaj ka “sy” kur vjen puna te talentet. Edhe Xhejms nga Bylisi e nisi karrierën. Por edhe Ristevski që më pas luajti me kombëtaren e Maqedonisë.

Çfarë ju erdhi ndërmend kur pe Olainkën t’i shënonte Interit?

M’u bë qejfi. Ai është rasti tipik kur një i huaj formohet në klubet shqiptare dhe më pas shitet me shifra rekord. Nga ana tjetër, do të kisha dashur shumë që edhe djem shqiptarë me shumë potencial si G.Lika, Sukaj, apo edhe të tjerë të kishin pasur të njëjtin fat. Kanë ikur jashtë në moshë të vogël, mund të kishin bërë gjëra vërtet të mira.

J.Halilaj

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura