E rrallë, ministrja kundër buxhetit që miratoi qeveria. Ç’tha Balluku para deputetëve

Nov 20, 2019 | 17:04
SHPËRNDAJE

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është paraqitur me ankesa dje në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, teksa ishte thirrur për të raportuar për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

balluku

Prej gati 1 vit në drejtimin e kësaj ministrie, Balluku u shpreh e pakënaqur me shifrat e hartuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Në raportimin e saj, Belinda Balluku theksoi se në hartimin e këtij projektbuxheti për vitin 2020, nga Ministria e Financave janë marrë parasysh konsultimet e çuara, duke bërë që shumë projekte të planifikuara të mbesin të parealizuara. Ministrja e Infrastrukturës vuri theksin në zerimin e fondit për ndërtimin e hekurudhës Tiranë–Durrës, që, sipas saj, ishte në fazën finale.

“Ky buxhet kurrsesi nuk mund të quhet buxheti i infrastrukturës. Fatkeqësisht, ndërkohë që jemi përpara faktit dhe të gjitha studimet dhe projektimet për hekurudhën shqiptare tashmë kanë avancuar, ne kemi identifikuar se në buxhetin 2020, Ministria e Financave e ka zeruar fondin për hekurudhat, duke hequr 100 milionë lekë nga financimi i brendshëm dhe 200 milionë lekë nga financimi i jashtëm. Pas një lufte të gjatë për hekurudhën, tani nuk kemi fonde për ta vazhduar. Jemi në një pozicion të vështirë, pasi një nga projektet më të rëndësishme që ne kemi dhe pjesë e strategjisë së transportit sot, rrezikohet për shkak të një buxheti të prerë. MFE nuk mund të bëjë një buxhet të njëanshëm dhe pa marrë parasysh konsultimet”, u shpreh ministrja Belinda Balluku gjatë raportimit të saj në Kuvend.

Edhe pse e pakënaqur, ministrja Balluku sërish u shpreh optimiste se sektori që drejton do të ketë performancë pozitive për vitin 2020.

“Pavarësisht pengesave që paraqet në punën tonë ulja e ndjeshme e tavaneve pothuajse në të gjitha sektorët, unë do të thosha që angazhimi dhe performanca e ministrisë do të jetë akoma më e mirë se në vitin 2019. Do t’i luteshim Ministrisë së Financave që financimi i projekteve ekzistuese të bëhej në kohë dhe të mos pengohej ecuria e tyre dhe si rrjedhojë të mos ndryshohej afati i dorëzimit sepse na duhet të përmbushim angazhimet tona dhe të mos krijojmë më detyrime të prapambetura. Vonesa kryesore e realizimit të projekteve është problemi i shpronësimeve, jo rrallëherë kemi pasur edhe mungesë fondesh. Ne shpesh nisim projektin pa identifikuar vlerën që do kërkojnë shpronësimet. Shpronësimet në disa raste kalojnë vlerën e vetë projektit. Më tej, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka folur për tri projektet kryesore që do të financohen gjatë vitit të ardhshëm. Aeroporti i Vlorës, rruga ThumanëRrogozhinë dhe Tuneli i Llogorasë, janë tri veprat prioritare sipas saj.

“Brenda pak javësh, ne planifikojmë që të lancojmë 3 projekte të mëdha infrastrukturore. Kjo paketë e tri projekteve të mëdha infrastrukturore lancohet brenda pak javësh, duke filluar më aeroportin e Vlorës, që do jetë një aeroport ndërkombëtar me një pistë të vlefshme dhe për përdorim nga avionët transoqeanikë. Një nga projektet është dhe aksi i kategorisë A2 nga Thumana në Rrogozhinë, duke krijuar akses të turistëve nga veriu në drejtim të jugut dhe për të plotësuar këtë paketë, një tjetër element i rëndësishëm është edhe tuneli i Llogorasë, që hap rrugën për një akses nga Vlora në drejtim të Jugut”, tha ministrja Balluku.

“‘Air Albania’, në kryeqytetet kryesore të BE”

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka folur edhe për kompaninë ajrore, ku përqindje të aksioneve ka edhe qeveria, “Air Albania”. Sipas ministres, shumë shpejt ajo do të ketë linja në qytetet kryesore europiane. “Linja e re, ‘Migjeni’, i cili operon në qytetet kryesore të Italisë, është pritur shumë mirë, nga shqiptarë dhe të huaj. Planet e së ardhmes janë për një avion të tretë, i cili do të operojë në kryeqytetet kryesore europiane, jo aty ku kemi më shumë shqiptarë, por aty ku flamuri shqiptar duhet të shkojë. Kjo ka qenë një marrëveshje e qeverisë me kompaninë. Avionin e tretë do ta dërgojmë në Londër, në Bruksel, në Athinë, ndoshta edhe në Amsterdam dhe destinacionet e tjera të Italisë. Në planet afatgjata mbetet avioni që do të aksesojë SHBA, por duhen plotësuar kushtet teknike sa i përket pistës

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura