E rëndë/ Zjarri përfshin pallatin në Astir, gruaja hidhet nga kati i tretë t’i shpëtojë flakëve dhe vdes në spital. Plagoset i biri (Emrat)

Oct 16, 2021 | 8:35
SHPËRNDAJE

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen Astir të kryeqytetit, ku një grua është hedhur nga kati i tretë i pallatit për t’i shpëtuar flakëve në apartamentin e saj.

Policia bën me dije se gruaja ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në spital. Sipas News 24 ajo është identifikuar si shtetasja Hava Osmanaj, ndërkohë që i lënduar ka mbetur dhe djali i saj, Klodjan Osmenaj, 36-vjeç, i cili po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor në spital.

Në tentativë për t’i shpëtuar furisë së flakëve gruaja është hedhur nga dritarja e banesës, por s’ka mundur dot të mbijetojë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:55, në katin e tretë të një pallati në Astir. Ka dyshime që 36-vjeçari të ketë probleme të shëndetit mendor. Nga të dhënat paraprake ka dyshime se zjarri ka qenë i qëllimshëm.

“Rreth orës 05:55, në Astir, ka rënë zjarr në katin e 3-të një pallati. Dyshohet se në pamundësi për të dalë jashtë gjatë kohës së zjarrit janë hedhur nga lartësia (dritarja) shtetasja H. O, rreth 62 vjeçe dhe djali i saj K.O, 36 vjeç.

Si pasojë ka ndërruar jetë shtetasja H. O, ndërsa shtetasi K. O, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura