E rrallë në Burrel, azilkërkuesit i “këndon” Hoxha para se të niset

Jul 14, 2015 | 7:43
SHPËRNDAJE

Një fenomen i çuditshëm po ndodh këto ditë në Burrel, ku qytetarët që aspirojnë për azil në Gjermani “këndohen” më parë te hoxha. Ata nuk po lënë mjet e mënyrë pa përdorur, jo vetëm për t’u ecur mbarë udhëtimi, por duke shpresuar se autoritetet gjermane “do të ndikohen” nga nuska e hoxhës dhe t’u japë “Ok” atyre për azil.

Shumë prej tyre janë parë ditët e fundit që kërkojnë ndihmën e hoxhallarëve, sapo vendosin largimin nga Shqipëria. Banorë të fshatit Mallunxë, takuan dje njërin nga fetarët dhe i kërkuan ndihmë për t’u shkruar nuska para udhëtimit drejt Gjermanisë. Hoxha spostohet nga xhamia dhe pasi ulet në stolat e lulishtes “Nëna Mbretëreshë, Geraldinë”, në Burrel, nis e shkruan nuskën që i kërkojnë azilantët. 

Njerëz të shumtë habiten se si hoxha e kryen këtë rit në mjedise publike. Banorja me inicialet N. P., e cila mori “letrën bekuese” të hoxhës në dorë, u shpreh se kishte ardhur nga fshati i largët i Mallunxës dhe se kërkonte të merrte bekimin e hoxhës para se të nisej drejt Gjermanisë. “Nuk kemi punë, nuk kemi ujë, nuk kemi rrugë. Nuk kemi asgjë.

Për 25 vjet fshati ynë mbeti larg vë- mendjes së shtetit. S’kemi rrugë tjetër, ndaj kemi vendosur të ikim”, u shpreh ajo. Sipas saj, vetëm në fshatin ku ajo banon, janë larguar kohët e fundit 30 familje.

Nga cili fshat jeni dhe përse ishit në lulishte me hoxhën?

Unë jam nga fshati Mallunxë. Kërkuam ndihmën e hoxhës për të na dhënë një nuskë, e cila do të na ndihmojë që udhëtimi ynë të jetë pa probleme. Kam dy fëmijë të vegjël dhe motrën me vete. Edhe të tjerë para nesh kanë marrë para nisjes një nuskë. Ajo na mbron gjatë rrugës dhe na ndihmon të sigurojmë një punë dhe të na japin azil kur të shkojmë në Gjermani. Është diçka që bëhet nga shumë qytetarë pa u nisur ende. Disa shkojnë në xhami, disa në teqe dhe të tjerë marrin një nuskë.

E paguat hoxhën për këtë “shërbim”?

Jo. Ai na tha se jemi në muajin e madhnueshëm të Ramazanit dhe nuk pranoi t’i jepnin diçka. Ai u lut që ne të na eci mbarë dhe ne bëmë të njëjtën gjë me njeriun e Zotit. Zoti na e bëftë mbarë ne dhe hoxhës që na dha nuskën. Kemi dy fëmijët e vegjël dhe lutemi të mos kemi probleme gjatë udhëtimit. Është rrugë e largët. Po ashtu vapa është e madhe.

A janë larguar shumë banorë nga Mallunxa dhe cilat janë shkaqet e largimit?

Vetëm nga fshati ynë janë larguar të paktën 30 familje. Kushtet e vështira ekonomike janë shkaku kryesor i emigrimit. Nuk kemi punë, nuk kemi ujë, nuk kemi rrugë. Nuk kemi asgjë. Për 25 vjet fshati ynë mbeti larg vëmendjes së shtetit. S’kemi rrugë tjetër.

Kush ju dërgon jashtë vendit, ku i gjeni paratë e udhëtimit?

Ka “agjenci” udhëtimi me të cilat udhëtojmë. Ne do të vemi në Tiranë dhe prej andej do të shkojmë ose në Prishtinë, ose drejt Shkodrës, ku na presin autobusë që mbushen çdo ditë me shqiptarë që shkojnë në Gjermani. Ashtu si shumë banorë të tjerë të komunës Lis, kemi shitur bagëtitë për të siguruar lekët.

Kush ju pret në Gjermani? Keni informacion se ç’do të bëni atje?

Lëvizja e banorëve të fshatit tonë drejt Gjermanisë ka nisur në mesin e muajit maj. Kemi folur me disa prej tyre. Ca thonë se janë ndihmuar nga shteti gjerman dhe janë sistemuar në shtëpi. Disa rrinë në kampe, çadra e mjedise të tjera publike. Na kanë thënë se u japin euro si ndihmë sociale. Çfarë thotë njëri nuk e thotë tjetri. Japin versione të ndryshme. Edhe ne si ata. Po ikim me shpresë se diçka do të bëjë Gjermania për ne.

BURREL/ HASAN PASHA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura