‘E sqarova me atë që ka çekiçin, jemi shkund, as b*ekë me vesh s’kemi më”/ Korruptoi gjyqtarin, si i siguroi eurot Gentian Doda

Nov 6, 2019 | 21:24
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Gjykata e Krimeve te Rënda është duke gjykuar Gentian Dodën, të përfshirë në aferën korruptive të ish-gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri. 

Doda-miri-1250x596-1

Ky i fundit u dënua disa muaj më parë me vendim të formës së prerë, duke u gjetur fajtor për “Korrupsion pasiv”. Procesi ndaj Dodës është duke u zhvilluar me gjykim të zakonshëm, ndërsa në seancën e djeshme, Gjykata pritej gë të dëgjonte dëshminë e personit që u ka dhënë 15 mijë euro të afërmve të Dodës për të plotësuar shumën që duhen për t’ia dhënë më pas Mirit. Dëshmitari i kërkuar nga Prokuroria nuk është gjetur dhe për këtë u lexuan deklarimet e tij të mëparshme.

“Më telefonoi djali i dajës dhe më kërkoi një shumë prej 10- 15 mijë euro. Unë ia kam dhënë këtë shumë në një takim në Laprakë”, ka thënë ai për hetuesit, por më tej ka mohuar ta njihte Dodën dhe të pandehurit e tjerë në proces. Gjatë seancës së djeshme, Prokuroria i kërkoi Gjykatës të administronte një sërë provash, si pamjet e kamerave në lokalin ku është dorëzuar vlera monetare, komunikimet telefonike të Dodës me kushëririn e tij dhe të kushëririt me nënën e Dodës. Procesi ndaj Dodës është drejt përfundimit dhe Gjykata e shtyu seancën për në 19 nëntor, kur pritet të lexohen konkluzionet përfundimtare dhe Prokuroria të kërkojë masën e dënimit.

NGJARJA

Nga përgjimet ambientale të kryera, Prokuroria bëri të ditur se është ndjekur automjeti i Alban Bucit, i cili në Laprakë, ka shkuar dhe është takuar me shtetasin G.P., i cili i ka dhënë shumën prej 15 mijë eurosh në një zarf. Pas kësaj, Buci së bashku me vjehrrin e Dodës kanë shkuar te lokali i Shkëlqim Mirit dhe kanë kërkuar për vëllain e tij. Pasi kanë ndenjur aty për rreth 9 minuta, kanë dalë dhe janë larguar. Dhënia e zarfit, i cili ishte me euro, është fiksuar nga kamerat e sigurisë së lokalit, të sekuestruara nga hetuesit dhe të administruara nga Gjykata.

Nga këqyrja e telefonit të Alban Bucit ka komunikime në “WhatsApp” me Gentian Dodën, ku është gjetur një mesazh i tillë: All ok now … by the middle of next month …”, e përkthyer në shqip: “Tashmë gjithçka në rregull, nga mesi i muajit që vjen …”, ky mesazh është fill pasi kanë dalë nga lokali i Shkëlqim Mirit dhe kanë lënë “dokumentet”.

PËRGJIMI

Një tjetër bisedë e nxjerrë nga përgjimet dhe që vërteton sipas Prokurorisë, akuzat e ngritura, është ajo e Alban Bucit me nënën e Gentian Dodës. B.Doda e telefonon dhe e pyet e shqetësuar në lidhje me çështjen, ndërsa Buci i shpjegon se e ka zgjidhur këtë muhabet dhe se do të dilte brenda dy javësh.

“Mo i mërzit se i kam rregulluar unë punët, kam çuar unë dokumente, gjëra. Teta Bukurije rri pa merak, ta jap unë me garanci se për dy javë e ke jashtë se kam mbaruar unë punë para nja dy ditësh. E kam sqaruar pardje me atë që ka çekiçin …, i kam dhënë një thes me dokumente. Shyqyr ka me dalë ai se na ka fikë, s’kemi as b… me veshë s’kemi, jemi shkund krejt. I thash atij gjyqtarit, daku mos kërko më se s’kemi çfarë me të dhënë tjetër, veç shpirtin. I kemi sqaruar ato gjëra, mos u mërzit ti, ne presim veç të dali..”, i ka thënë Alban Buci nënës se Gentian Dodës.

Ekstradimi, Doda prej kohësh fshihej në Angli

gentian doda

Gentian Doda u ekstradua gjatë gushtit të këtij viti nga Mbretëria e Bashkuar. I konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore nga Policia, Doda u arrestua në Mançester, pasi akuzohet se me anë të një shume prej 30 mijë eurosh ndikoi te gjyqtari, në mënyrë që trupa gjykuese të bënte ndryshimin e kualifikimit të veprës penale, gjë që i lehtësoi edhe masën e dënimit. “Nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar G.D., 41 vjeç, lindur në Tiranë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin penal nr. 416, datë 10.11.2017, ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të drejtësisë'”, njoftoi Policia.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura