E shkuara e viktimës/ Konflikti në lokalin me muzikë tallava, vendimi që e dënoi me 10 vjet burg

Jan 16, 2018 | 14:52
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Emiljano Boçi, i njohur edhe me ermin Roland, i cili mbeti i vrarë mbrëmë në atentat, kishte rreth 2 vjet që kishte dalë nga burgu, shkruan “Panorama”.

vrasja ne Tirane1

Boçi ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 10 vjet heqje liri me vendim të formës së prerë. Ai ishte arrestuar më 15 janar të vitit 2008, pasi kishte tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Leonard N., duke e qëlluar 3 herë me armë zjarri. Një plumb e kishte goditur atë në kokë, duke e plagosur rëndë.

Për pasojë, Leonardi kishte humbur shikimin nga njëri sy. Ngjarja për të cilën u dënua Boçi e ka pasur pikënisjen në një lokal me muzikë tallave në Kombinat, ku ai me miqtë e tij janë konfliktuar me një grup personash e më pas konflikti është zhvendosur në afërsi të “Misto Mames”, në Tiranë, pasi palët kanë ndjekur njëritjetrin me makina.

Emiljano Boçi është dënuar me 10 vjet burg me një vendim të datës 24 maj 2011, nga Shkalla e Parë, vendim që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit të Tiranës, më 21 mars të vitit 2012.

VENDIMI I GJYKATES

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Emiljano Boçi, ditën e ngjarjes ka qenë së bashku me shokët e tij, Noel P., Rigert K., Elton I. dhe Elvis K. në lokalin me muzikë live “Ade…”, në Kombinat, të Tiranës.

Në këtë lokal ata kanë qenë pas mesnatës së datës 14 janar 2010 dhe në agim të datës 15 janar 2010. Ata kanë shkuar në këtë lokal me makinën e Noelit dhe Elvisit, ku kanë konsumuar pije alkoolike për disa orë. Në të njëjtin lokal kanë shkuar edhe grupi tjetër, i plagosuri Leonard N. me shokët Alban P., Stiv B. e Xhovan M., edhe këta janë ulur në një tavolinë tjetër e kanë porositur për të pirë. Më pas, me ta është bashkuar edhe shtetasi Mirel Gj., i cili sipas dëshmisë së tij dhe të shokëve kanë qenë duke pirë me vëllain e tij dhe dy shokë të tjerë.

Pasi ata kanë ikur, Mireli i është bashkuar tavolinës ku po qëndronin Leonardi me të tjerët. Pas orës 01:00, pasi të dy pjesëtarët e tavolinave kanë pirë, kërcyer dhe kanë hedhur edhe lekë, kanë pasur një konflikt me fjalët “pse më sheh”. Në një moment shtetasi Rigert K., shoku i Emiljano Boçit, ka dalë jashtë lokalit për të folur në telefon.

Pas tij ka dalë Mireli së bashku me të dëmtuarin Leonard. Mireli është parë sy më sy me Rigertin dhe kane replikuar me fjalë “pse me shef, pse të shof” dhe i ka rënë me kokë në fytyrë Rigertit. Ky i fundit është futur në lokal, por në atë moment kanë dalë edhe shokët e tij. Njëri prej tyre, Noeli është zënë me personat që ndodheshin jashtë, më pas, kanë dalë jashtë të gjithë dhe kanë nisur të zihen me grushte.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe dëshmitarët Alban, Stivi, Xhovani, Mireli e Leonardi janë larguar nga lokali duke qëndruar të fshehur diku në Kombinat. Në këtë kohë ata kanë marrë në telefon dëshmitarin tjetër, shtetasin Emiljano Sh. dhe i kanë thënë: “Hajde na merr, se kemi bërë sherr, jemi në Kombinat”. Emiljano Sh. ka ardhur me makinën e tij dhe ai i ka dhënë çelësat e makinës Mirelit, i cili ka hipur në drejtim të makinës, Albani në vendin e parë të pasagjerit, mbrapa, pas shoferit ka qenë i ulur i dëmtuari Leonard dhe në krah të tij Stivi dhe Xhovani.

Gjatë kësaj kohe shtetasi Noel ka marrë në telefon Albanin dhe i ka kërkuar të flasë me Mirelin, duke e kërcënuar atë në telefon. Gjatë kësaj kohe që kishte kaluar, më shumë se 30 minuta, grupi tjetër, Emiljano Boçi, me shokët janë futur brenda në lokal. Në momentin që do largoheshin aty, shkon Emiljano Sh. për të marrë makinën e shokut dhe Emiljano Boçi hipën në makinën e shokut të tij, tip “Audi” dhe vihen në ndjekje të makinës ku tashmë kishte hipur Emiljano Sh., me qëllim që të gjenin ku ishin personat me të cilët kishin bërë sherr te lokali.

Në rrugën kryesore nga Kombinati për në qendër, ata e parakalojnë makinën që po drejtonte Emiljano Sh. dhe drejtohen tek makina “Benz” që po drejtohej nga Mireli. Makinat afrohen me njëra-tjetrën duke qëndruar paralel, në afërsi të “Misto Mames”. Emiljano Boçi ka dalë nga makina dhe ka qëlluar me pistoletë 3 herë në drejtim të të dëmtuarit Leonard, duke e lënë të plagosur rëndë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura